Heshtja është krim, deputet!

Opinione

Heshtja është krim, deputet!

Nga: Mr.sc. Ymret Reshiti Më: 28 gusht 2018 Në ora: 14:08
Mr.sc. Ymret Reshiti

Qëndrimi prej struci i deputetëve të Kuvendit të Kosovës karshi aventurave të rrezikshme  të  presidenti Thaçi për dialogun me Serbin, nuk mund assesi të mos dënohet, më e pakta të kritikohet.

Përfaqësuesit e popullit nuk duhet të ndjehen komod, të pushojnë dhe të argëtohen në kohën kur presidenti i papërgjegjshëm  i shtetit po i nëpërkëmb kompetencat e Kuvendit të Kosovës, Qeverisë dhe po e shkel kushtetutën e Kosovës. Nuk duhet të tregohen indiferent karshi presidentit Thaqi, i cili kokë në vete po tenton të realizoj  disa agjenda të rrezikshme  dhe me shumë  të panjohura!

Asgjë  të sigurt nuk ka se, cila do jetë tema e takimit Thaçi-Vuçiç, në shtator. Kush garanton se, Thaçi do bisedoj për “korrigjim” të kufijve? Kush e ndalon Thaçin për të biseduar krejtësisht temat tjera, ndryshe nga ato që i ka bërë publike?

Thaçi evoluon në  qëndrimet e tija ma shpejtë se uji që shndërrohet në oksigjen. Kjo nuk është rastësi. Së pari shkakton konfuzion në opinion,  pastaj  në fund del me një ide krejtësisht  tjetër, të cilën askush nga publiku  nuk e ka dëgjuar më parë. Krejt këtë lojë e bën  për të shkaktuar efektin e befasisë së masës. Është taktik e “gjarprit”.

 Qytetarët  kanë të drejtë të shqetësohen sepse  agjenda e Thaçit  fsheh përbrenda shumë të panjohura, shumë të pa pritura dhe shumë të pa thëna,  që  Thaçin  e bënë të  rrezikshëm.

Përfaqësuesit e popullit nuk duhet të vet mjaftohen dhe të shfajësohen pse presidenti po i shpërfill thirrjet e tyre. Këto sjellje i ngjajnë zërave të kukuvajkës.

Qytetarët e Kosovës  janë lodhur nga kukatjet e deputetëve. Ata kanë nevojë për një  fluturim shqiponje.

Thaçi vet nuk ndalet, pa e ndal dikush.

Veprimet e presidentit  Thaçi  nuk duhet  të kuptohen vetëm si  probleme i  partive opozitare. Po flasim për veprime që prekin Kuvendin e Kosovës si organ legjislativ. Të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës njëzëri duhet të mbrojnë parimin kushtetues, të ndarjes së pushteteve në Kosovë, të cilin po e cenon rënd presidenti  Thaçi, i cili pa kompetencë kushtetuese  dhe autorizim  politik nga Kuvendi i Kosovës po zhvillon bisedime me Serbin.

Për ta ndal  turra vrapin  e presidentit Thaçi,  mjafton  pajtimi i  deputetëve nga radhët e LDK-së, LVV-së, PSD-së dhe NISMAS,  të cilët  mund të arrijnë, tre gjëra për ta ndalur Thaçin .

E para. Së paku të pajtohen që të nxjerrin një rezolutë të Kuvendit, me të cilin e vënë  në dije Bashkimin Evropian dhe faktorin ndërkombëtar, se presidenti  Thaçi nuk  ka autorizim politik e kushtetues, që në emër të shtetit të Kosovës  të zhvilloj  bisedime me Serbin, dhe as me nënshkruar kurrfarë marrëveshje. Çfarëdo marrëveshje e arritur në mes presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiç , të konsiderohet jo legjitime dhe e  pa vlefshme .

E dyta. Nëse Kryeministri Haradinaj nuk është i gatshëm që të udhëheqës bisedimet me Serbinë ndërsa  Kuvendi i Kosovës e vlerëson si tepër domethënëse faktin se, dikush nga Qeveria e Kosovës duhet t’i  udhëheqë  bisedimet,  atëherë deputetët  e  Kuvendit të Kosovës me shumicë mund ta nominoj zëvendës Kryeministrin Fatmir Limaj, i cili potencialisht  paraqet përfaqësues të denjë të Kosovës në ato bisedime. Kjo do ta ndal Thaçin për të udhëhequr negociatat sepse  është në pajtim me Kushtetutën dhe  me kërkesën e zyrtarëve të BE-së, që formati i bisedimeve të jetë një me një.

E treta. Deputetët shumicë të Kuvendit të Kosovës duhet ta  formojnë  grupin negociator të unitetit, ku secila parti politike do përfaqësohet ndërsa kryesuesi i grupit do jetë pikë kontaktimi  për bisedimet me Serbin nga palët e kyçura në atë proces. Pastaj edhe platforma të hartohet.

Një praktik të tillë e kemi ndjekur edhe ma herët si Kosovë, prandaj nuk duhet humbur kohë me obstruksionet politike me lyp kreativitet të reja, sepse do të rezultojnë me pasoja politike të pa riparueshme  për shtetin e Kosovës.

Thaçi nuk ndalet nga Rezolutat e  Kuvendi të Kosovës,  të cilët i drejtohen atij.  Do i konsideroj si jo obliguese, do t’i injoroj ato rezoluta, dhe do vazhdoj të takohet me Vuçiçin në shtator.  BE-ja do vazhdoj t’i mbyll sytë para kësaj situate, duke u arsyetuar se nuk kanë marrë asnjë dokument  zyrtar nga Kuvendi i Kosovës,  që informon se  kush do e përfaqësoj Kosovën në bisedime.

Legjitimiteti për  udhëheqjen e bisedimeve me Serbin është në Kuvend të Kosovës, prandaj deputetët duhet ta shfrytëzojnë sa më parë  këtë autorizim kushtetues dhe qytetarë.

Humbja e kohës nga deputetët e Kosovës po tensionon gjendjen politike dhe sociale në Kosovë dhe rajon, me rrezik të përshkallëzimit dhe shpërthimit qytetar.

Të ndërpriten obstruksionet e opozitës për ardhje në pushtet.

Patit politike opozitare duhet të shmangen nga kalkulimet politike, se si të  vinë në pushtet, në kohën kur ekziston një interes tjetër politik më i madh, se sa ardhja e tyre në pushtet.

Nuk është koha për të  menduar për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës ndërkohë që  rrezikun më të madh për interes e Kosovës po paraqet presidenti Thaqi, i cili mjeshtërisht po  shfrytëzon  kacafytjet e partive politike për pushtet, për t’i shtyrë tutje agjendat e tija personale, të cilat   janë të gatuar  jashtë Kosovës dhe sipas recetës  ruse-serbe.

Disa parti politike  në Kuvendin e Kosovës  po mendojnë, apo edhe e  kanë menduar, që duke heshtur dhe duke mos vepruar për ta ndalur presidentin Thaçi në zhvillimin e bisedimeve  me Serbin, ta heqin barrën e zgjidhjes së çështjes së veriut të Kosovës, duke ia lënë  duart e  lira Thaçit që ta zgjedh sipas  mënyrës së tij.

Kështu që ma vonë këto parti politika të kenë argumente për ta akuzuar Thaçin se, nuk e ka zgjidh drejtë çështjen e veriut të Kosovës dhe e ka dëmtuar interesin e Kosovës në bisedime.

Kjo mënyrë e sjelljes së përfaqësuesve të popullit dhe partive parlamentare është qyqarllëk. Është sjellje më e ulët njerëzore. Të mbyllësh sytë  para rrezikut që i  kanoset shtetit dhe qytetarëve, është  dezertim nga akti i daljes zotë vendit tënd, popullit tënd. Është tradhti  e akëcilit deputet të Kosovës nëse nuk vepron për ta ndalur Thaçin, sepse do të  shkelin betimin e dhënë publik në kohën kur e ka marr detyrën, dhe kur është zotuar se: Do ta mbroj kushtetutën, shtetin dhe interesin e qytetarëve.

Të heshtësh në kohën kur duhet ngritur zërin dhe të veprosh, është pajtim me nënshtrimin.

Heshtja e përfaqësuesve të popullit para aventurave të rrezikshme të presidentit Thaçi  është krim politik, deputet!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat