Diaspora duhet të ndëshkojë një qeveri hajdute!

Opinione

Diaspora duhet të ndëshkojë një qeveri hajdute!

Nga: Endrit Hoxhaj Më: 7 gusht 2018 Në ora: 21:32
Endrit Hoxhaj

Shohim çdo ditë të çelen fondacione për të dërguar në Shqipëri ndihma për spitale, shkolla, çerdhe, rrugë apo godina publike! Personailsht jam kundër kësaj nisme, sepse kështu po i mbyllim dosjet e korrupsionit dhe po i shpëtojmë ata që abuzojnë me lekët e taksapaguesve shqiptarë! Pa llogaritur këtu faktin, se vetë fondacionet kanë humbje dhe mostransparencë nga shuma që japin donatorët shqiptarë në Diasporë!

Shtroj pyetjen: pse Diaspora duhet të mbulojë gjurmët e krimit (shpërdorimin e detyrës me paratë e taksapaguesve), duke dërguar para për investime publike? Kjo mënyrë është ndihma më e mirë që u jepet të korruptuarve dhe hajdutëve të veshur me pushtet, në Shqipëri e Kosovë. Vetëm për luftën e Kosovës u mblodhën dy milionë dollarë në New York, ndërkohë në Kosovë arritën në destinacion vetëm një milionë e gjysëm! Kemi raste donacionesh që janë abuzive, që në momentin kur mblidhen para për të blerë aparatura për spitalet e Shqipërisë dhe Kosovës.

Këtë altruizëm qeveritë e shpalosin si arritje politike, si investim nga buxheti shtetit! (e përdorin politikisht si arritjen e tyre). Po ashtu, abuzive janë ndërtimet e shumë shtëpive në Kosovë e Shqipëri, kur realisht banesat sociale duhet t’i ndërtojë shteti! Shteti përfiton nga Diaspora dhe më pas fondet e saj i ripërdor si investimet e tij! Ndërkohë, absurdi thellohet kur buxheti i shtetit përdoret për benefitet e zyrtarëve të lartë ose për pasurimin e biznesmenëve që janë sh.a me pushtetarët. Gjithashtu, i shtojmë këtij argumenti edhe donacionet e OJF-ve të shumta, që maskohen më së shumti si fonde publike! 

Donacionet tona përdoren politikisht dhe pushtetarët marrin vlera nga Diaspora! Duke i pasur ato, pushteti i korruptuar, paratë e taksapaguesve i fut në xhepat e tij, duke u justifikuar, që ka bërë investime në segmente të ndryshme rrugore. Këto para nuk deklarohen asnjëherë dhe nuk ka një trasparencë të shumave që dërgohen nga Diaspora, sidomos në rastet kur lekët mblidhen nga qytetarët.

Mungesa e informacionit ka sjellë që njerëzit të besojnë se shumat e donacioneve vijnë vërtet nga buxheti i shtetit dhe buxheti i shtetit është i pamjaftueshëm për rritjen e mirëqenies së tyre, dhe kështu e vërteta mbetet në udhëkryq. Kjo gjë ka sjellë në Shqipëri e Kosovë mungesën e kërkesës së llogaridhënies ndaj të zgjedhurve të tyre. Terri informativ ka bërë që njerëzit  mos të dinë të vërtetën. Në të gjitha këto raste fajin e ka Diaspora!

Varfëria ka bërë që skamja e tyre të kthehet në standard jetese për ata që nuk kanë familjarë në emigracion dhe korrupsioni të duket normalitet, për ata që kanë familjarët e  tyre në emigrim.  Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se  ndëshkimi i qeverive të majta dhe të djathta vjen nga Diaspora.

Nëse Diaspora nuk do t’i suportonte ato me para, atëherë populli do ishte më i përgjegjshëm për të ditur se ku shkojnë paratë e tij... Duke qenë vigjilentë njerëzit do të reagonin kundër padrejtësive që bëhen në Shqipëri dhe Kosovë. Asnjëhërë s’duhet të harrojmë se ekonomitë shqiptare dhe kosovare mbahen nga emigracioni. Nëse do të ndëshkosh një qeveri makute, atë e ndëshkon Diaspora! Çohu shqiptar dhe reago, diasporë mos “abuzo” me djersën tënde!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat