I mungonte vetëm gjurma e varrit të famshëm

Opinione

I mungonte vetëm gjurma e varrit të famshëm

Nga: Gani Mehmetaj Më: 4 gusht 2018 Në ora: 15:24
Gani Mehmetaj

Në mbrëmje, kur qyteti prehej në gjumë të thellë, ai imagjinonte sesi do të bëhej autor i zbulimit të madh, i varrit më të mistershëm në njëmijëvjetëshin e fundit. Priste që pas zbulimit të shekullit së bashku me arkëmortin do të niseshin në Vjenë.

Disa raporte të kohës shkruanin për arkëmort, disa thoshin se ishte një sarkofag i punuar nga guri i veçantë vendas, të cilin mezi e sollën nga gurorja e Krujës një çetë ushtarësh me karroca të rënda e me buaj Myzeqeje. Pati edhe raporte të cilat flisnin sikur sarkofagu është sjellë nga Republika e Venedikut. Doxhet e senatit e porositën, të lumtur që mund t'i dhuronin diçka mbretërisë shqiptare.

Fantazia e bartte në re. Imagjinonte sesi do të futej triumfalisht në Vjenë, ashtu sikurse futeshin dikur gjeneralët romakë në qytet me plaçkë e robër pas ekspeditash të suksesshme. Sa ishte në Vjenë shpatat dhe përkrenarja e heroit të shqiptarëve iu bë fiksim, i lexonte me vëmendje shenjat e shkurtesat. Aq shpesh qe ndalur para shpatës e përkrenares, jo rrallë e kapte veten në imagjinatën sikur shpata e gjatë vringëllonte në dorën e pronarit të tij, ndërsa vraçi fugonte drejt trupave armike.

Drithërima e përshkonte net të tëra. Imagjinonte mbrëmjeve suksesin e tij, shihte titujt e mëdhenj të gazetave. Askush deri atëherë nuk pati sukses të gjente këtë varr, ai do ta zbulonte. Do t’i falënderoheshin eprorët e dashamirët e historisë, do t’i falënderoheshin vendësit që do ta merrnin vesh pas qindra vjetësh varrin e mbretit të tyre më të lavdishëm. Athua do ta falënderonin vendësit? E shtronte ndonjëherë këtë pyetje, dhe nuk kishte durim të gjente përgjigjen. Ia prishte humorin e mirë që e mbërthente net të tëra.

Të nesërmen ndërsa debatonte me një grup të rinjsh që flisnin gjermanisht, dëgjova t’u thoshte:

-Sidoqoftë, varri i mbretit tuaj ishte më i sigurt në qendër të Perandorisë sesa aty. Shpata e përkrenarja ruheshin në Muzeun Perandorak. Gjetiu do t'i mbulonte pluhuri i harresës e shkrumbi i zjarrit.

Të rinjtë e dëgjonin me vëmendje. Studenti i Romës e kundërshtonte më shpesh, ndërsa “vjenezi” reagonte më rrallë. Të tjerët sikur pajtoheshin me të ose nuk ia prishnin.

Pastaj fillonte vapa që i dëbonte të gjithë. Ai nisi të kotej në tendën e vet.

-E gjeta, është ai!”, dëgjoi zërin e punëtorit. Kokrriza nervore ia përshkonin boshtin kurrizor. U ngrit vrik nga shtrati fushor. Pa u këndellur mirë, pa anash, për të hetuar nga vinte zëri. Por asnjëri nuk e përsëriti fjalën shpëtimtare, nuk shpërthyen zëra entuziazmi, madje askush nuk fliste. Punëtorët vazhdonin ritmin e njëtrajtshëm në pikun e vapës.

“Qenka ëndërr!”, ia tha vetes për ta qetësuar zemrën që i rrihte me rrëmbim. Djersët që i rrëshqisnin gushës ia shtuan sikletin. Megjithatë arriti ta mbyste zhgënjimin e çastit.

Nuk ishte besëtytë, mirëpo sa herë e mendonte gjetjen e varrit, druante se do t’i ndodhte ndonjë e papritur.

Hidhte shikimin nga dielli që i afrohej kufirit të horizontit, ku puqej qielli me detin. Çdo buzëmbrëmje e mrekullonte kjo pamje: qielli i bruztë, dielli i kuq flakë, horizonti që shkrinte nga vapa në të shuar, ndërsa deti e thëthinte dritën e tepërt, duke krijuar dritëhije e imazhe të veçanta. E vlente të digjej tërë ditën në vapën e padurueshme e lagështinë që të futej në mushkëri, për të pritur netët e mrekullueshme dhe mbrëmjet e lektisjes së fshehtë.

Zërin melankolik të këngëtarit nga mejhania e afërt, duke i rënë mandolinës, e plotësonte gjinkalla në pushimet e frazës, apo zëri i largët i katundarit që fliste me një frazë të shkurtër me gjënë e gjallë e me shokun përtej kodrës së zhveshur. I dukej vetja si në botën antike, ku s’kishte prekur dora e vrazhdë e ushtrive.

Ai po e kryente shërbimin ushtarak e misionin si në kronikat biblike. I mungonte vetëm gjurma e varrit të famshëm.

Qendra e paduruar kërkonte rezultate. Komanda ishte e pakënaqur me punën e tij. Ua nxori nga lufta një togë ushtarësh, të cilët vraponin sa nga grupi i gërmuesve te grupi tjetër, duke mbikëqyrur punëtorët, të tjerët në mbrëmje bënin rojë në dy pika arkeologjike. Asnjë shenjë me peshë nuk e njoftoi në Vjenë.

Shqetësimin e tij ma tha të nesërmen. Ai nuk mund të kërkonte më shumë nga punëtorët, sepse nuk qe faji i tyre. Ata ishin mësuar me punë të rënda, kur i angazhonte ushtria austro-hungareze në hapjen e rrugëve, thyerjen e shkëmbinjve, kështu që të punonin me daltë apo kazmë në tehun e shkriftuar nuk i lodhte. Ajo që i mërziste ishte kujdesi në punë. Gërmimi kërkonte përqendrim, duhej vënë në veprim ca vegla të vogla, ndërsa shumica prej tyre nuk dinin të punonin me kujdesin e shtuar, derisa nuk nisnin britmat e austriakëve nevrikë. Punëtorëve asnjëherë të ushqyer si duhet, ushqimi i mensës ushtarake u pëlqente: dy racione në ditë, pushim në mesditë dhe një gotë fërnet në mbrëmje.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat