Letër Ambasadoreve te "Quintit"

Opinione

Letër Ambasadoreve te "Quintit"

Nga: Ismet Hamiti Më: 3 shtator 2018 Në ora: 22:00
Ismet Hamiti

Për dijeni: Kryeministrit, Ministrit të punëve te jashtme, Prokurorit të shtetit, Kryeprokurorit të prkurorisë speciale dhe Ministrit për zhvillim ekonomik

I nderuar Ambasador  (Delawie, Heldt, O'Connell, Chabert, Sardi)

Ne vijim të letrës së Kryeministrit të dërguar në adresën tuaj, vendosa të ju shkruaj për të ju sugjeruar vendosjen e sanksioneve për zyrtarët shtetëror që e kanë në dorë e nuk e ndërprenë një rast real, ekzistues të plaçkitjes se fondeve publike.

Në letrën e tij Kryeministri ka shkruar gjerësisht për të ju bindur se ai personalisht i ka dhënë “mbështetje të pakusht” prokurorisë në rastin e “Veteranëve të luftës”, në pajtim me zbatimin e sundimit të ligjit, që, siç thotë, është objektiv me përparësi të lartë për Qeverinë. Ai pohon se prokurorit i ka “dhënë qasje të lirë … në arkivat”, ka siguruar që asnjë zyrtar i zyrës së tij të mos jetë i pranishëm “gjatë hetimeve”, ka lejuar vendosjen e kamerave të sigurisë, bile edhe ndërrimin e drynit të hapësirës ku ndodhen dokumentet e arkivuara dhe ka kërkuar që raporti për të gjeturat në këto hapësira t’i  jepet zyrës së tij.

Shumëkush mendon se sundimi i ligjit nënkupton që Kryeministri nuk është ai që i jep “mbështetje të pakusht” një prokurori, që “jep qasje në arkiva” ose që “lejon diçka” dhe në asnjë rast nuk kërkon raport për të gjeturat e hetimit. Në këtë rast e në çdo rast tjetër hetimi, Kryeministri thjeshtë zbaton kërkesat e ligjshme të prokurorisë dhe përmbahet nga komentet publike të çfarëdo lloji, sidomos të atyre fyese dhe poshtëruese për prokurorët. 

Është e çartë se Kryeministri e kupton sundimin e ligjit ndryshe nga shumëkush tjetër.

Në këtë vend ka korrupsion endemik, krim të organizuar të pa sfiduar, abuzim të shfrenuar të fondeve publike dhe llogaridhënie jo ekzistuese. Si rezultat, ka varfëri të madhe, papunësi të lartë dhe humbje totale shprese e popullatës për një të ardhme më të mirë. Aq shumë është humbur shpresa se që 48% e popullatës do të lëshonin këtë vend përgjithmonë sikur t’iu jepej rasti. Përkundër kësaj gjendje, Kryeministri në letrën e tij betohet sa ai është i përkushtuar për zbatimin e sundimit të ligjit në këtë vend.

Përsëri, duket se Kryeministri e kupton paksa më ndryshe se shumëkush tjetër kuptimin e të qenit i përkushtuar.

Ka shumë raste ku Kryeministri mund të dëshmojë përkushtimin e tij ndaj sundimit të ligjit, por unë do ta propozoj një rast që është i lehët për të për ta zgjedhur. Ky është rasti i kontratës së PTK me Z-Mobile, përmes së cilës së paku 21 milion ne vjet i të hyrave të operatorit mobil, në pronësi publike, Vala, plaçkiten deri sa po flasim.

Kryeministri ka në dispozicion disa opsione të lehta për ndërprerjen e kësaj plaçkitje, nëse vërtetë dëshiron.

Së pari, Qeveria zotëron 100% të aksioneve të Valës dhe krejt çka duhet të bëjë Kryeministri par ta ndalur  plaçkitjen, është të urdhëroj z. Valdrin Lluka, Ministrin e tij për zhvillim ekonomik, të suspendojë këtë kontratë menjëherë.  Z. Lluka e ka obligim të veprojë edhe pa marrë urdhër nga Kryeministri sepse, si ish i punësuar i Z-Mobile që është, ai e njeh intimisht natyrën e dëmshme të kësaj kontrate për interesin publik. Së dyti Kryeministri mund ta të suspendojë këtë kontratë nëpërmjet linjës partiake, sepse Drejtori Menaxhues aktual dhe bordi i PTK-se vijnë nga partia e tij. Dhe e së fundi, rezoluta e Parlamenti e datës 12 korrik 2018 në mënyrë eksplicite e obligon Qeverinë të suspendojë këtë kontratë të dëmshme, urgjentisht, për të zgjedhur krizën aktuale në Telekom.

Pra Kryeministri nuk ka asnjë pengesë për ta ndalur këtë plaçkitje nëse ka dëshirë.

Janë edhe dy zyrtarë tjerë që të mund ta kishin ndërprerë këtë plaçkitje, por nuk e kanë bërë: Prokurori i shtetit Aleksandër Lumezi dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Reshat Millaku.

Unë e kam ndjekur këtë skemë plaçkitje për më se 11 vjet, që nga shfaqja e saj publike me 30 mars 2007. Kam shkruar për të, kam folur për të publikisht dhe e kam paraqitur atë tek autoritetet edhe para se te bëhet aktive. Pas nënshkrimit të kësaj kontrate, unë kam vazhduar me shpjegimin e natyrës së saj kriminale sa herë që më është dhënë rasti. Njëkohësisht e kam paraqitur te Zyra për mbikëqyrje të brendshme të OKB (OIOS), më vonë në EULEX dhe në dhjetor të vitit 2016 edhe te Prokurori i Shtetit Aleksandër Lumezi.

Prokuroria asnjëherë nuk e trajtoi  këtë rast në tërësinë e tij, por vetëm u muar me segmente të shkëputura të tij, edhe pse ky është shembull shkollor i krimit të organizuar, lehtësisht i provueshëm, me përfshirje të një numri të konsiderueshëm individësh, të gjithë të njohur për Prokurorinë, me emër e mbiemër. Po, disa individë u sollën para gjyqit dhe (befasi!) u shpallën të pafajshëm dhe ,po, disa individë tjerë mund të sillen para gjyqit, (kohët e fundit është ngritur aktakuze nga Prokuroria Speciale për një segment tjetër të këtij krimi), vetëm për tu shpallur më vonë të pafajshëm, por e gjithë kjo ka vetëm e vetëm një qëllim: të sigurohet vazhdimi i plaçkitjes dhe amnestimin e të gjithë individëve të përfshirë në të.    

Prokuroria sillet kështu sepse fuqia e vërtetë në këtë vend është në duar të njerëzve që janë përfitues te kësaj plaçkitje dhe që janë mbi ligjin.

Po, situata nuk është aspak për ta lavdëruar, dhe vërtetë shumë brengosëse, por do të ishte e padrejtë dhe kundër-produktive, t’i mohohet bile as t’i vonohet lëvizja pa viza një popullate të tërë. Në vend të kësaj do të ishte shumë më me vend të fillohet me sanksionimin e zyrtarëve që nuk luftojnë krimin, personalisht.

Në këtë rast do të ishte shumë me vend të fillohet me refuzimin ose me revokimin e vizës z. Lluka, z. Lumezi dhe z. Millaku, si sinjal të mospajtimin tuaj me sjelljen e tyre ndaj këtij rasti plaçkitjeje të fondeve publike, me mundësi aplikimi të sanksioneve edhe më të rënda në të ardhmen, siç janë ndërprerja e komunikimit zyrtar me ta deri te  ngrirja e pasurisë së tyre, nëse vazhdojnë në këtë rrugë. 

Jam i sigurt se këto masa do të përshëndeteshin nga gjithë popullata dhe do të ishin vërejtje  serioze për të gjithë individët tjerë, shtetërorë e partiak, mbështetës të korrupsionit dhe të krimit, se masa të tilla do të ndërmerren edhe ndaj tyre.

Unë ju falënderohem për mirëkuptimin  dhe mbështetjen e vlefshme në këtë çështje, dhe mbetem, i nderuar Ambasador (Delawie, Heldt, O'Connell, Chabert, Sardi) ,

Juaji sinqerisht,

Autori është Profesionist i telekomunikacionit

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat