Himara, Dhërmiu me bregun e Jonit u populluan nga garda mbretërore e Gjergj Kastriotit

Opinione

Himara, Dhërmiu me bregun e Jonit u populluan nga garda mbretërore e Gjergj Kastriotit

Nga: Gani Mehmetaj Më: 3 shtator 2018 Në ora: 07:45
Gani Mehmetaj

Pasi e ridëgjoi dëshminë e plakut Zef, Lekë Drini përsiaste: Po sikur dyshimi i atë Shtjefnit të këtë mbështetje? Ai hulumtoi një kohë të gjatë, mblodhi kanunin, dëgjoi legjenda të panumërta për Gjergj Kastriotin, mori shënime për ushtarët e tij që u tërhoqën drejt jugut, prapa majave të Llogorasë. Pastaj i kujtohej nga kronikat italiane se si princi i Kastriotëve me kalorësit arbërorë, thuhej se bëri disa zbarkime në Himarë, në përpjekjen për të nxitur kryengritjen.

Himara, Dhërmiu me bregun e Jonit u populluan nga garda mbretërore e Gjergj Kastriotit, pasi zoti i tyre vdiq. Asnjëherë nuk arriti këmbë turku të shkelte në këto toka, megjithëse në Vlorë turqit e forcuan Pasha Limanin që i kërcënonte. Arbërorët e qeverisën veten me zakonet e tyre. 

“Athua ishte këtu çelësi i fshehtësisë së madhe?” Pyetja i doli vetvetiu.  

Letra e atë Shtjefën Gjeçovit, drejtuar Ipeshkvisë, e cyti atë Gjergjin në fillim të Luftës së Parë të mbante ditar dhe të hulumtonte kronikat e vjetra. Prapë i kthehej motit të madh. Një pjesë e krutanëve me dibranët e mirditorët u tërhoqën në jug. Të kenë marrë me vete shenjat e Gjergj Kastriotit? Ta kenë fshehur diku në shkëmbinjtë e bregut të detit varrin e mbretit të arbërorëve?

Ndërsa e kalonte nëpër kokë ditarin e atë Gjergjit, arkeologu sikur u gjallërua për një ide, e cila nuk e linte të qetë. Pse të mos i kërkonte shenjat e varrit në një vend tjetër. Për varrin më të fshehtë e më të famshëm në Gadishullin Ilirik ishin përpjekur aq shumë njerëz e ekipe gjatë pesëqind vjetësh. Pse të mos e krihte gjithë bregdetin Jon me një ekspeditë arkeologjike. Apo nuk kishte aq shumë legjenda për Gjergj Kastriotin në bregdetin Jon si në asnjë vis tjetër të Arbërisë?

 Një herë u rrëqeth, ndërsa e çonte nëpër mend historinë e dhimbshme. Pastaj befas ideja për hulumtimin e varrit iu duk aventurë e marrë, fëmijërore, e parealizueshme, diçka që s’ta kapte mendja. Dikur sesi i zbutej largësia në mes të asaj që i dukej e parealizueshme dhe idesë së hulumtimeve.

Si do t’ia fillonte? Do ta shpallte publikisht se arkeologu Lekë Drini, gati në fund të karrierës profesionale, do të niste ekspeditën më të rëndësishme arkeologjike të jetës së vet. Do të bënte hulumtimin e varrit, të cilin nuk e gjetën asnjëherë ekipe, individë e aventuristë nga shumë shtete të fuqishme. Do të hapte  kodërvarre, do të kërkonte nëpër shpella shkëmbore, buzë detit, do të konsultonte edhe një herë legjendat e vendit. Nuk do t’ia falte vetes, po nuk e provoi. Ideja qysh tash e shqetësonte. Netët e dimrit do të zgjateshin deri në pambarim, derisa të niste pranvera, stina e fillimit të gërmimeve.

Një shenjë e kishte. Dikur e mësoi kalimthi se u fol për një kafkë të gjetur, u tha se është e kryeheroit, pastaj çuditërisht atë gjetje e mbuloi tisi i fshehtësisë, nuk u fol asgjë më shumë, as nuk u demantua. Të jetë e vërtetë? Apo ishte eufori e një veprimtarie më të madhe, që u ndal në gjysmë të rrugës.

Asnjëherë nuk e mori vesh sesi u fsheh ai raport dhe pse u hesht me po aq shpejtësi. Kjo  ia ndryshoi jetën, sepse dy shefat më të vjetër e ftuan të dilte me ta në terren për të hulumtuar periudhën e Skënderbeut, megjithëse ai ishte i specializuar për antikën.

Me vite hulumtoi në Veri, shfletoi e lexoi çdo gjë që kishte të bënte me këtë kohë, por asnjëherë nuk e qartësuan: ishte heroi i tyre në varrin ku iu bënë ceremonitë mortore, apo gjetiu? Kështjellës së Lezhës i ranë trup e tërthor, hulumtuan në qytetin e vjetër, bënë hamendësime nga më të ndryshmet, por ashtu sikurse pesëqind vjet më parë nuk arritën t’i bien në gjurmë varrit. Atëbotë pati hamendësime se eshtrat e tij u bartën në ethet e shpërnguljeve të mëdha në Itali.

Prandaj kërkoi të shkonte e të gjurmonte në ngulimet e arbëreshëve, në arkivat e Vatikanit. Mirëpo, propozimi i tij doli në kohë të papërshtatshme, i thanë në Komitet. Ai e dinte se ato ditë nisi vala e dytë e spastrimeve brenda llojit, kështu që kërkesa për udhëtim jashtë shtetit, u shikua me dyshim dhe u hodh poshtë.

“Nuk kemi nevojë të kërkojmë nishanet e heroit tonë në shtetet kapitaliste”, i tha  një zyrtar i lartë. Me kaq u mbyll ai kapitull, por nuk u mbyll interesimi i tij që të vazhdonte hulumtimet. Ai zjarr rrinte i mbuluar si gaca në hi. 

Ishte zemërthyerje të mbyllej ky kapitull me një përmbledhje kronikash, por ishte tundim, të niste ekspeditë arkeologjike që do ta trondiste vendin. Sytë i nxorën xixa, faqet iu skuqën, trupi nisi t’i dridhej nga emocionet. Iu bë se ishte ende i ri, si atëherë para tridhjetë vjetësh, kur ia nisën ethet e para të fillimit të hulumtimeve, por që i thanë se duhej t’i ndërpriste, sepse ishte aventurë e madhe, e parealizueshme. S’kishe ç’kërkoje në vendet, ku tashmë ishte hulumtuar.

Po në vendet ku nuk u hulumtua? A kishte të drejtë arkeologu ushtarak Hans, kur nisi hulumtimet në Krujë? Po dyshimet e atë Shtjefnit, françeskanit erudit që mendonte apo e dinte se varri ishte diku tjetër?  

Me këto mëdyshje e priste zgjimin e ditës së re mbi tryezën e punës.  

Fund

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat