Shpata e Skënderbeut

Opinione

Shpata e Skënderbeut

Gani Mehmetaj Nga Gani Mehmetaj Më 27 korrik 2018 Në ora: 07:50
Shpata e Skënderbeut

-Secili e ka riskun e vet, nuk mund të bësh asgjë kundër kësaj,- më kthehej ai, sikur donte të më ngushëllonte. Pastaj heshtnim, sepse nuk gjenim fjalë ngushëlluese.

Ngashërimi më mbërthente, kur i shihja se si rropateshin njerëzit. Zgjoheshin me të aguar, bridhnin gjithë ditën poshtë e lart nëpër qytet, merrnin e jepnin, ndërsa në mbrëmje ktheheshin të dërmuar në shtëpitë me çati të ulëta e dritare të ngushta të errëta.

 Të tjerët rrinin me vesh në krah, në përgjim të krismave e të lëvizjeve të ushtrisë. Ndonjëri rrëmbente dyfekun e vjetër, merrte strajcën me ushqime dhe ia mësynte malit. Ata që silleshin nëpër qytet, kur i takoja në rrugë a në kishë, përpiqesha t’ua ngrija moralin, e megjithatë ata po i humbnin shpresat edhe në botën e përtejme, sepse nga kjo botë s’prisnin asgjë. Ndonjëherë, larg nga të tjerët, më mbërthente dëshpërimi.

-Zoti është tepër larg e nuk na dëgjon. Asnjëherë nuk na ka dëgjuar, - ia thosha ndonjë blasfemi çapraze atë Rrokut. Me të mbaruam kolegjin në Romë, disa vjet më parë.

-Nuk e dimë cila është vullnesa e Zotit, mos blasfemo, - më tha ai më përdëllim.

Atë Rroku ishte më i përkorë, mbase në këtë mënyrë përpiqej të ngushëllonte veten, sepse më drejtohej  në një mënyrë sikur të fliste  me besimtarët, të cilët zakonisht e kërkonin mbështetjen tonë. Këto biseda ishin të rralla, mbylleshin ende pa u shpalosur mirë, sepse binin ndesh me përkushtimin tonë. Më vinte të qaja kur i shihja në këtë gjendje burrat e gratë.

Ngjarjet zhvilloheshin në mënyrë dramatike, ato e shkelnin njëra-tjetrën, ashtu sikurse i binte sipër një ushtri tjetrës.  

Hyrja e trupave perandorake të Austro-Hungarisë nuk dukej e papritur. E papritur qe hyrja paqësore e një ushtrie në Shkodër. Ata nuk e bombarduan qytetin me artileri të rëndë, nuk e munduan me uri popullatën pas një rrethimi të gjatë, nuk kërkuan pengje as nuk dhanë ultimatume: u futën në qytet si të qe gjëja më e zakonshme në rruzullin tokësor, sikur këtë gjë ta kishin pritur të gjithë. Banorët mërziteshin nga ushtritë që futeshin e ia mbathnin duke lënë gjurmë me tymin e blozën, me të vrarë e të plagosur.

Me t’u futur trupat e Franc Jozefit, legatat e shumta e përshpejtuan aktivitetin spiunor. Me vesh të mprehur ndiqnin çdo lëvizje të kundërshtarit: austriakët përgjonin rusët, rusët ndiqnin lëvizjet e francezëve, francezët kapsallitnin sytë në përgjim të gjermanëve e austriakëve, kurse turqit shihnin seri e pëshpëritnin të përgjumur “allah-allah!” Ata po humbnin çdo gjë në këtë qytet, pos shpresave të vakëta se një ditë do të ktheheshin triumfalisht, me zjarr e me hekur. Përderisa të tjerët po i forconin pozitat në Shkodër e në Shqipëri, nipërit e osmanëve po e shkëpusnin çdo lidhje më ish të pushtuarit, pos ndonjë hafije të paguar, që bridhte nëpër Shqipëri, me shpresën se prapë ndonjë grup rrënimtarë do të përvëlonte vendin dhe do të kërkonin babën. 

Kur e shikoja këtë rrëmujë nga frëngjitë e Kuvendit Françeskan, më bëhej sikur një saç të madh na e vunë sipër e na piqnin, kurse ne herë kërcenim të përcëlluar si zorra në prush, herë lëviznim me ngathtësi sikur të kishim mbaruar. Askujt nuk i bëhej vonë për vuajtjet e popullatës. Të varfrit bëheshin edhe më të varfër, nëse kishte kufi të varfërisë, një grusht pasunarësh mbufateshin me tregti e spekulime. Nuk u bëhej vonë kush futej e kush ia mbathte, ata i mbushnin depot e fshehta me drithë, duke i shitur me çmime të larta, kur e mbërthente uria qytetin.

Armata e refugjatëve nga Kosova e nga periferia e tokave shqiptare shtohej çdo ditë. Sikur nuk mjaftonte kjo rrëmujë e ky mal intrigash, në Pazarin e Vjetër të Shkodrës, në vend të mallrave të munguara, shiteshin stoli antike, gur të vjetër me mbishkrime mbi varrëzore në latinishte e ilirishte. Tregu i Shkodrës u bë tregu më i madh i antikave në Evropë.

Në rrugicat e errëta u farkua një shpatë e shkurtër, për të cilën u hap fjala sikur ishte shpata e Skënderbeut. Zyrtarët e legatave të huaja u alarmuan jo për vërtetësinë e shpatës, por nga frika se rivali do t’ua rrëmbente para sysh. Prandaj, secili donte një ekzemplar, megjithëse dyshonin në origjinalitetin e shpatës së farkuar. Secili që e blinte, e merrte garancinë se kjo qe e vetmja në botë.

Legata turke hapi fjalë: shpata që ekspozohej në Vjenë ishte e rreme. Po cila qe shpata e vërtetë? pyesnin diplomatët e skandalizuar. Thashethemnaja turke përmes hafijeve thoshte se të gjitha shpatat e armët e bukëshkalit i morën në kryeqytetin osman për t’i bërë skrap për gjyle topash. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat