Priftin që e tundoi kurmi

Opinione

Priftin që e tundoi kurmi

Nga: Gani Mehmetaj Më: 25 gusht 2018 Në ora: 11:17
Gani Mehmetaj

“Shpëtomë, o atë! Jam në hall”. Nisa t’i rrëfehem priftit të dioqezës, duke bërë një ditë rrugë nga kisha, ku kryeja obligimet e mia shërbestare, në qytetin e Prizrendit.

“Ku e ke hallin biri im?”, ma hapi rrugën e rrëfimit frati, ndërsa unë i tronditur vazhdova: “Çdo gjë nisi në mënyrë të padjallëzuar, por nuk përfundoi kështu. U bëja lavde sibilave, i këndoja himne bukurisë, kënaqesha me natyrën e katundeve, u shërbeja Zotit e besimtarëve. Befas një Zanë mali nisi të më fanitej natën, më tundonte ditën, më linte pezull as në tokë, as në re. Qëndroja mbi humnerë. Më ndalej fryma. Pastaj e dija se Ferri më priste, s’kishte si të ishte ndryshe.

Nga libri i vjetër i gjuhës sonë, që e lexoja me ëndje, me dilte një sibilë e gjallë, më buzëqeshte tundueshëm. Nga buzëqeshja e saj me dridheshin leqet e këmbëve. 

Zana e malit, që më shitoi, Tringë e quanin. E bardhë, e brishtë e hollake, kalonte çdo ditë, ia hidhte një shikim kishës, bënte kryqin, vazhdonte tutje si ta ndiente shikimin tim të turbullt. Sa herë e shihja farfuritjen e këmishës së saj të hollë që ia mbulonte shtatin, ndërsa pështjellaku vajzëror e shtrëngonte në bel, trallisesha fare.

Rrallë i afrohej kishës vetëm. Asnjëherë nuk erdhi të rrëfehej, asnjëherë nuk e pashë të vetme  në meshë. Vinte me nënën, ose më të vëllain, ndonjëherë me një shoqe,  por Zot më shpëto nga mëkati e më ruaj nga tundimi, sikur të vinte vetëm, do të humbisja, mbase do të bëja ndonjë marrëzi, sepse një shikim i saj që më dukej se më dërgonte sinjale të fshehta, ma dridhte zemrën e më linte pa gjumë.

Këngët e Solomonit më kalonin tërë kohën nëpër kokë, sibilat s’më hiqeshin nga mendja, as Kënga e këngëve. Bardhokja Tringë më bënte të vuaja dyfish: një herë sepse po mëkatoja në mendime, e në shtëpinë e Zotit, po e humbisja dashurinë në Krishtin dhe, herën e dytë, sepse unë kisha dhënë një betim. 

“Kërko mëshirë, biri im, lutu për ne mëkatarët!” - më drejtohej prifti.

“Më shpëto atë nga mëkati, më bëj ta përballoj këtë djallush që më del ëndërr, më afrohet edhe  zhgjëndërr,  më bën të vuaj, të humbas kokën dhe ta harroj dashurinë ndaj Krishtit”, lutesha në gjunjë para fratit, ndërsa lotët më shkon faqeve.

“Më shpëto Zot nga tundimi, më jep forcë të dal nga hutimi, më bëj ta përballoj dobësinë e mishit, me jep kurajë të zhdavariti fanitjet”, i lutesha në gjunjë Zotit.

“Kush është ajo, biri im, është vajzë a djall?” - më drejtohet prifti. 

“Është vajzë, o atë, më mirë të them është engjëll, sepse kur ecën më bëhet se fluturon, aq të lehtë e ka hapin, aq të zhdërvjelltë e ka shtatin. Kjo vajzë më delçdo mbrëmje në ëndërr, ndonjëherë më futet në shtrat, unë djersij, luftoj me të si me djallin, dikur më bëhet se e fitoj betejën, atëherë ajo del e dëshpëruar nga qela ime asketike, kurse unë rri i pikëlluar, duke shikuar në zbrazësi. Por ndodh që ajo e fiton betejën, prishem në ëndërr, kap kokën me duar, zgjohem me shijen e hidhur të një tundimi që i kaloi kufijtë, u bëra mëkatar. 

“Po biri im, djalli atë punë ka, të të tundojë, të të fusë në mëkat. Ti bëhu i fortë, munde djallin në trupin tënd, ndrydhe tundimin, flake mëkatin e mishit, sfidoje Adamin, mos bjer pre e joshjes së Evës”, - më këshillonte prifti, sivëllai im, - kur i rrëfehesha me afshe e përdëllime.

“Lutu e pendohu, kërkoje dashurinë e Zotit, hiç dorë nga mëkatet, kërkoje e gjakoje amshimin”, vazhdonte prifti i pikëlluar.

“Dy herë u mata t’ia pranoja mëkatin, por dy herë hoqa dorë nga sinqeriteti, sepse atëherë duhej të hiqja dorë nga thirrja ime, të flakja veladonin e t’i kthehesha jetës së përditshme të vdektarëve mëkatarë. Por unë doja t’i kushtohesha Zotit. Kisha mëkatuar me bardhoken Tringë, vuaja nga ky mëkat...” 

Athua ishin ndikime të sibilave apo gjëra të përjetuara? Prapë nuk kishte autor. Anonimi i Dardanisë shpaloste vuajtjet e mishit, tundimet e vetminë. 

 Shënime të tilla intime ma ngushtonin zemrën, ma kujtonin jetën askete e vetmitare të sivëllezërve, që i kushtoheshin një misioni të shenjtë, vuanin e pikëlloheshin, tundoheshin e binin në mëkat, ndërsa vuajtjet e privimet e tyre  nuk i kuptonte askush.  Rrëfime të tilla, kur rrëmoja gjeja jo pak, më vinte keq për sivëllezërit që e ndienin veten aq të braktisur. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat