A mund ta mbrojmë prokurorin Blakaj nga mafia?

Opinione

A mund ta mbrojmë prokurorin Blakaj nga mafia?

Dren Dushi Nga Dren Dushi Më 24 gusht 2018 Në ora: 09:00
Elez Blakaj

Heronjë e një shoqëria demokratike janë ata që rrezikojnë vetën për të mbrojtur ligjin si mekanizmi i vetëm për të mbajtur nën fre veset njerëzore. Volteri thoshte para disa shekujsh; “Është rrezik të jesh i drejtë kur qeveria është gabim”. Prokurori Blakaj deshi të ishte i drejtë, ai pa rrezikun, meqë pra tash për tash është rrezik të jesh i drejtë, meqë qeverinë e kemi gabim.

Ligji na mundëson të krijojmë një shoqëri ndryshe nga që kemi, ta themi thjeshtë, meqë na duhet rikujtuar; ligji e ndalon një arrogant me këmishë të bardhë, që u jep tenderë familjarëve e bashkëvendasve të qytet/fshatit të tij, apo e ndalon të reketoj çdo diskotekë të Kosovës përmes kompanive të sigurimit, të ofendoj e kërcënoj këdo që nuk pajtohet me idetë e tij, dhe të arsyetoj çdo veprim të vetin duke u thirrur në luftë.

Por në rastet e vendeve ku ligji është vetëm i shkruar dhe i shpallur në media, pak a shumë si rasti i Kosovës, e që ligjin më shumë e mbron Nazim Bllaca, se prokuroria (qoftë kjo edhe e EULEX-it), jeta karakterizohet nga ato që qytetarët i dijnë më mirë se unë.

Pas afër dy dekadash plaçkitje në emër të luftës e paqes, në formë privatizimesh, tenderësh e lloj-lloj maskarallëqesh, na lajmërohet një prokuror me emrin Elez Blakaj. Maskarallëku i rradhës, i plaçkitësve, këtë herë në emër të luftës së 12.700 vetëve, si tentativë për përforcimin e klientelizmit, është pa skrupullsisht çështja e veteranëve që do cënojnë nivelin e jetesës së taksapaguesve nga shëndetësia e deri te shërbimet më të thjeshta.

E tërë kjo maskaradë, që kaloi çdo limit, po mbrohet nga ata që ligjin e shohin si një krijesë e kotë në raport me “madhështinë” e tyre. Për dallim nga shumë maskarada tjera, këtë rradhë, prokurori me emrin Elez Blakaj, që çuditërisht, në këto rrethana egërsie shtet-ndërtuese të toleruar nga ndërkombëtarët (deri në përfundimin e bisedimeve me serbinë), tenton të kryej një detyrë fisnike, t’i mbrojë dhjetëra miliona euro të taksapaguesve që edhe ashtu mezi arrijnë mbijetesën në këtë nivel varfërie.

Prokurori Blakaj tenton të bëj punën e tij, me një shkollim në perëndim, me një përgaditje profesionale e një nivel të lartë përkushtimi për të ndihmuar sado pak në shtet-ndërtim, por ai me kohë, kupton parimin “me një lule nuk qenë pranvera”. Ai pengohet në punë, kërcënohet, sabotohet, dhe në fund, i gjendur para një rrethane ku fuqia e tij nuk përballet dot me fuqinë e një rrjeti primitiv mafioz, pa mbështetje nga askush, i rrezikuar për jetë të tij e pse jo edhe të familjes së tij, i bëhet mjaft, lë detyrën dhe ikë në Amerikë. Unë kam një hipotezë që që shihet se në ç’nivel e kanë sjellur vendin arrogantët mafiozë; le të jap shtetësi perëndimi për secilin prokuror në Kosovë, dhe pasoja do të jetë se shumica prej tyre do ikin, për t’i lënë mafinë e Kosovës të zhvatin lirshëm (siç edhe bëjnë) çdo taksë qytetarësh.

Ikja e prokurorit Blakaj është skandal i brendshëm, por edhe i jashtëm. Si rrjedhojë vijnë shumë reagime të ambasadorëve që e duan Kosovën stabile e ligjore, meqë kanë dhënë miliona euro (dollarë më shumë) të taksapaguesve të tyre për të. Vijnë shumë reagime edhe të shoqërisë gjysëm të vrarë, pra prokurori Blakaj ikën, por e bën një goditje të madhe nëse jo në Gjykatë, si pamundësi e kriminalitetit të instaluar aty, pa dyshim një goditje e madhe politike drejtuar mafisë.

Rrjedhimisht, përfaqësuesit arrogantë të rrjetit mafioz, ata që tashmë i njohim nga aferat e përgjimeve, dalin të skuqur, mallkojnë 1 milion qytetarë të zhvendosur nga shtëpitë e tyre, shpallin se janë hajna pulash, shpallin se ata janë herojnë, dhe harrojnë se intervenimi i NATO-s në Kosovë ishte bërë për këta që i quajnë “hajna pulash”, siç harrojnë se dikush ikte në Bllacë, e dikush ikte maleve për t’u bërë veteran pa parë asnjëher asnjë forcë serbe, teksa këta të Bllacës i kishin te kryet.

Prokuroi Blakaj, nuk është i fuqishëm sa sistemi mafioz i instaluar në Kosovë, i mbrojtur me forcë nga një grup njerëzish paramilitarë, dhe i mbrojtur në publik duke u thirrur në vlera të luftës. Blakaj, është thjeshtë një njeri profesionist, që ka një funksion shtetror (kishte), por që pa policinë, gjyqësinë, ai është totalisht i pa mbrojtur të bëj punën e tij. E vetmja mbrojtje për të mund të bëhen qytetarët, të cilët, të bërë bashkë për një jetë dinjitoze ku sundon ligji, mund të tejkalojnë fuqinë e arrogantëve mafiozë që humbin kontrollin sa herë që nuk i’u dalin llogaritë e tyre zhvatëse e nuk respektohet mendimi i tyre (primitiv apo ç’farëdo qoftë).

Andaj, mbrojtja e prokurorit Blakaj, të ikur, ikje kjo që e varfëron Kosovën, duhet të bëhet përmes protestave, aktivitetit qytetar, mbështetjes nga grupet intelektuale (nuk po e precizoj “të pavarura” meqë intelektuali nuk mund të jetë kurr i varur e servil), i mediave të lira dhe të gjithë atyre që duan të kenë një shtet të ngjashëm me shtetet evropiane.

Frika nga arrogantët që po ofendojnë, emrat e të cilëve kanë kaluar në interpoll, në raporte të ndryshme intelegjence, nuk duhet të egzistoj ndër qytetarësh, ata tashmë qytetarëve i’a kanë marrë të gjitha, përfshirë edhe shëndetsinë si një mekanizëm që ndihmon egzistencën njerëzore. Nëse qytetarët duan ta mbrojnë prokurorin Blakaj, ata mund ta bëjnë këtë, nëse qytetarët duan të ndryshojnë kahjen e shtet-ndërtimit, ata mund ta bëjnë këtë, mjafton zgjimi i tyre dhe ikja nga iluzioni se mafiozët do intervenojnë për t’ju gjetur nga një punë secilit. Nuk duhet harrur, se elita politike mafioze në Kosovë, nuk është e aftë dhe rafinuar, është primitive dhe tribale (siç shihet nga nervoza, skuqja e arroganca e tyre), pra ata nuk mund të zhvillojnë ekonomi që të hapin vende të shumëta pune, ata mund të hapin vende pune vetëm për familjarët e tyre dhe hera-herës ndonjë miku e bashkëpartiaku krahrrahës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat