Koha është sot evropën ta sjellim në Shqipëri

Opinione

Koha është sot evropën ta sjellim në Shqipëri

Nga: Kalosh Çeliku Më: 6 shtator 2018 Në ora: 10:46
Kalosh Çeliku

Rrezik! Rrezik! Rrezik, bërtiti Rrahmani! Ujku na ra ndër dele?! Rrëfim i Abetares me të cilin u rritëm në bangat shkollore. Kohë e Rilindjes Shqiptare, kur ministër i arsimit asaj kohe ishte Ernest Koliqi. Edhe i hapi shkollat e para në gjuhën shqipe duke i mbuluar të gjitha Trojet Etnike Shqiptare me mësuesë vullnetar shqiptar. Por, siç duket, asgjë nuk mësuam edhe sot e kësaj dite nga ai fragment i Abetares. 

Rezikun, sot e kemi pas dere. E, për çudi në Ditën e Sotshme, askushi nuk i delë para Ujkut të mos na futet në vathë. Barinjtë i ndjellin qentë me zgjebe në kolibe duke ua hudhur një asht pas dere. Qentë, turr pas ashtit duke u mbytur me njëri-tjetrin në mes të rrugës. Agallarët me janxhëkun plot taxhi nëpër postet e Qeverisë, struken nëpër kabinete. Nuk i dalin para Rrezikut, nuk ia ndërsjenë qentë e Sharrit. Kopenë e deleve dhe deshët me këmborë t’i shpëtojnë nga Ujku delengrënës.

Edhe, sipas “korigjimit” të kufinjëve, shqiptarët gati të gjithë u çuan më këmbë kundër bashkimit të Trojeve Etnike Shqiptare. Veprime politike me të cilat habiten edhe vetë ndërkombëtarët. Evropa, edhe bota: Vërtetë, edhe ne si paqesorë nuk e dimë se çka duan shqiptarët?! Përçudi, siç duket ende përpiqen ta vazhdojnë jetën e tyre të coptuar me “vëllazërim-bashkim” në Ballkan. Përmëkeq, edhe shesin mend në mjetet e informacionit, para kamerave televizive: Secili, patriot më i madh se tjetri. Popull politikan dhe analistë politik, i cili nëpër këngët popullore dhe poezitë patetike gjoja janë për Bashkim Kombëtar dhe Shqipëri Etnike?!

Asnjëri nuk e vret mendjen, se: me këngë dhe çifteli, “tallava” dhe poezi patetike, nuk bëhet Shqipëria. Veprim historik, që siç duket sot këtij populli liridashës ende i mungon Vetëdija, politikani, intelektuali dhe udhëheqësi ideologjik shpirtëror. Vendin e atyre burrave, pranë oxhakut e kanë pushtuar kalorësit e arratisur politik.

 Popull i çuditshëm janë shqiptarët: Popull politikanë, analistë politik dhe shkrimtarë. U kënaqën me poste politike, mjete materiale, këngë me çifteli, valle dhe poezi patetike duke lëvduar njëri-tjertrin. Nateditë hidhen e përdridhen nëpër manifestime multikulturore dhe dasma famailjare duke shkrep allti para syve të policisë shtetit të “përbashkët”. I presin të vdekurit t’i çlirojnë nga robëria shekullore.

Vërtet, sot edhe u binda, se: ky popull i këndon Lirisë, por qanë për Robëri. Diktator të Ri, që sipas Fishtës ende s’po e gjen dot, t’i rrasi në burg si popull. Dhe, bindi shqiptarët, se: sot nuk kanë nevojë për popull politikan dhe analistë politik, por edhe për bujqër, barinj, rrobaqepës, teneqexhi, kovaçë, bojaxhi e tollumbaxhi…

Rrezikut të Rrahmanit, fragmentit të Abetares tri herë me radhë i besuan fshatarët, edhe i dolën Rrenës tij në ndihmë. Herën e tretë, kur Ujku vërtetë i ra ndër dele, nuk iu përgjigjë thirrjes së tij asnjë katundar. Ujku një dele rudë e hudhi mbi qafë. Dhentë tjera kope e ndoqën pas tek “Përroni i Thanës”, ku të gjitha i theri në fyt, edhe pse nuk ia nxente barku. I la “kasaphane” nën dardhat gorrice.

Përfundimi i fragmentit të Abetares: siç duket shqiptarët asgjë nuk kanë marrë mësim historik, po u kënaqën me “tallava” dhe poezi patetike. Arsye, që sot si kope e deleve shkojnë pas Ujkut. E, jo Luanit. Tigrit. Qengja, që edhe sot e kësaj dite i gjykon Ujku te lumi, se: ia turbullojnë ujin. Edhe pse, qengji pi ujë nën rrjedhën e lumit, nuk ka lindur vitin e kaluar, por kët vit. Atëherë, Ujku me një buzëqeshje ironike i përgjigjet: Nëse jo ti, Babai yt brirëpërdredhur ma ka turbulluar ujin tek lumi. Shkak, që: Bariu i zemëruar nga kjo ngjarje historike përmes një kënge popullore edhe hoqi dorë nga kopeja e deleve. Publikisht, u përgjigjë përmes valëve të Radio Shkupit: Dhentë e mia kush i do, se nuk jam më i zoti për to. E do loz me Miken- o.

Edhe filmi “artistik” i “vëllezërve” me skena të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare si përdhunues (2001), është një grep politik i radhës me një krimb i hudhur në lum për t’i kapur sot në befasi shqiptarët në prag të Referendumit (Marrëveshjes Prespës). Qesharak, është arsyetimi dhe distancimi nga filmi “artistik” skandaloz, se: në këtë përbërje nuk ka asnjë shqiptar, kur në film luajnë edhe aktorë shqiptar. Përmëkeq, kur maqedonasit dhe shqiptarët me vite ulen në një Qeveri dhe Kuvend edhe me prijës shqiptar. Përmes partive politike të vëllazëruara në pushtet, fatkeqësisht emërojnë anëtarë të jurive “artistike” publik dhe të fshehtë nëpër ministri dhe institucione të shtetit të “përbashkët”, që nuk kanë “haber” nga arti dhe kultura duke vazhduar ta nëpërkëmbin dhe sakatojnë kulturën shqiptare edhe më zi se në sistemin komunist.  

Aspak Dita e sotshme, nuk dallon nga montimet e kësaj natyre politike të Djeshme: Ngjarjet e Bit-Pazarit, Gostivarit, Sopotit, Monstra e “terrositët” e Kumanovës. E hudhën edhe një gur në lum para syve të ndërkombëtarëve, politikanëve, “analistëve” politik dhe intelektualëve të dalldisur shqiptar. Gur, që njëqind të mençur, sot nuk mund ta nxjerrin nga hurdha politike. Humbje kohe, me të cilën përsëri me këto montime politike - “artistike” duhet të merren shqiptarët, në vend të politikës madhore. “Vëllezërit” e Njerkës edhe kësaj radhe e hudhën gurin në lum duke fshehur dorën me të cilin haptas i provokuan shqiptarët. Pakashumë, i ngjajshëm me Enciklopedinë maqedonase. I gjason pak, edhe anekdotës të Nastradin Hoxhës, kur hajdutët ia kanë vjedhur jorganin. E, kur ai kthehet pas jorganit dhe nuk e gjen tek vendi, u përgjigjet kalimtarëve të rastit: E gjithë puna paska qenë për shkak të jorganit.

Përmëtepër, sot në Evropë nuk mund të shkohet pa shqiptarët me këto politikanë deledash të “vëllazërim-bashkimit”. Shqiptarët, moti kohë janë shpërngulur në Evropë dhe nëpër botë, që nga koha e Turqisë dhe Ish Jugosllavisë. Problemi është, sesi me këto politikanë dhe intelektualë teknefes, Evropën ta presim në Shtëpi.

Koha është sot, shqiptarët vetë të kthehen me familje në vendlindje! Dhe, Evropën e Bashkuar ta sjellin në Shqipëri…

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat