Sanxhaku nga lashtësia deri te Kongresi i Berlinit

Opinione

Sanxhaku nga lashtësia deri te Kongresi i Berlinit

Ismet Azizi Nga Ismet Azizi Më 19 gusht 2018 Në ora: 12:24
Në Kongresin e Berlinit (1878) Serbia dhe Mali i Zi fituan pavarësinë dhe, krahas kësaj, me ndihmën e Rusisë, arritën të zgjerojnë territoret e tyre në dëm të tjerëve, kryesisht në dëm të shqiptarëve.

Të dhënat relevante historike dhe gjetjet arkeologjike flasin se lugina e lumit Rashka që nga lashtësia zanafillore ka qenë e banuar nga Ilirët, edhe atë me dendësi shumë më të madhe sesa trevat tjera dhe ma tepër sesa është menduar deri vonë. Këtë ndër të tjera e dëshmojnë edhe shumë toponime të ruajtura deri në ditët e sotme, të cilat dëshmojnë për të kaluarën ilire. Emrat, si: Ras (Arsa), Rashka, Ibar (shqip Ibër), Peshter, Bishevë, Vapa (vendbanim, lumë, liqen I. A), Lim (lumë) etj., janë me prejardhje nga gjuha shqipe: Ibar, (i bardhë - beo, penusav, bistar), Ras (rrasë-ploca), Peshter (peshë, terr-mrak, tersi-suvo) Vapa (zega-umorina), Lim (lumi-reka).

Hulumtimet arkeologjike, të cilat janë bërë në Peshter, tregojnë se kjo rrafshnaltë në tërësi ka qenë e banuar që në neolit, në të vërtetë në fillim të epokës së bronzit. Për këtë dëshmojnë shumë murana, të cilat janë të shpërndara në tërë hapësirën dhe në popull janë të njohura edhe si varre latine dhe greke, gjë që indirekt tregon se në periudhën më të vonshme historike të caktuara në këto treva lëvizur qoftë edhe kalimthi edhe popullsi e karavane tregtarë e misionar të tjerë madje edhe mercenarëve greko –romak.

Vetëm në një hapësirë të caktuar në Peshter, gjegjësisht në fushën e Koshtanës, janë regjistruar 13 nekropole me murana dhe dy vendbanime.

Sipas mendimit të D. Sredojviqit, banorët më të vjetër të Peshterit dhe trevave përreth në përgjithësi kanë qenë të banuara nga fisi ilir - dardanët. Mandej, gjithnjë sipas tij, në këto treva kanë ardhur autariatët, duke bërë trusni mbi dardanët, të cilët janë detyruar të zhvendosen në luginën e lumit Rashka.

Është e sigurt se sllavët, duke populluar më vonë luginën e lumit Rashka, kanë takuar aty popullsinë autoktone ilire, me të cilët me shekuj të tërë kishin zonat nën ndikimin herë të njërës herë tjetrës shpesh edhe të mundur e të asimiluar, e që është e mundshme që pjesërisht ishte e romanizuar, sikurse që është e sigurt se një pjesë e kësaj popullate është tërhequr në trevat tjera pas ekspansionit sllav.

Jovan Cvijic në veprën e tij “Balkanstvo polostrvo", f. 105, midis tjerash, shkruan: “Popullsia sllave, duke u shtrirë, i ka asimiluar dhe e ka shtyrë popullsinë autoktone ilire”. Lidhur me këtë K. Jiricek shkruan: “Me rastin e pushtimit sllav të tokave ballkanike, një pjesë e banorëve të vjetër, posaçërisht ilirët dhe blegtorët romakë, u morën vesh shumë shpejt me sundimtarin e ri, por pjesa tjetër pranoi robërinë”. Ekspansioni i sllavëve, me procesin e asimilimit shkaktuan ndryshimin e përbërjes etnike të trevës së Rashkës (Sanxhakut).

Sllavët e kanë banuar luginën e lumit Rashka nga shekulli i VII, e këndej. Duke marrë parasysh kohën kur ka ndodhur ekspansioni i sllavëve,  gjeografia  e Sanxhakut ka qenë trevë shumë e përshtatshme për jetë. Deri në kohën e Stefan Nemanjës banorët e kësaj trevë kanë zhvilluar luftëra të pandërprera me fqinjët, posaçërisht me Bizantin, dhe, më në fund, vunë themelet e krijimit të shtetit serb Rashka.

Depërtimi i sllavëve në tokat e banuara me popullsi iliro-shqiptare dhe vllehe shkaktoi shkatërrime dhe masakra të mëdha, duke i zhvendosur banorët autoktonë nga tokat e tyre pjellore, të cilët qenë të detyruar të strehohen nëpër shpella dhe male të paklueshme për të mbijetuar. Sipas Millan Shuflajt, ballkanolog i njohur, historian dhe etnograf i shquar, vendosja e sllavëve në Ballkanin Perëndimor kishte rënë  mbi popullsinë albane ( iliro-shqiptare I. A.) si një sëpatë që kishte prerë në veri dhe në jug disa nga degët kryesore të trungut të tij dhe kishte ngushtuar brenda një territori shumë më të vogël. Edhe Konstantin Jiriçek, historian i mirënjohur me prejardhje çeke, duke folur për ilirët, mendonte se ata gjatë periudhës romake, gjysmë të romanizuar ishin të parët e albanëve mesjetarë, që gjatë depërtimeve të popullsisë sllave, siç shkruan ai, ata prej territoreve ku banonin deri atëherë, midis hapësirës së Dalmacisë dhe Danubit, u shtynë më në jug të siujdhesës së Ballkanit.

Në Kongresin e Berlinit (1878) është bërë fjalë edhe për trevat e Sanxhakut. Habsburgët nuk kundërshtuan shumë që Sanxhaku të mbetet nën Perandorinë Osmane. Ishte me rëndësi që vetëm mos t’i përkiste Serbisë dhe Malit të Zi, sepse në këtë rast do të ishin çrregulluar planet e saj ekspansioniste ndaj Ballkanit. Sipas planeve të Vjenës, Sanxhaku duhet të ishte diga ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi, e cila do të pengonte dhe parandalonte bashkimin e tyre. Megjithatë, Sanxhaku i Jeni Pazarit, i cili deri pas Kongresit të Berlini (1878) ishte pjesë e Sanxhakut të Bosnjës, ishte  në rrezik permanent nga Serbia. Në lidhje me depërtimin e ushtrisë serbe në Vilajetin e Kosovës në vitin 1878, raportonte zëvendës konsulli britanik në Bosnje, Harry Cooper. Sipas tij, serbët vepronin me idenë se çdo tokë që nuk kishte ushtarë otomanë, duhet okupuar. Se sa kanë qenë të rrezikuar sanxhaklinjtë, të ndodhur në sandviç në mes serbëve dhe malazezëve si hekuri i skuqur midis çekanit e kudhrës, tregon edhe rezistenca e tyre kundër çarmatosjes edhe në kohën otomane. Rreziku nga serbët dhe malazezët për popullsinë e Sanxhakut ishte permanent. Ata, duke e ndier veten të rrezikuar, edhe në këtë kohë nuk pranuan të çarmatosen, prandaj vendosën që ta vrasin komandantin e ushtrisë së sanxhakut të Jeni Pazarit. Kjo ndikoi në rritjen e frikës dhe shqetësimeve te otomanët dhe të huajt e tjerë në Vilajetin e Kosovës. Hasan Pasha kishte filluar t’i çarmatoste shqiptarët pa kompromis. Popullsia shqiptare dhe ajo boshnjake që jetonte e rrezikuar në kufi me Serbinë dhe Malin e Zi, nuk pranonte të zbatonte urdhrat e pashës për çarmatim. Hasan Pasha ishte sulmuar disa herë nga popullsia, por për vdekje u sulmua  nga një grup njerëzish në fillim të korrikut në Jeni Pazar.

 Në anën tjetër, Austro-Hungaria nëpërmjet Sanxhakut donte të depërtonte në lindje. Qysh në vitin 1900, në Vjenë ishte planifikuar ndërtimi i hekurudhës, e cila do të lidhte Sarajevën me Selanikun nëpërmjet Sanxhakut. Ndërtimi i kësaj hekurudhe deri në Uvcë nëpër Jeni Pazar e deri në Mitrovicë duhej të fillonte në vitin 1908, mirëpo ngjarjet e mëvonshme penguan realizimin e këtij projekti.

Pazari i Ri, i cili në të kaluarën luajti rol të rëndësishëm dhe deri në shekullin XIX dallohej si një ndër trevat më qarkulluese në Ballkanin qendror, fillon të bjerë në shekullin e kaluar. Për Jeni Pazarin vendimi për ndërtimin e rrugës që lidh Moravën me Vardarin ishte i pavolitshëm. Atëherë rrugët e reja anashkalonin, ndërsa rrugët e vjetra pushuan së funksionuar dhe ai fillon të humbë rëndësinë e më pashme që kishte .

Pas Kongresit të Berlinit (1878), Sanxhaku i Jeni Pazarit hyri në përbërje të Vilajetit të Kosovës, i cili përbëhej nga sanxhaku i Shkupit, Prizrenit, Prishtinës dhe Dibrës. Nga ky moment popullsia e Sanxhakut të Jeni Pazarit intensifikon lidhjet tregtare, kulturore me Kosovën dhe Shqipërinë, gjë që ndikoi në përtëritjen e lidhjeve vëllazërore dhe të një përafrimi më i madh në mes tyre.

Në Kongresin e Berlinit (1878) Serbia dhe Mali i Zi fituan pavarësinë dhe, krahas kësaj, me ndihmën e Rusisë, arritën të zgjerojnë territoret e tyre në dëm të tjerëve, kryesisht në dëm të shqiptarëve. Princi serb, Milan Obrenoviq, i cili në këtë kohë shpallet mbret, fillon jetësimin e projektit “Naçertanija”, duke vrarë dhe dëbuar nga territoret e okupuara të gjithë popujt jo serbë. Suksesin më të madh dhe me barbari të paparë e kishte arritur, duke shfarosur popullatën shqiptare nga më se 720 fshatra të rrethit të Nishit, Pirotit, Vranjës, Toplicës e Jabllanicës.

Marrëveshja e Berlini nuk u njohu boshnjakëve dhe shqiptarëve asnjë të drejtë dhe as që u debatua për këtë. Austro-Hungaria e fitoi të drejtën e okupimit të Bosnjës, ndërsa për Shqipërinë dhe Kosovën me Sanxhakun luheshin lojëra të errëta e të ndyra të Fuqive të Mëdha. Perandoria Osmane, edhe pse u mundua t’i mbajë edhe më tej këto territore, në Luftën e Parë Ballkanike e humbi Kosovën me Sanxhakun dhe Maqedoninë. Shqipëria, ndërkohë, e shpallë pavarësinë e munguar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat