Ditari shqiptar i dritave amerikane

Opinione

Ditari shqiptar i dritave amerikane

Nga: Baki Ymeri Më: 24 gusht 2018 Në ora: 13:14
Adnan Mehmeti

Krijuesi i letërsisë është i zgjedhuri i Zotit nëse shkruan me zërin e zemrës dhe ndjesitë e shpirtit. Ai s’është kush tjetër veçse një shkëndijë hyjnore nëse arrin të krijojë një vepër të veçantë. Para nesh kemi reportazhet lirike të një shkrimtari shqiptar në trojet e bekuara të Kontinentit të Premtuar. Adnan Mehmeti jeton dhe krijon tejmatanë brigjeve të mëndafshta të Atlantikut, pa e harruar atdheun e vet dhe Preshevën krenare. Duke lexuar librin e tij (Simfonia e udhëtimeve nëpër kontinent), të jepet shansi të depërtosh në dritat dhe ngjyrat amerikane, duke i mbajtur gjithë jetën në shpirt, si një përgëzim i një parajse të cilën vetëm pyjet e fëmijërisë mund të ta ofrojnë.

Ditari është një platformë mendimesh autobiografike. Në këtë gjini letrare inkorporohet biografia, autoportreti, përshkrimi i ngjarjeve të ditës, evenimente personale, intime, tregtare, familjare, sociale, ushtarake apo historike. Në këtë kontekst nuk mungojnë reportazhet, udhëpërshkrimet etj. Samuel Pepys është autori i parë i ditarit modern. Ditari si gjini letrare ka nisur të lulëzojë në periudhën e Rilindjes, kur rëndësia e individit filloi të rritet. Janë të njohur ditarët e shkruar nga Anna Frank, George Eliot, Dorothy Wordsworth, Shelley, Benjamin Constant, Lev Tolstoi, Franz Kafka, André Gide, apo Virginia Woolf. Funksioni psikologjik i ditarit është i jashtëzakonshëm.

Adnan Mehmeti shkëlqen me stilin e tij poetik. Ai na sjell në letërsinë shqipe një botë të virgjerë, origjinale, të paprekur e të panjohur të botës amerikane. Sjell tema e motive, meditime, ëndërrime, botën e ideve dhe preokupimet e tij krijuese, përshkrimin e natyrës, një ligjërim poetik plot jetë, ngjyra kohe dhe dëshmitë e një hapsire gjeografike me interes për ne dhe për lexuesit tanë. Autori na jep një retorikë autoktone të sinqeritetit me rradhitje artistike, praktike, autentike, etike dhe estetike. Ai lanson një provokim të shumëfishtë me ide interesante, evenimente, përshkrime, analiza dhe klasifikime.

Rrëfimet dhe rrugëpërshkrimet e autorit kanë një magji të veçantë. Në to reflektohen valët e furishme të jetës në mërgim: Lutet poeti, varen pemët, ngrijnë lotët nëpër degë… Librit të Adnan Mehmetit i paraprin parathënia e gjerë, interesante dhe briliante e Yllka Filipit (Nëpër misteret e ditarit poetik të Adnan Mehmetit), parafjala e autorit dhe lënda e strukturuar në një hapsirë të gjerë tipografike, e dinamizuar dhe e ilustruar edhe me fotografi. Vilma, Tea dhe Andi janë bashkudhëtarë të përhershëm në udhëtimet e tij. Yllka Filipi thekson me plot të drejtë:

“Ditari poetik i Adnan Mehmetit i mbushur me udhëtime në Tokën e Premtuar, është një mozaik kulturor shumëngjyrësh, deskriptues i natyrës, detit, qiellit dhe tokës, për t’i dhënë substancë kuriozitetit të qenies humane përmes syrit zhbirues të shkrimtarit e poetit që depërton në histori, antikitet e trashëgimi kulturore dhe horizontit të pritjes duke hyrë si në ëndërr, në shtëpi të mermerta; breza magjikë me filigranë ari, brigje shkëmbore apo shpella ku burojnë ujërat hyjnore, aty ku prehen poetët, dehur në magji të gjelbër, festa  dionisiake, homazhe, pikëllime, frikë, katastrofa natyrore e buzëqeshje që rrjedh që nga legjendat nën lupën poetike,  magji e mrekulli natyrore të cilat poeti nuk  i prekë me këmbë, por me shpirt. Ky libër është një ftesë për çdo kureshtar të përjetësisë dhe misticizmit të natyrës.” 

Krejt orientimi i librit, lënda e pasur, pasuria e informacioneve, metoda e organizimit dhe forma e kapshme e përshkrimeve, përbëjnë një instrument të dobishëm në ndihmesë të atyre që dëshirojnë të kenë një shëmbëlltyrë reale, sistematike dhe plenare të natyrës, ambientit, njeriut dhe shpirtit amerikan.   udhëtime drejt Misisipit, Luizianës, Arkansës, Teksasit, Alabamës, Oklahomës, Washingtonit, Nevadës, Nju Jorkut, Marylandit, Masaçusetsit, Floridës, Meksikes, Kanadasë, Pensilvanisë, Miçiganit etj.”

Libri i Adnanit ka një përmbajtje interesante, një unitet të brendshëm, një kuptim logjik dhe artistik. Fjalori i autorit është gjaku i shpirtit poetik. Gjuha e tij ka një funksion ekzistencial. Fjala e tij nuk është një ndrëmjetsues i thjeshtë, por një përçues kuptimesh, ëndërrimesh dhe meditimesh. Liria etike e autorit nuk është një mister metafizik, dhe as liria estetike për përshkrime njerëzish dhe ambientesh. Ky karakter i krijimit nënvizon faktin se artisti nuk është i lidhur nga do rregulla të veçanta, nga komplekse apo paragjykime. Ai vepron me logjikën e koncepteve në platformën e një shpirti të lirë, fisnik, patriotik dhe universal.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat