“Jo shkëmbim territoresh, por korrigjim kufijsh”

Opinione

“Jo shkëmbim territoresh, por korrigjim kufijsh”

Nga: Gjon Buçaj Më: 3 shtator 2018 Në ora: 14:22
Hashim Thaçi

Në lidhje me ndryshimin e kufijvet, si bazë për nji marrëveshje të përgjithshme në mes Kosovës e Sërbisë, asht thanë e shkrue pothuejse gjithçka deri tash, me deklarata e komente nga të gjitha anët.

Ajo që ka ba bujë në javët e fundit, asht deklarata e Hashim Thaçit, presidentit aktual të Kosovës, se ai, në emën të Kosovës, asht dakordue dhe do të kërkojë “korrigjimin e kufijve” të Kosovës me Sërbinë, që kështu Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Por kjo ka shkaktue shqetsim te çarqet e hueja përendimore që nuk duen ndryshim kufijsh, dhe  shqiptarët janë alarmue sepse fjalët e Thaçit janë kuptue si shëndrrim territoresh, që do të thotë se Mitrovica Veriore do t’i kalojë Serbisë.

Por Zoti Thaçi, në deklarata dhe intervista të mavonëshme, ka ngulë kamë disa herë, se nuk asht fjala për shkëmbim tokash, por vetëm “korrigjim kufijsh”, për t’i bashkue Kosovës Preshevën, Bujanocin e Medvegjën, me shumicën e banorëve shqiptare. Këto fjalë janë muzikë për veshët tanë, por a shprehin nji të vërtetë? Kjo do të thotë se Serbia, megjithë Vuçiqat, ka ndryshue papritmas, asht ba paqësore, nuk asht ma agresive siç ka qenë prej se kanë ardhë serbët në Ballkan para njimijë vjetëve, asht pendue dhe do të kërkojë falje për tragjeditë që u ka shkaktue sidomos shqiptarëvet por edhe të tjerëvet, së shpejti do të sjelli me përvujtni eshnat e shqiptarëve të zhdukunve në masakrën e fundit, në arkivole të stolisun me lule, e të tjera gjeste të denja për nji komb të civilizuem. Mjerisht, këto nuk janë të besueshme. Thaçi nuk e ka spjegue se çka i ka premtue Vuçiqit për këtë trevë shqiptare. Vuçiqi në duet me Thaçin, në këto kohët e fundit, po e shtynë me forcë arrijtjen e marrëveshjes me Kosovën, sigurisht jo vetëm për të dhanë Luginën e Preshvës, që do të ishte e drejtë, pse ajo trevë ishte pjesë e Kosovës deri në vitet 50ta, kur Serbia e ka shkëputë ilegalisht nga kufini i saj origjinal.  

Mungesa e spjegimit mbi domethanjen e terminit “korrigjim kufijsh” nga ana e presidentit Thaçi, ka lanë shtek për dyshime të forta te shqiptarët e te të huejt, sepse kush e njeh realitetin serb, beson se ka diçka tjetër mbas këtij “korrigjimi”që të jetë i pranueshëm për palën serbe. Me këtë dyshim, Thaçi ka shkaktue reagime nga shqiptarët dhe nga ndërkombëtarët, si dhe nga Kisha Serbe, e cila e don këthimin e Kosovës nën Serbi me kujfij të paprekun, por për tash do të pajtohej edhe me nji autonomi të serbëve, që do të krijonte shtet mbrenda shtetit të Kosovës.

Përfaqësuesa të naltë të qeverive perëndimore e kanë kundërshtue ndryshimin e kufijvet kryesisht për shkak se do të hapej rruga për probleme kufijsh të tjerë (Kutia e Pandorës), sidomos në rajonin e Ballkanit, i cili do të destabilizohej me pasoja të rrezikshme. Destabilizimi i rajonit i shkon për shtat vetëm Rusisë për me shtri aty influencën e vet, prandej qëndrimi i saj ka qenë dhe mbetet i favorshëm për ndryshim kufijsh.

Reagimet shqiptare kundër qëllimit të Thaçit për prekjen e kufijve, në Kosovë e në viset tjera dhe në diasporë, kanë qenë të shpejta dhe të kjarta, në disa raste edhe shumë të ashpra, tue shkue aq larg sa t’a quejnë trathti kombëtare.

Thaçi dhe Vuçiqi trumbetojnë me të madhe se ka ardhë koha për nji marrëveshje historike  për hir të paqës në Ballkan dhe për të hapë rrugën e intergrimin euroatlantik për të dy vendeve, se rasti i Kosovës nuk paqsoja për vende të tjera, thanë me fjalë të tjera: “na po duem me ba paqë dhe me zgjidhë përfundimisht problemet tona, ju pse na pengoni?” Kjo ka ba njifarë efekti që shihet në zbutjen e tonit kundërshtues në disa raste: në se merren vesh Kosovë e Serbi, nuk i pengojmë! Me fjalë të tjera, për palën shqiptare asht si me thanë: në se don me ba vetëvrasje, nuk të ndalojmë”.

Për Kosovën po afrohet nji moment kritik që lypë veprim, por ajo ka nji Kushtetutë dhe ka nji Parlament. Në Seancën e Jashtëzakonshme që parashihet të mblidhet para 7 shtatorit, Parlamentit i duhet me marrë vendime të domosdoshme në lidhje me negocatat me Serbinë, tue pasë parasyshë se:duhet respektue Kushtetuta në fuqi;

Nuk mund ndërrohet nji tokë shqiptare me nji tjetër tokë shqiptare;

Në veri të lumit Ibër ndodhet Trepça, burim pasunije, si dhe liqeni i Gazivodës, burim jete por edhe pikë me randësi strategjike për sigurinë e Kosovës;
Për negociatat me Serbinë duhet të konsultohet nji grup ekspertësh të provuem (që Kosovës nuk i mungojmë);

Shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të gëzojnë, së paku, të njajtat të drejta, reciprokisht, si serbët e Kosovës;

Serbët e Kosovës i kanë të sigurueme me Kushtetutë të drejtat e barabarta si qytetarët tjerë, por ata nuk mund të kenë autonmi, pse janë të ardhun dhe jetojnë në tokën e Kosovës. Shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë ma shumë të drejtë për autonomi, pse ata jetojnë në tokën e tyne autoktone nën Serbi;
Shteti i Kosovës duhet të kujdeset për shqiptarët e Luginës që të gëzojnë të drejtat që u përkasin dhe t’i ndimojë të krijojnë kushte jetese në vendin e tyne;
Nuk duhet përshpejtue procesin e integrimin në Europë, tue damtue interesat afatgjata kombëtare;

Serbia nuk e ka zbardhë ende fatin e ma shumë se 1600 personave të zhdukun; Populli i Kosovës ka dhanë shembuj guximi e sakrifice dhe mençunije në rrugën tragjike por të lavdishme drejt Lirisë. Le të kemi besim se do të dali faqebardhë edhe në përballimin me këtë sfidë dhe me vështirësina tjera që ka me ndeshë në rrugën e konsolidimit të ardhmenisë së saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat