Ndikimi i nivelit të arsimit dhe i gjinisë në punë - Bota Sot
Ndikimi i nivelit të arsimit dhe i gjinisë në punë

Opinione

E diel, 21 tetor 2018

Ndikimi i nivelit të arsimit dhe i gjinisë në punë

Nga: Dr. Artan Haziri Më: 22 shtator 2018 Në ora: 21:05
Dr. Artan Haziri

Marrëdhënia ndërmjet teorisë së kërkimit të punës dhe teorisë së kapitalit njerëzor në literaturën e kaluar paraqitet në dy mënyra: (1) duke treguar lidhjen ndërmjet kohëzgjatjes së kërkimit të punës dhe arsimit; (2) duke treguar lidhjen ndërmjet arsimit dhe papunësisë. Literatura tregon se largimi nga puna, kërkimi i punës dhe ndërrimi i punës dallon për femrat, duke u bazuar në modele të ndryshme të sjelljes gjinore. Për shembull, Ketunen (1997) ka ekzaminuar lidhjen ndërmjet gjatësisë së papunësisë dhe edukimit, duke përdor të dhëna finlandeze. Ai përdori vitet e shkollimit, si një variabël shpjegues për kohëzgjatjen e papunësisë dhe deklaroi se njerëzit me arsim të lartë kanë një vështirësi më të madhe në gjetjen e një pune të re sesa moshatarët e tyre me një nivel më të ulët të arsimit. Ai, gjithashtu, tregoi se njerëzit që kanë të kryer masterin ose doktoraturën dhe njerëzit me më pak se nëntë vjet arsimim, janë grupi me mundësinë më të ulët për të gjetur një punë të re.

Përderisa Ashenfelter dhe Ham (1979) konkluduan se edukimi nuk ka ndikim në papunësinë, Kiefer (1985) dhe Nickell (1979) gjetën një lidhje negative ndërmjet dy variablave. Si rezultat, duke konsideruar nivelin e edukimit si faktor bazë për ngritjen e funksionit, probabiliteti i kërkimit të punës është funksion që, së pari, ngrihet dhe pastaj zbret në pikën kritike. Nickell (1979) studioi ndikimin e shkollës dhe kualifikimet në probabilitetin e të qenit i papunë dhe gjatësisë së të qenit i papunë në Britaninë e Madhe. Ai, gjithashtu, vuri bazat teorike për të pritur një lidhje të fortë ndërmjet nivelit të edukimit dhe mundësisë për të qenë i papunë, por ka edhe studime të tjera më të dobëta që lidhin edukimin me kohëzgjatjen e papunësisë. Nickell gjeti një lidhje të fortë ndërmjet shkollimit dhe incidencës së papunësisë deri në 12 vjet të shkollimit. Ne Kosove ndikon shkollimi por edhe mosha ne disa vende te punes, psh ne banke ,kur e kalon moshen 30 vite, fillojn me politikat e largimit nga puna Artan Haziri (2016).

Theodossiou dhe Zangelidis (2009) theksojnë se mobiliteti i punës dhe sjellja punë-kërkim ndryshojnë në bazë të gjinisë, pasi ekzaminoi diferencat e gjinive në ndryshimin e punës dhe sjelljen e punës në nivele të ndryshme të edukimit në 6 vende të ndryshme evropiane. Studimi i tyre përdori të ardhurat, shëndetin, edukimin, strehimin, demografinë dhe variablat e punësimit nga “The European Community Household Panel Survey”, që u zhvillua në vitet 1994 deri më 2001. Theodossiou dhe Zangelidis (2009) argumentuan se normat e qarkullimit te femrat ishin relativisht të ulëta dhe arsyet e largimit nga puna janë, kryesisht, çështje e punëve bazë (familjare ose arsye personale). Në anën tjetër, ata gjetën se meshkujt i lëshojnë punët e tyre për arsye të problemeve me punëdhënësin. Hersch dhe Stratton (1997), gjithashtu, gjetën evidencë të njëjtë, duke bërë të qartë se femrat, zakonisht, e lëshojnë punën e tyre shkaku i përgjegjësive personale, si, bie fjala, kujdesi për fëmijët.

Biagi dhe Lucifora (2008) hetuan efektet edukative dhe demografike të papunësisë në 10 vendet evropiane në vitet 1975 dhe 2002, me anë të një analize të të dhënave. Sipas rezultateve, ndryshimet drastike në arsim dhe karakteristikat demografike janë të varur nga mosha dhe niveli i arsimit.

Abdel-Mowla (2011) ka hetuar ndryshimet në punë-kërkimin dhe sjelljen e grave në Egjipt në vitet 1998 dhe 2006. Ai ka studiuar efektet e ndryshimeve strukturore brenda tregut të punës në vendimet e kërkimit të vendeve të punës së grave, duke marrë në konsideratë faktorë të ndryshëm, si: arsimi, rajoni dhe statusi martesor. Ai konstatoi se arsimi ka një efekt pozitiv.

Becker (2005) përfshin gjendjen aktuale të edukimit gjatë periudhës së ofrimit të punës. Ai ekzaminoi vetëm një rast të thjeshtë, ku kuptoi se një personi që i ofrohet një punë gjatë studimeve është i prirë ta lë shkollën pa e marrë diplomën, shkaku se ai preferon të fillojë me biznes.

Jayaweera (1997) studio lidhjen ndërmjet edukimit dhe punësimit, por gjeti se nuk ka lidhje signifikante ndërmjet dy variablave. I ekzaminoi 23 vende aziatike në dy grupe: Vendet e pazhvilluara dhe vendet me industri në zhvillim. Kështu, investigoi një strukturë që është e ndryshme nga sistemi evropian që jep rezultate të ndryshme.

Bratberg dhe Nielsen (1998) hetuan kohën e kërkimit të punës pas diplomimit. Rezultatet e studimit tregojnë se paga rritet sipas nivelit të edukimit. E, kjo ka efekt negativ në kohën e kërkimit të punës.

Niveli mesatar arsimor i moshës, i fuqisë punëtore 25 vjeç dhe më të vjetër, është rritur gjatë viteve dhe shkalla e papunësisë ka trende rënie gjatë dy dekadave të fundit. Ky vëzhgim është në përputhje me literaturën me lidhjen ndërmjet nivelit arsimor dhe papunësisë. Për shembull, Phelps dhe Zoega (1997, 1998) gjejnë se përmirësimi i arsimit ka një efekt ulje në normën e papunësisë.

Francescon, Orszag, Phelps dhe Zoega (2000), nga ana tjetër, në efektet e përbërjes arsimore të fuqisë punëtore në këmbëngulje të papunësisë, tregojnë se niveli i papunësisë brenda një klasifikimi të caktuar arsimor nuk ndryshon në mënyrë të konsiderueshme, pasi përbërja e arsimit e fuqia punëtore zhvillohet.

Ata krijojnë një model teorik të normës natyrore të papunësisë ndërmjet dy grupe që dallojnë nga arsimi. Duke përdorur këtë model, ata analizojnë ndryshimin në raportet e pagave-zëvendësim (d.m.th., marrëdhëniet ndërmjet pagave ekzistuese dhe pagave që pritet dhe që mund të fitohen me punë alternative), shpenzimet e trajnimit, reagimet e diferencave të pagave brenda grupeve dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm, si dhe për të gjetur se kthimet në arsim janë të rëndësishme në përcaktimin e raportit të zëvendësimit të pagave brenda grupe të ndryshme. Sidoqoftë, ata nuk gjejnë diferenca ndërmjet papunësisë brenda grupeve të edukimit sa i përket diferencave në paga. Diferencat në paga brenda grupeve u atribuohen diferencave të kthimit në nivelet e edukimit dhe gjetjet e tyre mbështesin efektet e diferencave të pagave, siç është bërë e qartë nga Salop (1979) dhe Moein (1999), e që argumentojnë se punëtorët për konkurrencë në punë zgjedhin të ngritin nivelin e edukimit, në mënyrë që të rrisin renditjen e tyre. Kështu, një rritje në nivelin e edukimit mendohet se është e lidhur me gjasat më të mëdha për të ulur papunësinë (Nickell, 1979; Moen, 1999).

Becker (1964) sugjeroi se është optimale për punëtorët që të bëjnë investime në kapitalin human nëpërmjet edukimit. Meqë edukimi në SHBA është i subvencionuar nëpërmjet programeve qeveritare, lotarive dhe bursave, lëvizja e lartë e nivelit të edukimit të fuqisë punëtore është e kuptueshme. Moen (1999) sugjeroi se punëtorët, në fakt, mund ta tejkalojnë nivelin e edukimit nga ajo që konsiderohet optimale.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test