Fshehtësia e varrit të zbrazët

Opinione

Fshehtësia e varrit të zbrazët

Nga: Gani Mehmetaj Më: 10 gusht 2018 Në ora: 07:58
Gani Mehmetaj

“Ju e dinit fshehtësinë e varrit të zbrazët”, ishte mendimi akuzë, që më drejtohej mua. Nuk më hiqej nga mendja derisa më zuri gjumi. Ndërkaq, ky mendim i dikujt tjetër se unë e dija fshehtësinë më të madhe të mijëvjeçarit, më tmerronte. Ky mendim mund të më kushtonte me jetë. Qindra njerëz prisnin me veshët e ngritur si kafsha kur e pret gjahun, që të më hidheshin në grykë e të më bënin copë e grimë për ta mësuar të fshehtën. Ai që më sfidonte me këtë dyshim, ishte toger Hansi, e megjithatë letra që ma drejtonte tingëllonte më paqësore, sesa që mund ta bënte nga posti dhe fuqia ushtarake, prapa së cilës qëndronte.

“A mund të takohemi për disa sqarime?" më shkroi të nesërmen një pusullë të cilën e solli në famulli tetari Stipe. Ndihmësi im, Nika, i cili përkujdesej rreth famullisë e kopshtit, më tregoi se ushtaraku u interesua për mua, duke pyetur, në emër të togerit. se kur do të kthehesha. Sipas porosisë sime ua ktheu përgjigjen: ”E thirrën në Malësi për një mort a dasmë, nuk e dinte me saktësi”. “Në cilin katund? Nuk e përcaktonte dot, sepse pastaj do të bëja një rrugëtim deri në Dardani”.

“Mbase”, i tha Nika “atë Gjergji do të shkonte në kujtim të përvjetorit të Kalvarit të shqiptarëve të Karadakut”,  duke e ngatërruar edhe më keq ushtarakun e bëshëm, që nuk imponohej as me epoleta, as me shpatën që e mbante. Ai nuk e dinte se ku gjendej Kukësi e lëre Karadaku i Gjilanit, ku do të mbahej përvjetori i Kalvarit. Nuk ua dhashë asnjë porosi për kthimin tim. Nuk u ktheva as të nesërmen a të pasnesërmen. Prita ditë më të mira.

Kur dështoi përfundimisht gjetja e kryevarrit, togeri dërgoi ushtarë të më thërrisnin në Kuvendin e Françeskanëve. Aty rrudhën supet. Me të marrë vesh ndonjë kumt do t'i kthenin përgjigje, ia kthyen në Kancelarinë e Kuvendit . Thonë se ushtarët u kthyen të zemëruar, sepse togeri u kishte dhënë urdhër të më kthenin me çdo kusht: gjallë a vdekur.

Nuk u përmbajta pa ia dërguar një pusullë pas disa javësh: "Gërmuan para jush e nuk gjetën asgjë, do të gërmojnë prapë pas jush, por varri i zbrazët do t’i presë”.

  Dy ditë më vonë toger Hansi shkoi në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, por nuk ditën t’i thonë asnjë fjalë. Rrudhnin supet dhe vazhdonin punën e tyre. Ushtaraku mbeti i hutuar, sikur talleshin me të, apo i fshihnin diçka, mirëpo dyshimet nuk mund t’i bënte publike, as mund të përdorte metoda detyruese që të merrte vesh më shumë. E dija se më gjykonte nga qasja e tij. Sipas tij ia hodha, e spiunova gjatë gjithë kohës, i tregova rrëfenja të ndryshme, por asnjëherë nuk ia thashë asnjë imtësi të fshehtësisë së varrimit. Edhe kur i flisja për ditën e vdekjes së Skënderbeut, zinë që e pllakosi Arbërinë, u shmangesha, sipas tij, detajeve të varrimit. Nuk m’u paska kujtuar asgjë për ceremoninë mortore, kush qe i fundit që ia mbylli kapakun e arkëmortit e shumë pyetje të tjera.

Ndërkaq, mua nuk më hiqej nga mendja rrëfimi epik i malësorit të Gjakovës: Shtatë ditë e  shtatë net e kërkuan turqit e pabesë varrin e Zotit tonë. Iu sulën Lezhjës, hapën varre njëri pas tjetrit në qytetin e vjetër, pastaj në kështjellë. Thuhet se hapën treqind varre, të reja e të vjetra.

Në legjendë më tutje thuhej se nga nxitimi a nga zemërimi që nuk po gjenin asgjë, varret e hapura i lanë si gojë kuçedre. Natën ato varre, me kufomat jashtë, dukeshin të frikshme. Askush nuk kaloi me ditë atypari. Një françeskan i moçëm mblodhi disa argatë jevgë dhe i mbylli varret natën, që të mos e tmerronin botën.

“Varret e hapura sjellin kob e murtajë”, u thoshte qytetarëve. Ai e shpëtoi qytetin nga sëmundjet, ndërsa hordhitë turke shkonin e vinin me mortjen që mbillnin kudo”.

Plaku që i rrëfente, më tregonte ushtaraku austriak, ia rrihte supet, i thoshte sikur të qe i pranishëm në kohën kur ndodhnin gjerat. “Turqit e Stamollës  nuk gjeten asgja. Vorri i madh i Gjergjit, që e ngatërruen me nji tjetër, u doli i zbrazët. E mbulun marren e tyne me shpejtësi dhe ikën me të katrat”.

Plaku kishte rrëfyer edhe një detaj si fat thënat, gjë që i kishte bërë  përshtypje togerit. “Ata që e prekin vorrin e shenjt do t'i gjejë e liga. Maje n’men këtë që ta thotë plaku”, ia vinte në pah plaku thatim me mustaqe të dredhura nga njëri vesh në tjetrin, me fytyrë të vyshkur e rrudha të thella. Plisin e bardhë nuk e hiqte as në vapën më të madhe.

Ato ditë shpesh e kujtonim edhe këtë episod. Togeri më dukej paksa besëtytë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat