Metafora e shahut dhe 'degërxhiku'

Opinione

Metafora e shahut dhe 'degërxhiku'

Nga: Isa Zymberi Më: 16 gusht 2018 Në ora: 14:34
Isa Zymberi

Vetëm një dekadë pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është sjellë para pyetjes hamletiane 'to be or not to be' (të jeshë apo të mos jeshë). Dhe nuk është hera e parë që po luhet me fatin e këtij shteti të shkretë.

Pavarësia e Kosovës nuk na ka zbritur nga qielli, edhepse figurativisht mund të thuhet se pikërisht nga qielli na ka zbritur, prandaj dhe ka të tillë që mendojnë se mund të bëjnë çfarë të duan me të.

Territori i Kosovës, që përbën pjesën më të madhe të territoreve të lëna jashtë kufjve të shtetit gjysmak shqiptar, që nga pushtimi serb pas shpartallimit të Perandorisë Osmane, ka kaluar nëpër disa faza të tmerrshme dhe është zbrazur nga popullsia e saj në masë të madhe deri në Luftën e Dytë Botërore e më vonë, është kolonizuar me popullatë serbe e malazeze, i është ndryshuar struktura përbërëse e popullsisë. shqiptarët u janë nënshtruar padrejtësive të parreshtura, mirëpo, ndjenja dhe aspirata për ribashkim nuk është shuar asnjëherë. Aspiratat shumë herë janë legjitime, por ky fakt nuk e bën më të lehtë realizimin e tyre.

Pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova dhe territoret e tjera shqiptare nuk ia dolën të bashkoheshin me shtetin amë. Ajo mbeti brenda shtetit jugosllav (bashkë edhe me territore të tjera shqiptare), që fillimisht kishte gjashtë njësi, kurse më vonë tetë njësi, me Kosovën si njërën prej tyre.

Vetë ish-Jugosllavia paraqet dëshminë më të mirë se shtetet krijohen por edhe shpërbëhen, apo shuhen. Jugosllavia dy herë brenda shekullit XX dështoi t'i qëndronte testit të kohës.

Me rastin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë gjatë viteve '90 të shekullit të kaluar, bashkësia ndërkombëtare, në përpjekje për të vendosur sadopak rend, u mor kryesisht me gjashtë njësitë federale duke e lënë jashtë interesimit, me shkurtpamësi, problemin e Kosovës. Në kuadër të këtyre ndërmarrjeve ndërkombëtare hyn Konferenca e Londrës në vitin 1992 dhe Opinioni Këshillues i Komisionit të Badinterit.

Gjatë viteve '90 të shekullit të kaluar, kemi qenë një grup i vogël njerëzish që merreshim efektivisht me 'lobimin' për çështjen e Kosovës. Nëse e krahasojmë punën e bërë atëherë nga një grusht njerëzish me lobimin e sotëm të organizuar e të mbështetur nga dhjetra ambasada kosovare anembanë botës, del se atëherë kemi qenë shumëfish më të suksesshëm.

Më se një herë, në tryeza e konferenca të ndryshme që mbaheshin rreth ish-Jugosllavisë, apo dhe në takime me zyrtarë e politikanë perëndimorë, unë vetë kam theksuar se tani kur struktura komplekse e sovranitetit jugosllav kishte kolapsuar, askush nuk duhej të priste që Kosova të pranonte të mbetej nën Serbinë, duke shtuar se Kosova ishte e gatshme t'i përfillte parimet e Komisionit të Badinterit dhe insistonte në aplikimin e tyre duke përfshirë dhe parimin e ridefinimit të kufijve ekzistues nga administrativë në shtetërorë.

Me gjithë injorancën e theksuar të të gjitha ekipeve për bisedime që nga Rambujeja e këndej, parimi i mësipërm asnjëherë nuk është prekur.

Disa javë më parë, presidenti kosovar doli me ca 'margaritarë budallallëku' për 'korrigjim' kufijsh me ç'rast Kosova do të merrte territor nga Serbia pa dhënë asgjë!

Ne, vdekatarët e rëndomtë, nuk i dimë rrethanat që e kanë sjellë presidentin e Kosovës në këtë pikë, por ai këtë deklaratë po e përforcon përditë me konferenca bajate për media. E dimë vetëm se atë po e mbështetin dy-tre analistë kontraversë, njëri prej nënkryetarëve të LDK-së që po e shfrytëzon si po ia do qejfi letargjinë e krijuar në këtë parti, e cila, siç thotë populli, 'e ka humbur rrugën në oborr'. Nismën krye më vete të presidentit të Kosovës po e mbështet edhe kryeministri i Shqipërisë. Nga kjo nënkuptojmë se kemi të bëjmë me diçka që është zier mirë në qarqe që mbeten të panjohura për ne. Në këto qarqe mund të ketë dorë Perëndimi, mund të ketë dorë Lindja, madje dhe Lindja e Mesme apo e Largët, apo dhe ndonjë diplomat qatall perëndimor që nuk i bën përshtypje loja me fatin e një populli, apo mbase dhe një kombinim i elementeve të mësipërme. Rreth këtyre mund të bëhen vetëm spekulime, por, pa marrë parasysh misterin me të cilin po bëhen përpjekje të mbështillet kjo ide, duhet të kihet ndërmend se loja me kufij mund t'ia tronditë seriozisht themelet shtetit të Kosovës.

Habit kokëfortësia me të cilën presidenti kosovar po e mbron këtë ide duke qenë i gatshëm t'u kundërvihet jo vetëm analistëve vendorë e ndërkombëtarë, por edhe specialistëve me renome botërore madje dhe liderëve botërorë e përfaqësuesve diplomatikë të shteteve mike që në asnjë rrethanë nuk mund të anashkalohen. Kjo mund të shihet si arrogancë e tepruar e Thaçit më parë sesa siguri se po e bën lëvizjen e duhur për të mirën e vendit. Mbetet të shohim a e ka tepruar kësaj radhe.

Këtyre herë, kur ndodhte të shihnim ndonjë të dehur në rrugë, thoshim, 'e paska pirë një gotë më tepër se  ç'duhet'. Po të kishte Kosova institucione të mirëfillta shtetërore, po të kishte opozitë të mirëfilltë, dhe po të kishte një popull që nuk i duron aventurat e politikanëve të vet, Thaçit do t'i mbetej në fyt kjo gotë e tepruar. Mjerisht Kosova nuk e ka asnjërën nga këto – institucioneve u ka dhënë formë vetë Thaçi me partinë e tij duke vendosur në to ata që Thaçin me shokë e mbajnë mbi ligjin, apo ligjin e thyejnë e përthyejnë si t'ua do nevoja, opozitën e ka dërmuar me metoda meskine, kurse nga populli ka krijuar klientelën e vet që përfill thënien, 'një gjarpër që nuk më ha mua, le të jetojë njëmijë vjet'.

Udhëheqja e sotme serbe me sukses ia ka dalë ta riaktualizojë problemin e Kosovës duke i shfrytëzuar me mençuri dhe djallëzi ndryshimet në skenën gjeopolitike.

Para dy-tri javësh, presidenti i Serbisë doli me metaforën e  shahut për të simbolizuar situatën shumë të komplikuar të Serbisë me problemin e Kosovës, duke e paraqitur Serbinë gjoja në disavantazh të madh me figura të munguara në tabelë dhe me të vetmen mundësi përpjekjen për të nxjerrë pat.

Shahu është një ndër lojrat më të komplikuara mendore që ngërthen strategji të lartë mendimi dhe veprimi!

Kur presidenti serb deklaronte se zgjidhja e problemit të Kosovës do të ishte e dhimbshme për Serbinë, presidenti i Kosovës ia kthente me të njëjtën deklaratë. Pas metaforës së shahut, opinioni kosovar ka mbetur duke pritur se si do t'i kundërpërgjigjet presidenti kosovar. Druaj se ai të vetmën kundërpërgjigje mund ta gjejë te loja 'cic-mic' apo siç i thonë në disa vise të Kosovës 'degërxhig', por nuk e di sa i zoti është në këtë lojë.

Ngado që të shkojnë zhvillimet e mëtejshme, dëmi tashmë është bërë me daljen e të parit të Kosovës me këtë ide. Tani edhe LDK mund ta kuptojë më mirë se ç'gomarllëk të rëndë politik ka bërë duke ia mundësuar këtij njeriu pozitën e presidentit të Kosovës.

Si ide, ndarja e Kosovës ka qarkulluar edhe më parë, e lansuar nga Qosiqët (Dobica Qosiqi e Rexhep Qosja) dhe nga disa individë të tjerë. Trumbetimet e tilla nuk e kanë pasur fuqinë e shkaktimit të dëmit në krahasim me trumbetimin e kësaj ideje tani, pikërisht nga ai që sot është në pozitën e të parit të Kosovës. Kjo ndërmarrje e pamend mund të ketë pasoja të paparashikueshme.

Thaçi, prej se NATO e ka çliruar Kosovën nga Serbia më 1999, shumë herë ka çuar përpara nisma që nuk kanë qenë në interes të Kosovës dhe këto kryesisht i ka ndërmarrë vetëm në përpjekje për ta shpëtuar lëkurën e vet. Ai nuk është përfshirë në Gjykatën e Hagës si disa të tjerë, kurse Gjykatën Speciale me gjasë ia kanë kurdisur si 'carrot and stick' (karotë dhe hanxhar) të cilës deri më tani Thaçi i është përshtatur shumë mirë dhe e ka luajtur lojën me shumë kujdes për t'i ikur procedurës gjyqësore.

Shumëkush gabimisht mendon se Thaçi e ka forcën e tij politike te ndërkombëtarët. Ndërkombëtarët, nëse Thaçi do të ishte i padëgjueshëm, shumë lehtë do ta hidhnin në shportën e plehrave. Forca politike e Thaçit qëndron tek ata që e menaxhojnë elementin e terrorit. Ky faktor i ka sjellë dhe i ka mbajtur në pushtet komunistët e Shqipërisë, trashëgimtarët e të cilëve ishin në pushtet në kohën kur u çlirua Kosova, dhe janë në pushtet edhe sot në Shqipëri.

Ndryshimi, ndërrimi apo korrigjimi i kufijve me Serbinë, pa njohje reciproke, e fut shtetin e Kosovës në një aventurë të madhe nga e cila nuk dihet si do të dalë.

Në fillim të viteve 2000, një zyrtar i LDK-së, atëherë këshilltar i Rugovës kishte ardhur në Londër për të mbajtur një ligjëratë. Pas ligjëratës në të cilën nuk tha gjë, me qëllim që t'i jipja rast të thoshte diçka me interes, e pyeta nëse LDK-ja e kishte ndërmend që në qëndrimin e saj politik të vendoste reciprocitet midis serbëve në veri të Kosovës dhe shqiptarëve në jug të Serbisë. Përgjigja ishte 'jo', madje dhe pa arsyetimin më të vogël.

Reciprociteti ka qenë dhe vazhdon të mbetet insistimi më legjitim i palës kosovare.

Loja me shqiptarët e mbetur brenda kufijve të Sërbisë është e pandershme. Më e mira që mund të bëhet për ta në këtë moment është të mos lejohet nëpërkëmbja e të drejtave të tyre nga Serbia. Serbia nuk ka, absolutisht, kurrfarë baze të kërkojë të drejta për serbët në Kosovë të cilat ua mohon shqiptarëve në Serbi. Ky qendrim është dashur të mbahej që në fillim të negociatave dhe të mos hiqej dorë prej tij në asnjë moment. Shumë herë vazhdimi i gjendjes pa marrëveshje është më i mirë sesa një marrëveshje e keqe.

Në fund dëshiroj të theksoj se sjellja e udhëheqjes kosovare si para ashtu dhe pas pavarësisë, që nga viti 1999, gjithnjë e më shumë i ka bindur ndërkombëtarët, ndër ta edhe shtete mike të Kosovës, se kosovarët nuk janë të angazhuar seriozisht për formimin dhe ngritjen e shtetit. Kjo, bashkë me ndryshimet, sidomos në botën perëndimore, por edhe me çuarjen kobshëm kokë të Rusisë, po ndikojnë në krijimin e rrethanave të përmbysjes së idesë së krijimit të shtetit të Kosovës. Për fat, ende ka liderë vizionarë dhe që i parashohin mirë komplikimet e lojërave me kufijtë, të cilët Thaçi i Kosovës ka zgjedhur t'i shpërfillë me lehtësi, por ka dhe të atillë që as që duan t'ia dinë se a do të vazhdojë të mbetet Kosova e pavarur ose jo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat