Dhuna në familjet shqiptare - plagë e vjetër që ende kullon gjak

Opinione

Dhuna në familjet shqiptare - plagë e vjetër që ende kullon gjak

Nga: Dedë Palokaj Më: 10 gusht 2018 Në ora: 16:21
Dedë Palokaj

Vrasja e dyfishtë në Brekoc të Gjakovësqë ndodhi me 10 maj 2018 hynë në Listën më 101 emra të e grave dhe vajzave që u vranë nga burrat. Pjetër Ndreca40 vjeçar qëllon për vdekje me armë zjarri ish bashkëshortën dhe vajzën e vet 9 vjeçare. E dhimbshme dhe shumë e tmerrshme! Kjo vrasje i ka rënë fort këmbanës së alarmit për rritjen e frikshme të dhunës në familjet shqiptare.

Dhuna në familje është ende një dramë e shoqërisë shqiptare, dhe që në masë prek gratë, si viktima të dhunës nga bashkëshorti. Por rastet janë nga më të ndryshmet. Ka edhe fëmijë që dhunojnë prindërit, nusja që rreh vjehrrin apo e anasjellta etj.

Shoqëria moderne shqiptare është vendosur përballë ndryshimeve të vazhdueshme në marrëdhëniet e individit me familjen dhe shoqërinë në tërësi. Ky trekëndësh social po bëhet gjithnjë e më shumë i brishtë, i papërcaktuar. Raportet e njeriut me familjen dhe shoqërinë, si dy institucione të sigurisë morale, kanë ndryshuar së tepërmi në dekadat e fundit. Shumë dukuri brenda familjes, në kohën e qytetërimit modern nuk ngjajnë aspak me familjen dhe shoqërinë tradicionale shqiptare.

Në këtë kohë si kurrë më parë duket se kemi probleme serioze me identitetin personal, familjarë, kombëtarë dhe fetarë. Nga pikëpamja morale dhe sociale, familja dhe shoqëria shqiptare momentalisht ndodhen në procesin e komplikuar kaotik të kalimit nga natyra tradicionaliste, nga rolet e dikurshme klasike, drejt ndryshimit, përshtatjes me kohën dhe kërkesat e qytetërimit modern. Në trinitetin social të lidhjes midis individit, familjes dhe shoqërisë, po shfaqen ekuilibra delikatë, gjithnjë e më shumë të brishtë. Kjo vihet re në dukuritë që vërtetojnë mungesën e stabilitetit brenda familjes, e cila reflektohet dukshëm në kaotizmin e jetës sociale me të cilën po përballet shoqëria shqiptare sot.

Zëri i burrave nën hijen e zërit të grave

Gratë kërkojnë ndihme e burrave. Rastet e dhunës në familjet shqiptare shpeshherë heshten nga burrat. Edhe vrasja tragjike në Brekoc të Gjakovës, në masë të madhe heshtet nga burrat e Kosovës, mezi u dëgjohet zëri i tyre, ndërsa gratë dukshëm e kan ngritur zërin protestues. Pse burrat s’bëjnë zë! Pse burrat nuk protestojnë bashkë me gra për ta kundërshtuar dhe luftuar dhunën dhe vrasjen e grave? Pse nuk ngritën në mbrojtjen e grave të keqtrajtuara dhe të dhunuara për të shqyrtuar së paku këtë problem? Pse gjithë ky mosinteresim dhe indiferencë për jetën e të tjerëve? Pse kështu? Vallë, a thua burrat besojnë se bota është krijuar vetëm për ta?A thua rrahjet, plagët, vuajtjet dhe vrasjet e grave nuk kan rëndësi, por krenariadhe mendjemadhësia e sëmurë e burrave! Në fakt kymentalitet, ky besim i devijuar paraqet krizën e shpirtit dhe të karakterit të ultë njerëzorë. Kjo është kriza e identitetit dhe largimit nga vetvetja.Heshtja nuk është vetëm shenjë e viktimizimit, por edhe e nënshtrimit. Dhuna, nënshtrimi dhe heshtja janë të ndërlidhura në përpjekjet për të ruajtur dominimin dhe kontrollin.

Në të kaluarën, dhuna në familjet shqiptare ishte pothuajse e padukshme. Nuk kishte qendra pritëse apo qendra këshillimi, mediat nuk e trajtonin si problem, nuk ekzistonte ndihma e policisë apo e institucioneve të tjera. Si rezultat i kësajedhe sot është e vështirë të flitet për dhunën në familje, pasi dhuna akoma konsiderohet si turp. Shumë viktima të dhunës në familje akoma i mbajnë abuzimet sekret. Por hapja ndaj një personi tjetër, në lidhje me atë që ngjanë me dikë, është një mënyrë e fuqishme për zhdukjen e velit që mbështjell dhunën në familje. Tregimi i ndodhive të fshehura përdhunën në familje, është një zë i rëndësishëm për ndryshim.

Shumë femra përmendin ëndrrën e tyre për t’u martuar e për të patur një familje të sigurt dhe të lumtur. Kjo është ëndrra e çdo vajze që të martohet dhe të jetojë e lumtur. Por martesa dhe ëndrra janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme. Për shumë vajza ëndrrat mbeten gjithmonë ëndrra që kundërshtohen shumë shpejt nga realiteti. Për shumë gra, realiteti është krejt i ndryshëm nga ëndra e tyre për një martesë ideale. Burrat e dhunshëm janë pro roleve dhe përgjegjësive tradicionale familjare. Bashkëshortët e dhunshëm rezulton se janë imponues në marrjen e vendimeve familjare, ndërkohë që për gratë duan që t’i mbajnë shtëpinë, të kujdesen për fëmijët dhe t’u binden atyre. Një burrë mund të reagojë në mënyrë të dhunshme nëse bindet që gruaja e tij nuk e kryen si duhet rolin e saj, apo i kalon kufijtë e të drejtave duke ndërhyrë në kompetencat e tij. Gratë supozohet se duhet të kënaqen me rolin e tyre si bashkëshorte dhenëna, dhe të pranojnë se duhet të sakrifikojnë edhe jetën e tyre për hatër të martesës.

Në rrënjë të ?do akti dhune - që nga ajo fizike, emocionale, seksuale deri në vrasje- është mendësia arkaike - patriarkale ku në thelb burri e sheh gruan e tij si pronën e vet, si qenie inferiore pa dinjitet, pavarësi, ëndrra dhe dëshira. Mendësi që i bën marrdhëniet e dhunshme dhe shoqërinë jo të shëndetshme. Ndryshimi i kësaj mendësie të shoqërisë kosovare prej kohësh ka mbetur një emergjencë.

Nuk ka asnjë dallim nëse personi që ushtron dhunë është pjesëtar i familjes, mik, apo njeri i huaj. Është krim, dhe vetëm krim. Heshtja është armik. Dhuna në familje vetmon shtëpinë, shkatërron viktimat e veta dhe mbjell farë tek të rinjët dëshmimtarë të brezit të ardhshëm. Dhuna e shfajësuar si sjellje e keqe por që në realitet është një akt kriminal - është mjaft e përhapur dhe në rritje, si rezultat i rënies në vakumin shoqëror të krijuar nga tranzicioni.

Dhuna ndaj grave, ndonëse është shkelja më e përhapur e të drejtave të njeriut në botë, vazhdon të jetë më pak e vlerësuara. Dhuna është gjithashtu një problem i thellë shëndesor që ka pasoja vdekjen dhe plagosjen, cënon mirëqenien e grave dhe shkatërron dinjitetin dhe vetëvlerësimin e tyre. Tashmë dihet se dhuna në familje i kapërcen të gjitha kufijtë dhe është prezente në të gjitha kulturat. Abuzimi ndaj grave është një problem kompleks dhe shumë dimensional. Shpjegimi për këtë duhet parë tek faktorët kulturorë, shoqërorë, familjarë, fetarë dhe individualë, që ndikojnë në mundësitë që gratë të mos bëhen viktima të dhunës.

Dhunë Fizike përfshin: shtyrje, goditje, gërvishtje, mbylljen në shtëpi, goditje me objekte të forta, kërcënim me thikë ose me armë zjarri, refuzim për ta ndihmuar gruan kur është shtatzënë ose e sëmurë, tentativë për vrasje deri në formën më të rëndë, vrasjen. Forma të dhunës fizike janë edhe përpjekjet për të kontrolluar e monitoruar lëvizjet e gruas. Gratë që dyshohet se nuk janë të rregullta dhe korrekte në marrëdhëniet bashkëshortore shpesh bëhen viktima të formave ekstreme të dhunës fizike. Ka raste se ato jo vetëm se janë rrahur, lidhur me litar, por ju janë shuar cigare në trup, janë tërhequr zvarrë, ju janë thyer eshtrat ose janë lënë natën jashtë derës së shtëpisë të vetme dhe të dhunuara. Dhuna fizike në përgjithësi ushtrohet duke filluar nga format më të lehta për të arritur deri tek ato më ekstremet. Dhunuesit janë tepër testues dhe të kujdesshëm me rritjen e nivelit të dhunës. Përgjithësisht kjo formë e dhunës takohet pas vitit të parë të martesës, gjatë shtatzënisë, për t’u përshkallëzuar pas lindjes së fëmijës së parë e për të vazhduar gjatë gjithë jetës bashkëshortore nëse gruaja nuk e kundërshton atë ose nuk gjen një mënyre për të shpëtuar prej saj. Të dhënat tregojnë se një numër i konsiderueshëm grash, viktima të dhunës në familje, e kanë përjetuar atë që në familjen e origjinës. Viktimat tregojnë se edhe nënat e tyre janë abuzuar njësoj nga bashkëshortët dhe kurrë nuk e kanë kundërshuar atë. Çfarë është edhe më e dhimbshme, ndonëse këto nëna janë lutur për një jetë më të mirë të vajzave të tyre, prapëseprapë ju kanë dhënë atyre mesazhin se “burrat duhen duruar”.

Si rezultat i traditave të forta patriarkale, shoqëria shqiptare ka qënë historikisht e dominuar nga meshkujt. Grave u është diktuar prej kohësh që të pranojnë rolin e të nënshtruarave. Baraziagjinore është për shoqërinë shqiptare një princip i ri, që nuk është përqafuar ende nga një përqindje e konsiderueshme e popullsisë.

Çka i tremb burrat?

Ka shumë gra që e kanë perceptuar martesën si e vetmja mënyrë për të shpëtuar nga vuajtjet e shkaktuara nga varfëria dhe babai abuziv. Ndërkohë që ato largohën  nga një mjedisabuziv si fëmijë, për shumë prej tyre ndodhin që të gjenden të përfshira në një marrëdhënie të dhunshme të rriturish.

Një grua martesën mund takuptoj si një normë dhe si një situatë e dëshirueshme për statusin social. Tradita patriarkale e martesave me shkes nga një person autoritar mashkull, akoma ndeshet shpesh. Ndodh shpesh që martesa të bëhet një skenë e poshtërimit personal, tensionit, kërcënimeve dhe konflikteve.

Kontributi financiar i grave në familje nuk ndikon apo zvogëlon pozitat dominuese të burrave të tyre në familje.Ka shumë që për rritjen e dhunës në familje ia vënë fajin varfërisë. Por jo. Nuk është varfëria ajo që shkakton dhunën pasi atë e përjetojnë shumë familje që jetojnë në paqe, harmoni, respekt të ndërsjelltë. Është varfëria shpirtërore dhe kulturore, është padija, informacioni i pakët, mentaliteti arkaik dhe i prapambetur i mëshkujve. Mënyra e re e jetesës edhe për vajzat dhe gratë, vazhdon të bjerë ndesh me këtë mentalitet, burra dhe djem këtë mendësi nuk e përballojnë dot. Liria dhe pavarësia e gruas i tremb kësisoj burrat, ua heq pushtetin dhe sundimin. Prandaj që beteja me dhunën të fitohet duhet punuar fort, shumë më fort se deri tani për të sjellë emancipimin shoqëror e kulturor. Ndryshimi duhet të fillojë nga vetvetja, në sistemin edukativ, në shkolla, që në kopështe dhe arsimin parashkollor. Më tej jo vetëm matematikë, fizikë, biologji etj. por vëmendje dhe angazhim maksimal për të formuar njerëz dhe familje të mira dhe qytetarë të ndershëm. Në shkollat tona mungon institucioni i tolerancës dhe funksionon ai i ndëshkimit. Ka vetëm gabim dhe ndëshkim. Pa lënë mënjanë dy standardet e edukimit: njërin për vajzat dhe tjetrin për djemtë, ndërkohë që të dy do të jenë qytetarët e ardhshëm. Ndryshimi, emancipimi kulturor i shoqërisë do të prodhojë rezultate të qëndrushme afatgjata në reduktimin e dhunës në familje. zë i rëndësishëm për ndryshim.

Zëri i grave për ndryshime - nga një shpullë deri te goditja me armë

Abuzimi i grave është një fenomen shumë kompleks dhe i formave të ndryshme që variojnë nga poshtërimi, kërcënimi, izolimi social, seksi me dhunë, rrahja dhe vrasja. Dhuna ndaj grave bëhet e vazhdueshme dhe shpesh thellohet nga më e lehta në akte dhunë tepër serioze. Dhuna fizike fillon nga një shpullë dhe mund shkoj  deritek goditja me armë zjarri. Shumë gra jetojnë me frikë jo vetëm për jetën e tyre por edhe për jetën e fëmijëve dhe familjes së tyre. Përvoja e grave të dhunuara seksualisht vërteton se dhuna bëhet e vazhdueshme dhe varion nga forma jo fizike të saj si tallje, kërcënime, fjalë poshtëruese dhe presion për t’i detyruar të kryejnë seks padëshirën e tyre, e deri në rrahje dhe përdhunim. Dhuna fizike shpesh shoqërohet me tentativë për të kontrolluar ndërveprimet shoqërore të grave dhe lëvizjet e tyre. Disa burra i ndalojnë gratë që të shkojnë në punë si formë abuzimi ekonomik. Nërsa disa klerik fanatik të çoroditur dhe hipokrit, të vërbruar dhe të devijuar fetarisht, publikisht mësojnë popullatën të përdorin dhunë ndaj grave duke u sugjeruar rregullat se si duhet rrahur gruaja sikur ajo të mos ishte qenie njerëzore por vetëm një pronë private e burrit.Sipas tyre rrahja duhet të bëhet në trup, duke mos e qëlluar më shumë se 10 herë dhe jo në të njëjtin vend. E nëse rrahja bëhet me shkop, ai duhet të jetë i shkurtër.Kështu gruaja trajtohet si një robëreshë dhe krijesë më e ulët nga natyra. Kjo tregon pozicion e nënshtruar, të pashtruar dhe skllave të burrit për ta nënshtruar me çdo mjet familjen dhe gruan.Për çudi institucionet e shtetit të Kosovës nuk ndërmarrin asgjë për arrestimin e këtyre nxitësve të dhunës ndaj grave.

Nëse gratë dëshirojnë të fitojnë të drejtat e tyre, nuk duhet t’a vështrojnë veten si stoli a zbukurim të meshkujve, nuk duhet të mbahen si kukulla, e nuk duhet të bëhen lojë e burrave. Ajo që ndodhte në botën e civilizuar të perëndimit pak dëgjohet në vendin tonë, kur ishte fjala për ngritjen arsimore të femrës ose për të drejtat dhe mundësitë e barabarta të gruas shqiptare. Krimi në familje zë përqindjen më të madhe në totalin e krimeve të ndodhura. Në pjesën kryesore të rasteve, viktimat kanë qenë gratë, ndërsa burrat autorët. Jo rrallë herë, viktima janë bërë edhe fëmijët. Dhuna kundër grave po shënon ritme e shifra të frikshme e të dhimbshme, duke u shëndrruar tashmë në një problem të mprehtë universal e mbarëkombëtar, që prek shumë gra çdo ditë të të gjitha moshave, ngjyrave dhe shtresave sociale. Gjerësisht një pjesë e shoqërisë mendon se gratë janë pronë e burrit dhe për këtë arsye ai mund të bëjë me të çfarë të dojë, kur të dojë e si të dojë, dhe i njohin të drejtën burrit për të ndëshkuar, madje edhe ta vrasë gruan e tij nëse ai konstaton se ajo nuk bindet apo ka shkelur kurorën martesore. Kjo lloj situate nuk mund të tolerohet më kurrsesi.Gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë se globit tokësor, prandaj duke u edukuar ato, është edukuar gjysma e racës njerëzore.

Detyrat e grave janë tepër të shenjta. Mospërfillja e tyre pengon lumturinë për të kryer drejt detyrat e tyre. Grave duhet t’u jepen të drejtat, mandej t’iu kërkohen  detyrat.Sepse edukata familjare, që buron nga nëna, trashëgohet në të gjithë të ardhmen e racës njerëzore. Gruaja e kulturuar dhe e edukuar, bashkë me qumështin, i jep fëmijës edhe edukatën. Duhet edukuar burrat dhe gratë, por duke u edukuar gratë, në kohën e ardhshme do të jetë e edukuar përgjithësisht shoqëria njerëzore. Sepse gratë janë themeli i shoqërisë njerëzore. Lumturia e shoqërisë varet nga edukata e grave. Qëllimi i qytetërimit e i përparimit është që njerëzit te jetojnë në harmoni. Mësimi i parë i qytetërimit e i përparimit duhet të jetë liria dhe edukimi i grave. Përparimi i shoqërisë njerëzore varet nga edukata e grave.

Andaj ne duhet të ngremë shoqërinë në këmbë, bashkë me politikën, ligjin, policinë, shoqërinë civile, medien, shkollën, familjen, institucionet fetare etj.për të krijuar një kulturë të re për martesën dhe për të trajtuar më mirë konceptin e mashkullit dhe femrës, bashkëshortit dhe bashkëshortës të cilët duhet të edukohen që të kuptojë kohën dhe të respektojë pa kusht dinjitetin dhe identitetin e gruas si partnere apo bashkëshorte. Ka marrë fund epoka e vjetër. Gruaja shqiptare nuk është më pronë e burrit.Nuk mjaftojnë vetëm rrëfimet e dhunës dhe skenat e vrazhda që i shohim çdo ditë nëpër mediet tona. Tani është momenti që të veprojmë konkretisht dhe ta stopojmë këtë dukuri primitive dhe të papranueshme.Ka ardhur koha tëthemi: Stop dhunën ndaj gruas!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat