Një këmbanë që bie për të gjallët…

Opinione

Një këmbanë që bie për të gjallët…

Nga: Gëzim Loka Më: 28 gusht 2018 Në ora: 14:59
Gëzim Loka

Shoqëria shqiptare po përballet çdo ditë e më egër me botën e krimit, e cila tashmë jo vetëm që i ka sofistikuar sjellet kriminale dhe mjetet kriminale, por ka bërë para të madhe, zotëron aksesorë teknolgjikë dhe praktikë të frikshme, duke kërcënuar kështu realisht rendin qytetar në vend. Rritja e përmasave të krimit në raport të drejtë me ecjen e Shqipërisë në rrugën e një demokracie të brishtë dhe mjaft problematike, është një këmbanë alarmi që duhet të na alarmojë të gjithëve në këtë vend. Skenat dramatike dhe tragjike të përcjella sot nëpër kronikat e trishta televizive, për familje të përfshira në konflikte të gjithëfarëshme, ku nuk mungojnë aktet e gjakmarrjes dhe haklmarrjes, është një kambanë alarmi për vetëdijen e topitur qytetare dhe shoqërore. Kjo kambanë bie për shtetin, për institucionet, për ligjin e neglizhuar, për drejtësinë e korruptuar, për mungesën e progresistëve dhe idealistëve.

Në kohën e funksionimit të shtetit, qoftë dhe një funksionim i mangët e me një problematikë të mprehtë si ky i yni, nuk duhet të ekzistonin konflikte të hapura, të njohura nga policia, të cilat janë eksplozivë në miniaturë, tentativa të deklaruara hakmarrjeje dhe gjakmarrjeje, vatra të krimeve të paralajmëruara. Është tashmë fakt I konfirmuar se periudha tranzitive në Shqipëri, përveç zgjimit të energjive dhe resurseve të fjetura, të ndrydhura apo të keqpërdorura dikur të individit shqiptar, riaktivizoi të gjitha negativitetet e traditës, që iu kanë shërbyer dhe iu shërbejnë grupimeve të caktuara sociale dhe klaneve të aferave të ndryshme, për të mbijetuar në errësirën e botës së krimit dhe të devijimeve të tjera të arketipit social. Starti i lirisë në Shqipëri u projektua dhe funksionoi si start i më të “fortëve”, jashtë të gjitha skemave, formulimeve dhe rregullave institucionale, kodeve morale dhe atyre shpirtërore, që kanë në themel demokracinë e brendshme të individit dhe të shoqërisë, të vetëdijshëm për atë se çfarë kërkojnë të bëjnë në një stad të caktuar të mbijetesës së tyre. Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka njëzet e tetë vjet që tenton të përgjunj ligjin dhe të drejtën në këtë vend, duke tentuar që të përshtasë kostumin kanunor të traditës, këtë relikte që ka vetëm vlera muzeale, – dhe shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e kanunit me çdo kusht, – sipas qepjes së re të mafies. Vrasjet në seri, që po mbajnë peng familje të tëra, individë të implikuar në zejet e krimit të të gjitha spektreve e ngjyrave, por edhe njerëz të pafajshëm, që ndëshkohen vetëm për lidhjet e gjakut me të inkriminuarit, duke e zhytur atë në pellgun e ndotur të instinkteve barbare, po shndërrohen në një normalitet të sëmurë në këtë vend, amullisë dhe katrahurës së të cilit, nuk po i duket fundi askund.

Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion “larje hesapesh”.Rasti i të riut nga Lezha Viktor Llesh Ndreca, i datëlindjes 25/07/1993, ish menaxher në një bar piceri në Lezhë, që për një fjalë goje konfliktohet me K. Vukaj, me precedentë kriminalë, një person të rrezikshëm, duke sjellë me vete pasojat e një presioni të egër dhe dhune psikike e fizike, me rrezikshmëri të lartë për jetën, është pjesë e një fakti kokëfortë, që vatrat e konflikteve në dukje “të vogla” mund të avragojnë me shpejtësi dhe të kthehen në eksplozione të egra kriminale. Më 19/05/2018, rreth orës 12 e 30 minuta, Viktor Ndreca kërcënohet nga K.V me jetë dhe se do t’i vrasë vajzën e tij Esterin, gjë që e ka irrituar Viktorin dhe ai e ka goditur agresorin provokues. Po atë ditë, kur po kthehej nga puna, në orën tre të natës, Viktorit i ka ndaluar te këmbët një makinë tip benz, pa targa, nga ku kanë dalë pesë persona të armatosur me pistoleta dhe dhe thika dhe si persona të lidhur me krimin e organizuar dhe mafien, pasi e kanë kërcënuar me jetën e tij dhe të familjes, i kanë vënë Viktorit gjobë 10 milion lekë.

Këta persona, si kontigjent i botës së krimit, njihen si “delja e zezë”në Lezhë dhe herë pas here kanë rënë në duart e policisë, por ia kanë dalë t’iu mbijetojnë masave të organeve gjyqësore, që siç dihet janë ende me problem në këtë vend. E vërteta është se Viktor Ndreca, edhe më tej, ka vazhduar të kërcënohet e të jetë nën presion e dhunë të këtyre grupeve kriminale, duke u ndier i pasigurtë dhe i traumatizuar për jetënë e tij dhe të familjes. Krimi po bëhet gjithnjë e më shqetësues në Shqipëri, duke vënë në përdorim gjithë aresnalin e mjeteve të tij në hije kundër lirive dhe të drejtave të njerëzve të thjeshtë të këtij vendi. Mirë që shteti dhe institucionet e tij nuk funksionojnë siç duhet, po ku janë idealistët që nuk duken askund? Individë të kriminalizuar, grupe kriminale dhe banda të strukturuara në mënyrë krimianale, jo vetëm që nuk janë asgjesuar, por vazhdojnë të rriten dhe fuqizohen përditë, duke u bërë një rrezik serioz për jetën e qytetarëve, për pronat dhe biznesnin e tyre, për rendin dhe stabilitetin e këtij vendi.  Shoqëria shqiptare jeton periudhën e një krize vertikale, ku janë mpleksur të gjitha rrethanat e disfavorshme të një tranzicioni të çuditshëm, që po shtyhet në kalendat mitike të fqinjëve tanë të Jugut, por dhe shansin e fundit për të dalë nga tuneli i errët, ku duan ta mbajnë të mbërthyer vendin mafia dhe protagonistët me “jaka të bardha”.

Baronët e krimit, hakmarrjes dhe gjakmarrjes kanë kthyer vendin e shqiponjave në një tokë të rivalitetit të botës së keqbërjes, hashashit dhe krimit, duke e zhvendosur ofertën e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në kalendat greke. Bota e krimit ordiner dhe atij të organizuar lyp që t’i vesh krimit kostumin e traditës, një kostum moderniteti, por ky kostum i rri atij aq ngushtë, sa çdo përpjekje e tyre në këtë drejtim duket absurde dhe groteske. Si pasojë e gjithë kësaj, krimi, hakmarrja dhe gjakmarrja në disa treva shqiptare ndodhin me një përpikmëri logaritmike, si vdekje të paralajmëruara nga bota e krimit dhe të pandëshkuara nga institucionet e shtetit dhe të së drejtës. Shoqëria shqiptare, tejet e lodhur nga kjo histori, veçanërisht familjet e përndjekura nga hijet e frikës së ndëshkimit dhe hakmarrjes, familjet në gjak dhe të ngujuara nga frika e krimit, apelon që më në fund të bllokohet nga shteti ky dimension antishoqëror me pasoja të rënda sociale, ekonomike e humane, të ndërpritet ky makth keqbërje e krimi pa alibi, që po e çon Shqipërinë vite të tëra pas në hartën e vendeve të sigurisë, të ndërpritet kjo aferë vdekjeje që kërcënon çdo ditë e me një agresivitet të rëndë rendin dhe stabilitetin qytetarKa ardhur koha që jo vetëm strukturat e policisë dhe organet e drejtësisë, institucionet e antikrimit, por gjithë shoqëria të ngrihet në këmbë dhe të përballet me këtë dimension të frikshëm, sa nuk është vonë, me qëllim që t’i këputen hallkat këtij oktopodi kriminal.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat