Çfarë kërkonin gjermanët në Kuvendin e fretërve?

Opinione

Çfarë kërkonin gjermanët në Kuvendin e fretërve?

Nga: Gani Mehmetaj Më: 29 gusht 2018 Në ora: 07:16
Gani Mehmetaj

Gjysma e qytetit e dinin se oficeri  gjerman, a austriak, nuk merrej vesh, e kërkoi disa herë në Kuvendin e Françeskanëve fratin që dergjej në karrigen e torturave në një birucë të Shkodrës. Dhe ata ia përsërisnin raportin sesi trupat e motorizuar gjermane u  futën në Shkodër nga Mali i Zi. I thanë që e dinin kur një oficer me dy ushtarë me trerrotëshin gjerman u ndalën para dyerve të rrethojës së Kuvendit.

 -Çfarë  kërkonin gjermanët në Kuvendin e fretërve? - Prifti rrudhte supet.

- Majori e kërkoi edhe të nesërmen, por ai  u zhduk.

 Hetuesi e dinte se tri herë e kërkoi majori gjerman, tri herë mori përgjigje të njëjtë: padër Gjergji nuk ishte kthyer, me t’u kthyer do t’ia jepnin porosinë. Heshtja ishte torturuese.

“Takimi i dytë, do të qe fatal”, thoshin nëpër qytet, pa e kuptuar arsyen e kësaj që e thoshin, ashtu sikurse nuk e kuptonin pse e kërkonte majori me aq këmbëngulje.

Prifti s’dinte ç’të shtonte për majorin që nuk e takoi. S’dinte në fakt as ç’kërkonin hetuesit nga ai. Një herë ia përmendnin gërmimet e një varri në Lezhë, pastaj flisnin për një përbetim të priftërinjve. Ata qeshnin me cinizëm, kur ai e mohonte takimin me majorin. Gjymtyrët i dridheshin. Me buzët e çara e zërin që nuk i vinte deri në grykë, e pati të vështirë të fliste edhe sikur të donte.

Turbullt e mbante në mend togerin e Luftës së Parë që gërmoi disa muaj në Lezhë. Dëgjoi nga të tjerët se në luftën e fundit ish-togeri, i avancuar në major, nuk bëri ekspedita arkeologjike, më shumë bridhte në kërkim të veprave antike, natyrisht kryevarrin nuk e harroi asnjëherë. Pyeste rreth e rrotull. Gërmoi përgjatë bregdetit.

Atë Gjergjit i vinte keq që austriaku nga arkeologu i pasionuar u shndërrua në aventurier vjetërsirash. Këto vlerësime për austriakun me uniformë gjermani i tha në hetuesi që në fillim, por ata nuk u kënaqën, kërkonin diçka tjetër, donin më shumë: takime, letërkëmbime, materiale të bartura në Vatikan, darka të fshehta, kërkonin Juden, ndërsa nuk dinin ta thoshin në këtë mënyrë, megjithëse ashtu e kishin menduar në projektin e tyre të përbetimit.

Ata u fiksuan në komplote. Propaganda partizane vlonte nga komplotet. Dikur nisën t’ia përmendnin kapiten Stipen, kroatin, që ai e kishte njohur në të njëjtën kohë me ushtarakun austriak. E mohoi ta ketë parë më, nuk dinte ku ishte e çfarë kishte bërë gjatë luftës së fundit. E kujtonte me dashamirësi këtë djalosh të qetë e të bëshëm, besimtar të devotshëm, tetar Stipen.   

Frati përmendej nga këto imazhe vetëm kur i ndiente goditjet e grushtit. Inspektori i ardhur enkas nga Beogradi sillej vërdallë me hidhërim e i acaruar. Ezmeri i majmur shpresoi se do të mbaronte punë shpejt e do të kthehej në kryeqytetin e tij. Në Shkodër e mbyste vapa. Shikimet bridhnin sa te njëri te tjetri: prifti me sy gati të shuar, ai i paduruar.

Fratit i bëhej se edhe këtë inspektor e pa para disa vjetësh: në Pejë, Gjakovë a Shkodër, nuk e gjente dot. Një  përftim i sinjalizoi se e pa në fillim të luftës. I kujtohej nëpër mjegull kur e kapën rugovasit, duke kaluar në Mal të Zi. Një ezmer ishte qenie e rrallë në Rugovë, binte në sy me të parën.  Frati ia shpëtoi jetën. I thanë është hafije, por frati nuk e pranonte vetëgjyqësinë as linçin si metodë. Rugovasit e lanë të ikte në Andrijevicë të Malit të Zi. Partizani dikur i fshehur prapa veshjes rugovase ishte plotësuar. Po ajo fytyrë me flokë të yndyrshëm të zinj, po ai zë paksa i çjerrë. Ai e dinte për serb a malazez, inspektori shqiptar i drejtohej me “shoku jugosllav”.

Pastaj vazhdonte seanca e pafundme me pyetjet e njëjta: çka dinte ai për varrin e Skënderbeut? “Çka i tregoi oficerit gjerman? Ku i fshehën austriakët eshtrat e tij? Një kohë të gjatë gërmuan në Lezhë, apo jo?”, pyeste hetuesi rrondokop pa e pritur përgjigjen.

-Gjermanët u panë përgjatë mureve të kështjellës së Krujës, -vazhdonte ai, thuajse prifti duhej të jepte përgjegjësi për ta. Frati përpiqej t’u tregonte se nuk dinte çka gjetën. Ata nuk i tregonin askujt.

Nisnin nga pyetjet tjera. -Çka i lidhte me majorin gjerman?

“Asgjë, pos bisedave për antikën e mesjetën, për gjetjet arkeologjike dhe për historinë e shqiptarëve”.

Por këto nuk ua thoshte, buzët nuk i lëviznin. Kjo njohje i takonte kohës së Luftës së Madhe.       

Kur ia vunë përballë majorin gjerman, frati nuk arriti të shprehte habi. I mungonte forca për çfarëdo emocioni. Major Hansit të lodhur e të torturuar s’i kishte mbetur asgjë nga djaloshi i dikurshëm kokorosh. Ishte thinjur në tëmtha, ishte rënduar në lëvizje, kishte mbetur kockë e lëkurë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat