Kosova, shtet laik apo fetar?

Opinione

Kosova, shtet laik apo fetar?

Nga: Gani Qarri Më: 22 gusht 2018 Në ora: 07:14
Gani Qarri

Siç dihet, Kushtetuta e Republikës së Kosovës, në nenin 8 të saj, e përcakton vendin tonë si shtet laik dhe të ndarë nga feja.

Kështu që sidomos të parët e shtetit, të cilët janë bërë shembulli më i keq për vendin tonë si aspirues i integrimit evropian, kanë detyrim ligjor që në asnjë rrethanë të mos bien ndesh me Kushtetutën e Kosovës.

Derisa Franca qysh në vitin 1905, ka bërë ndarjen me ligj të kishës nga shteti edhe Kushtetuta e Republikës sonë, shtetin më të ri evropian-Kosovën e përkufizon si shtet laik dhe neutral në çështje të besimeve fetare.

Kosovën shtet laik e deshën dhe e duan edhe vet qytetarët e saj,në mënyrë që nga keqpërdoruesit, të mos dhunohet në emër të fesë, e drejta kombëtare dhe përkatësia evropiane e shqiptarëve.

Ndaj ajo, duhet të mbetet e pacenueshme edhe nga pushtetarët aktual bashibozuk të cilët për ditë po dëshmojnë se për interesat e tyre personale, janë në gjendje të shesin vendin dhe rrezikojnë edhe shtetësinë e Kosovës.

Çështjet e besimeve në trojet tona, janë tejet komplekse,ngase shqiptarët u përkasin tri feve, ndaj shteti laik, përkatësisht udhëheqësit shtetëror duhet të rrinë larg fërkimeve fetare.

Ata mund të marrin pjesë në lutjet që mbahen në objekte fetare, siç ndodhë në raste të veçanta, në shtetet evropiane, por jo të bëjnë atë që përveç në Turqi e vendet arabe, nuk e bënë kush tjetër,dhe në emër të shtetit laik, ti shkojnë në shtëpi Naim Tërnavës.

Kosova nuk është shtet fetar, nuk sundohet nga ligjet e sheriatit as nuk është vend sheikësh, sado që pushtetarët aktual, edhe në Kosovën e varfër, janë pasuruar më tepër se vet oligarkët e puseve më të mëdha të naftës në shtetet arabe.

Baba i feve monoteiste njihet Abrahami, ndërsa kryetari i BIK-ut, nuk është themelues as posedues i festës së Bajramit apo cilës do festë tjetër fetare, ndaj përderisa Kushtetuta e vendit e përkufizon Kosovën si shtet laik, pushtetarë-rrini ku e keni vendin dhe mos bëhuni pjesë e antagonizmave fetare.

Religjioni të cilin e "mbikëqyrë" Naim Tërnava, ka ardhur i fundit tek shqiptarët, madje shekuj pas pushtimit osman të trojeve tona, i cili nuk është pranuar as me detyrim nga të gjithë shqiptarët, kështu që nga popujt e pakët për të mos thënë të vetëm evropian, shqiptarët sot ndahen në tri konfesione, të cilat duhet të trajtohen të barabarta dhe lihen të festohen nga fetarët, pa përzierjen e shtetit laik në to.

Udhëheqësit shtetëror duhet të rrinë sa më larg apologjive fetare, sidomos të atyre që në raste të caktuara, kanë prodhuar fundamentalist dhe ushtar të ISIS-it, që për shumicën kombëtare të shqiptarëve janë dhe mbreten të papranueshme, sidomos në një shtet laik evropian, si Kosova.

Pushtetarët, presidenti, kryeministri dhe krye-parlamentari duhet ta marrin seriozisht pozicionin e tyre politik dhe punojnë për ruajtjen dhe mbijetesën e kulturës evropiane tek shqiptarët, si treguesi më i mirë i rrugëtimit tonë për në BE dhe jo të përmbysin aspiratën tonë më madhore kombëtare e shtetërore për të qenë njëmend të lirë dhe bërë pjesë e qytetërimit të këtij Unioni përparimtar.

Përderisa udhëheqësit e BIK-ut, dhe anëtarët më të lart të tij, nuk ua urojnë publikisht institucioneve të vendit as popullit shqiptar, ditën e Pavarësisë kombëtare, nuk marrin pjesë në ceremonitë e festimeve të 28 nëntorit, as preferojnë Flamurin Kombëtar të Shqiptarëve, askush nuk mund ta kuptojë se përse presidenti, kryeministri dhe krye-parlamentari si udhëheqësit kryesor të shtetit tonë laik, duhet ti përkulen deri te këmbët Naim Tërnavës.

Madje Kadri Veseli, i cili që nga pas lufta nuk po guxon ta hap as Urën e Ibrit për qarkullim të lirë të qytetarëve në të dy anët e qytetit të ndarë të Mitrovicës, i premton Naim Tërnavës, jo bashkimin e qytetit të minatorëve sepse ana kombëtare nuk i intereson z.Tërnava, e siç duket kohët e fundit as Veselit, Thaçit dhe Haradinajt, por ndërtimin e xhamisë së 1001-t, në bregun tjetër të buzë-ibrit, për ta dërguar kryetarin e BIK-ut në ëndrrat e 1001 netëve arabe.

A mund të konsiderohen akte të tilla normale, kur nga vet të parët e politikës, krijohet konflikt i hapur me Kushtetutën e shtetit laik, si Kosova?!

Në cilin nen të Kushtetutës është definuar raporti i tillë shtet-fe, ku thuhet se pushtetarët kryesor të vendit, e kanë për obligim që të shkojnë e marrin dorë dhe përulen para kryetarit aktual të BIK-ut, i cili në emër të besimit fetar, ka shndërruar Prishtinën dhe gjithë Kosovën në pamje jo vetëm "imagjinare" të Kandaharit në Afganistan.

Në këtë mënyrë po dhunohen hapur të drejtat kombëtare të shqiptarëve, kur kihet parasysh fakti se religjioni fetar që nën mbikëqyrjen e Naim Tërnava & Co, praktikohet në xhamitë e Kosovës, identifikohet me gjuhë e simbole të huaja dhe në kundërshtim të plotë me kulturën dhe traditën shqiptare, ka vite që ka filluar të prodhoj edhe "popull" fetar me ndjesi turko-aziatike, akt që nuk guxon të duartrokitet as përurohet nga politikanët vendor, përderisa edhe vet Kushtetuta e vendit, urdhëron prerazi që shteti të jetë i ndarë nga feja.

Siç dihet, në gjithë globin tokësor, botërisht Abrahami, njihet si “babai” i të tri feve monoteiste, që nga Jehudaizmi, Krishterimi e Muslimanizmi dhe njëjtë si Kushtetuta franceze që në nenin e parë-1,thot se "Franca është Republikë laike" edhe Kushtetuta e Kosovës, duke pasur parasysh traditën kombëtare dhe pozitën gjeografike evropiane të Kosovës, me të drejtë, në nenin 8-t,të sajë e përkufizon qartë Kosovën si "Republikë laike".

Ndaj, nuk mund të tolerohet që edhe më tutje, udhëheqësit e një shteti laik të shqiptarëve autokton në vendin e tyre evropian si Kosova, me betimin e dhënë publik,për ti shërbyer kombit dhe vendit të vet, të shkojnë e ti përulen deri te këmbët një fetari edhe po të ishte rezidenca e Naim Tërnavës- Meka, ndërsa ai vet Muhamedi,ose që nga Presidenti deri te kryeministri dhe krye-parlamentari, bëhet me qëllim anashkalimi i Kushtetutës së vendit të tyre, të cilët duke e trajtuar shtetin tonë laik si organizëm fetar,përveç dëmeve të tjera, i bëjnë gjëmën Kosovës edhe me anën fetare duke shkelur me të dy këmbët parimet evropiane, ku ne si vend dhe popull, synojmë të inkuadrohemi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat