Lutjet e mëngjesit nuk bëhen pas perëndimit të diellit

Opinione

Lutjet e mëngjesit nuk bëhen pas perëndimit të diellit

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 24 gusht 2018 Në ora: 21:06
Abdulla Mehmeti

Shqiptarët në Maqedoni me kushtetutën e këtij shteti ende trajtohen si pakicë kombëtare, ndërsa njësia themelore e identitetit kombëtar të tyre, gjuha shqipe njihet si gjuhë e qytetarëve prej 20%, të cilët e flasin këtë gjuhë, jo si gjuhë amtare e shqiptarëve me status zyrtar. Megjithatë, shqiptarët në këtë shtet dinë t’i dalin zot vetvetes dhe të drejtave të tyre kombëtare të nëpërkëmbura dhe mohuara me dekada, në çfarëdo rrethanash, edhe në këtë situatë në të cilën gjenden sot, e cila nga shumë veprimtarë dhe analistë vlerësohet si tejet e turbullt dhe e paqartë: pas Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, bashkëpunim dhe mirëkuptim mes Maqedonisë dhe Bullgarisë (1 gusht 2017); Marrëveshjes mes Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e kontestit për emrin e shtetit (17 qershor 2018); si dhe organizimin e referendumit në lidhje këtë çështje dhe për hapjen e rrugëve të integrimit të vendit në NATO dhe BE (30 shtator 2018).     

Në prag të referendumit lidhur me Marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e kontestit 27 vjeçar për emrin e shtetit, si dhe procesin e integrimeve euroatlantike të Maqedonisë, siç duket janë zgjuar të gjithë shpirtërat e fjetur, disa edhe lugetë të ish regjimit dhe mercenarë të shërbimeve të huaja sekrete, për të manipuluar me vullnetin politik të shqiptarëve në Maqedoni, sikur këta qytetarë janë aq naivë dhe nuk e kanë të qartë se në këto momente nuk mund të zgjidhen për së mbari të gjitha çështjet e grumbulluara dhe ngatërruara për tri dekada me radhë, me fajin edhe të vetë shqiptarëve.  

Kjo gjendje në të cilën gjenden aktualisht shqiptarët në Maqedoni është rezultat edhe i punës dhe veprimit të partive politike të shqiptarëve, të cilat i kanë votuar dhe përkrahur vetë shqiptarët deri më sot; kjo gjendje mjerisht tepër e turbullt dhe pa perspektivë, është kështu pikërisht për shkakun edhe të shumë manipuluesve, të cilët sa herë kanë nevojë shqiptarët për qartësi të situatës, bashkim të forcave, projekte të përbashkëta e të dobishme, për krijimin e ndonjë vizionit të qartë për të ardhmen, për ndonjë zgjidhje të mundëshme, kur duhet të ndërmarrin diçka në momentet kyçe kur vendoset për fatin dhe të ardhmen e tyre, sortja e disa „atdhetarëve“ dinë vetëm të hedhin parolla për „shpëtimin kombëtar“ të shqiptarëve në Maqedoni, apele me vlerë „historike“, duke harruar se me këtë e poshtërojnë inteligjencën e qytetarëve shqiptarë vendës, sikur ata janë të pa informuar, të manipulueshëm dhe qenie që nuk dinë ta shprehin vullnetin e tyre për çështje të rëndësishme që lidhen me fatin e tyre, të sotmen dhe të ardhmen në këtë shtet.

Këta „patriotë“ të vonuar harrojnë se jetojnë në shekullin e teknologjive moderne, se edhe qytetarët shqiptarë me shkallë më të ulët të arsimimit, edhe kur janë të angazhuar dhe aderojnë në ndonjërën nga partitë politike, janë bartës të ndonjë funksioni publik, detyre zyrtare, apo shfrytëzues të privilegjeve dhe interesave nga pushteti, megjithatë dijnë qartë ta dallojë të mirën nga e keqja, të bardhën nga e zeza, dobinë nga dëmi, qëllimet djallëzore nga qëllimet e mira dhe të dobishme.

Shqiptarët nuk do të shndërrohen në vegla të pushtetit, të partive politike, por nuk do të pranojnë të jenë as minj eksperimentesh të propagandave të huaja, pre e intereseve të individëve dhe grupeve, të manipulatorëve që nuk i preokupon çështja kombëtare, fati dhe e ardhmja e shqiptarëve në Maqedoni, por krijimi i mjegullnajës, siç ka ngjarë shpeshherë, kur këto skile presin në prapaskenë të përfitojnë çka të jetë e mundur për interesat e tyre dhe çka t’u shkojë për dore në situata të këtilla të turbullta dhe të paqarta.

Për momentin, shqiptarët janë të vetëdijshëm se:

Referendumi që do të mbahet më 30 shtator në Maqedoni nuk i zgjidh problemet e pazgjidhura që i preokupojnë shqiptarët ndër vite e dekada, si edhe sot;

Referendumi organizohet nga pushteti aktual, në të cilin gati të gjitha partitë politike të shqiptarëve janë pjesë aktive të tij, jo vetëm me dëshirën e drejtuesve të këtyre partive, por edhe me votën e qytetarëve shqiptarë; 

Referendumin që e organizon pushteti në Maqedoni, e mbështet kryesisht partia më e madhe e cila aktualisht është në pushtet, LSDM, në strukturat e së cilës ka edhe shumë qytetarë shqiptarë, të cilët në zgjedhjet e fundit parlamantare arritën të bindin mbi 70 mijë qytetarë shqiptarë të votojnë për këtë parti dhe për kauzën që përfaqëson ajo në këtë shtet.

Me përllogaritje të përafërta, pasqyra aktuale do të ishte kjo:

Mbi 50% e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni aktualisht janë të gatshëm t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes së Qeverisë dhe apeleve të partive politike të shqiptarëve, për përkrahjen e referendumit.

Sipas sondazheve të derisotme për çështjen e referendumit, afër 38% e qytetarëve janë të painteresuar dhe ende nuk kanë vendosur nëse do ta përkrahin referendumin, do ta bojkotojnë atë, apo do të jenë të përmbajtur në lidhje me këtë çështje.

Pjesa tjetër e qytetarëve shqiptarë, që i bie të jetë afërsisht 12%, janë hapur kundër referendumit, ose angazhohen për gjetjen e rrugëve dhe mundësive për nxjerrjen e përfitimeve nga ky referendum edhe për shqiptarët, me të cilin do të legjitimohej Marrëveshja e Prespës dhe do të hapeshin rrugët e integrimit euroatlantik të Maqedonisë, përkatësisht të anëtarësimit në NATO dhe BE.  

Përfundimisht, shumica e qytetarëve shqiptarë në Maqedoni do të vendosin ashtu siç do t’u bëj thirrje qeveria e Maqedonisë, pjesë e së cilës janë edhe partitë shqiptare, por edhe siç do të deklarohet Tirana dhe Prishtina zyrtare, faktori ndërkombëtar, Brukseli dhe Uashingtoni, SHBA, BE dhe NATO, jo sipas dëshirave të cilitdo opinionist dhe veprimtar ,,atdhetar”, që nuk kanë denjuar deri më sot të paraqesin asnjë program, qëllim dhe vizion të qartë për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni, as që kanë ndonjë plan afatgjatë ose afatshkurtë se çka duhet të bëjnë shqiptarët sot e çka nesër, ku janë sot dhe ku duhet të arrijnë nesër, cilat janë dobitë dhe cilat janë dëmet nëse e përkrahin këtë referendum apo e bojkotojnë atë.

Referendumi për çështjen e Marrëveshjes me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit, lidhur me këtë edhe procesin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, është monedhë me dy anë; megjithatë, shqiptarët duhet ta shohin vetëm anën e mbarë të saj, ajo që u krijon të ardhme dhe perspektivë evropiane, jo anën e errët që i kthen në të kaluarën e hidhur, në regjimin e forcave politike të korruptuara dhe kriminele, nën kthetrat e infuencës ruse në vend dhe rajon.

Mundësitë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura të shqiptarëve në Maqedoni do të jenë më të qarta dhe më të lehta për t’u zgjidhur përmes kësaj rruge, assesi në rrugën e mbrapshtë që ka për alternativë kthimin prapa në të kaluarën e errët, në kaos dhe tmerr për të gjithë banorët e këtij shteti, sidomos për shqiptarët në Maqedoni, dhe jo vetëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat