Të shkarkohert urgjentisht Hashim Thaçi

Opinione

Të shkarkohert urgjentisht Hashim Thaçi

Nga: Gani Qarri Më: 4 gusht 2018 Në ora: 06:12
Gani Qarri

Siç duket, të gjitha indicet flasin hapur, se për momentin zgjidhje tjetër më optimale nuk ka, përveç se të bëhet shkarkimi i menjëhershëm i Hashim Thaçi, në mënyrë që të shpëtoj Kosova nga ndarja dhe shuarja si shtet.

Fatkeqësisht ka kohë që, shkaku i politikanëve të saj mafioz, Kosova është hequr si prioritet nga agjenda amerikane.

Për aq më keq, Hashim Thaçi po e keqpërdorë me të madhe edhe këtë argument, duke ndërmarrë aksione të fuqishme e të gjithanshme për realizimin e marrëveshjeve dubioze të arritura në bisedimet e fshehta mes tij dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq, për ndarjen e Kosovës.

Madje,kjo as që përbën më fshehtësi dhe paralajmërime të tilla të trishta, vijnë nga çdo anë, ndaj para se të realizohet ky skenar ogurëzi, implementimi i të cilit pritet të filloj nga 5 gushti i vitit 2018,me shpalljen nga zajednica të autonomisë në veri të vendit, është koha e fundit, që të shkarkohet urgjentisht Hashim Thaçi nga posti i kryetarit, në mënyrë që të shpëtohet Kosova nga ndarja dhe shuarja e saj si shtet.

Le të ndërmerret diçka e organizuar, të bëhet sa më parë denoncimi dhe shtrohet kërkesa ultimative për shkarkimin e tij, nga inteligjenca kosovare, studentët dhe profesorët, sidomos ata që njohin dhe studiojnë sistemet politike dhe të drejtën kushtetuese vendore e ndërkombëtare, të cilat siç kemi rast ti shohim në vijimësi,ky i shkel me të dy këmbët çdo ditë dhe orë.

Të denoncohen veprimet anti-Kosovë, anti-shtet dhe antishqiptare të Hashim Thaçit, të ngritën në protesta e demonstrata i ri e plak, punëtorët dhe gjithë qytetaria kosovare për shpëtimin e shtetit nga “katunari” zevzek i Brojës i cili për çudi, përkundër të gjitha të bëmave të tij, mban edhe postin e të parit të vendit.

Të shpëtohet Kosova nga duart shitëse, të kërkohet dorëheqja e gjithë kastës aktuale të dështuar politike, të ndërpriten bisedimet me Serbinë dhe formohet një qeveri ekspertësh, e cila do ta vinte shtetin në binarët normal të ecjes dhe zhvillimit dhe shpëtonte nga ndarja e copëtimi.

Një qeveri që do të përgatiste një ekip të aftë me personalitete të sprovuara në fushat përkatëse për dialogim serioz me ish shtetin okpues serb, si dhe do të sillte para drejtësisë të gjithë politikanët e kriminalizuar e mafioz, të cilët pasi shitën dhe plaçkitën çdo gjë në këtë vend, tani kanë filluar të bëjnë pazare edhe për shitjen dhe copëtimin definitiv të shtetit të Kosovës.

Pikë së pari të sillet para drejtësisë Hashim Thaçi,për shitjen e territoreve të Kosovës, për rikthimin e Serbisë në Kosovë, për zhvlerësimin dhe humbjen e kuptimit të pavarësisë së vendit, si dhe për tendencat e tij për shpërbërjen e tërësishme të shtetësisë së Kosovës, vetëm e vetëm që pas marrjes së gjithë asaj që Serbia dëshiron të marrë në Kosovë, të shpëtojë veten nga ndjekja e Gjykatës speciale, sikur Kosova ti kishte fajet për bëmat e tij kriminale.

Thaçi e solli punën deri aty sa që ndarja e Kosovës, të cilën tani, ai e ka kamufluar si "korrigjim kufijsh", të mos jetë më temë tabu, por të bëhet pika qendrore e ngjarjeve më të trishta që e presin Kosovën, nga e cila kanë filluar të frikësohen dhe tërheqin vërejtjet për pasoja të rënda, emrat më eminent, që nga Kosova e deri në Amerikë.

Një paralajmërim tronditës, erdhi këto ditë edhe nga njëri prej ekspertëve më të njohur botëror, ish-diplomati amerikan dhe njohësi më i mirë i çështjeve ballkanike Daniel Serwer, i cili shpjegon në detaje, hapur dhe pa dorëza se shkëmbimi i territoreve me Serbinë, apo tregtimin e komunave veriore të vendit, siç po synon Hashim Thaçi, qoftë edhe me mashtrimet kinse për këmbim me territoresh me Kosovës lindore të banuar me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, është i rrezikshëm dhe çon në fundin e shtetit të Kosovës.  

Ndaj para rikthimit kaq të fuqishëm të Serbisë në Kosovë, përmes politikanëve të shitur e komplotist të vendit tonë, si dhe krijimit të Asociacionit të Komunave serbe me kompetenca ekzekutive, populli i Kosovës nuk guxon më të heshtë as të tolerojë edhe më tej pazaret e tilla të frikshme mbi dhjetëvjeçare të pushtetarëve të shitur, "xhambazët e komplotistët" më të pacipë që ka njohur ky vend ndonjëherë, duke filluar nga presidenti karagjoz e deri te pushtetari më i ulët i kriminalizuar, të cilët ishin dhe janë të gatshëm të shesin çdo gjë përfshi edhe shkatërrimin e themeleve të shtetit të Kosovës, vetëm e vetëm që të shpëtojnë të pasmet e veta nga ndjekjet e mundshme penale, për të cilat nuk u kanë borxh shqiptarët as Kosova

Siç dihet tanimë nga të gjithë, edhe draft-statuti i zajednicës u la të përgatitet vetëm nga serbët në veri, pa pjesëmarrjen e shtetit, të Kosovës,sikur “lista serbe” të ishte shteti dhe jo Kosova, pushtetarët e shantazhuar të të cilës, vetëm pas dorëzimit në Bruksel, mund ta shohin se çfarë marrëzie është vendosë dhe shënuar në atë draft-statut kontrovers e të rrezikshëm për vendin.

Një veprim i tillë, nuk është hiq më pak se tradhti kombëtare dhe shtetërore, për çka e gjithë kasta aktuale politike pozitë dhe opozitë, sipas peshës së fajit dhe përgjegjësisë mandatare, duhet të thirret në bankën e të akuzuarve, sikur të kishte kush ti thërras, për sqarime juridike të fajësisë së secilit personalisht.

Zajednica ka kohë që flet hapur se ajo, jo vetëm që kërkon e do të kërkojë me këmbëngulje ndryshime kushtetuese për të marrë kompetencave ekzekutive, por pritet që këto ditë, më-apo nga-5 gushti, të shpallë edhe autonomin e pjesës veriore të vendit, skenar ky i përgatitur deri në detaje, në bisedimet e fshehta nën regjinë e Hashim Thaçit dhe të Aleksandër Vuçiqit, në mënyrë që duke zënë shkak nga akti i lartcekur i pa precedent, të imponohet kinse një ndërhyrje “me forcë”, nga ana e Prishtinës, të shpërthejnë trazirat e serbëve në veri dhe në emër të rivendosjes së “rendit e qetësisë”, “ruajtjes së paqes”, “mirëkuptimit” dhe marrëveshjes finale për “njohjen reciproke”, të realizohet ndarja përfundimtare e Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat