Serbia duhet ta pranojë Pakon e Ahtisaarit, që Kosova po e zbaton njëanshëm - Bota Sot
Serbia duhet ta pranojë Pakon e Ahtisaarit, që Kosova po e zbaton njëanshëm

Opinione

E diel, 21 tetor 2018

Serbia duhet ta pranojë Pakon e Ahtisaarit, që Kosova po e zbaton njëanshëm

Nga: Muhamet Hamiti Më: 17 shtator 2018 Në ora: 20:13
Muhamet Hamiti

Çdo bisedë për korrigjim kufijsh me Serbinë është strategjikisht e gabueshme pa njohje prej saj të Republikës së Kosovës në kufijtë aktualë të vendit tonë. Është degjenerim i pozitës negociatore të Kosovës në kohën kur bëhen përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet me Serbinë. Shumica e vendeve të BE-së, më qartësisht Britania e Madhe dhe Gjermania, mbajnë qëndrimin se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të normalizohen mbi bazën e njohjes së ndërsjellë të të dyja vendeve në kufijtë e njohur ndërkombëtarë. Është e palogjikshme që Kosova zyrtare të kërkojë më pak se kaq.

Pika nistore e çfarëdo bisede për normalizim duhet të jetë kërkesa që Serbia ta pranojë e njohë kompromisin e dhimbshëm që ka bërë Kosova më 2007 kur ka pranuar Marrëveshjen e Vjenës/Ahtisarit, që i garanton të drejta të pakundshoqe pakicës serbe në Kosovë, si pjesë të pakos së akorduar ndërkombëtarisht për pavarësimin e Kosovës. Kosova është shpallur dhe njohur gjerësisht si shtet i pavarur falë kësaj Marrëveshjeje, por po e paguan ende shtrenjtë çmimin e kompromisit Ahtisaari, sepse ne e kemi në Kushtetutë, serbët nuk e pranojnë, serbët dhe pakicat e tjera përfitojnë prej tij, ndërsa Kosova vuan kufizimet e e tij.

Kjo shihet më së miri sa herë udhëheqësit tanë, Presidenti apo Kryeministri, mësyjnë transformimin e FSK-së, formimin e Ushtrisë së Kosovës, ndërsa serbët thirren në dispozitat kushtetuese që u japin atyre efektivisht veto në këtë fushë, siç mbajnë veto edhe në fusha të tjera që prekin interesat e tyre, madje edhe në fushën e arsimit, që në dukje të parë është aq e pasherr, jopolitike. Le të kujtojmë se ka vite që Projektligji për Arsimin e Lartë nuk mund të miratohet në Kuvend të Kosovës shkaku i kundërshtimeve të kontigjentit të deputetëve serbë në Kuvendin e Republikës sonë. Arsimi i lartë në Kosovë është bërë peng i këtyre kufizimeve.

Është koha e fundit të hiqet dorë prej provës së ‘korrigjimit të kufijve’ – efektivisht të ndarjes së Kosovës në idenë e Serbisë – dhe të rikalibrohet strategjikisht pozita negociatore e Kosovës me kërkesën më normale: që Serbia, më në fund, ta pranojë Pakon Ahtisaari nëse do që serbët të vazhdojnë të përfitojnë prej saj dhe, rrjedhimisht, t’i japë fund gjendjes së mohimit të realitetit të Kosovës shtet i pavarur, duke e njohur, mbasi vetë thotë se e synon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, paqen dhe stabilitetin në rajon.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test