Krasniqi, vrasja e pazbardhur e një heroi

Opinione

Krasniqi, vrasja e pazbardhur e një heroi

Nga: Nebil Çika Më: 24 shtator 2018 Në ora: 22:12
Nebil Çika

 

Më mirë vonë sesa kurrë. Presidenti i Republikës së Kosovës ka nderuar dje me titullin “Heroi i Kosovës” ish-ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Ahmet Krasniqi, një nderim që me gjithë vonesën e patolerueshme, është sa i merituar aq edhe domethënës. Rasti i dekorimit të Krasniqit përbën një moment të veçantë në shkrimin, perceptimin dhe interpretimin e historisë së kombit shqiptar dhe kontributit të individëve në momentet kulmore të saj.

Por nuk mendoj se një medalje pavarësisht vlerës së saj të padiskutueshme është e mjaftueshme për të vënë në vend nderin e një heroi vrasja e të cilit është ende një enigmë. Mendoj se nderi me i madh që mund t’i bëhej heroit Krasniqi dhe gjithë luftës historike për çlirimin e Kosovës do të ishte zbardhja e vrasjes së tij. Autoritetet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë duhet të ndihen të turpëruar që janë të detyruar të nderojnë e të respektojnë një hero, ndërkohë që të paktën publikisht, nuk kanë kanë treguar as vullnetin më të vogël për vrasjen e tij.

Ahmet Krasniqi u vra dhjetë vjet më parë në rrethana tejet të dyshimta ku u përfolën si autorë të mundshëm institucione të sigurisë kombëtare shqiptare në bashkëpunim me kundërshtarët politikë të Krasniqit në Kosovë. Nuk u vra në Prishtinën e pushtuar nga serbët, as në Beograd, por në qendër të kryeqytetit të Shqipërisë, në Tiranë, nën mbrojtjen e garantuar të shtetit shqiptar. Dihet publikisht që nuk u vra ,të paktën fizikisht, nga serbët. Koha në të cilën Krasniqi u vra ishte një periudhë e dominuar nga krimi politik shtetëror e denoncuar politikisht dhe publikisht nga opozita e asaj kohe. Vrasja e Krasniqit pasoi vrasjen e Azem Hajdarit dhe vrasjet apo arrestimet e një sërë ish-zyrtarësh të shtetit, sidomos të atyre që kishin punuar në institucionet e sigurisë kombëtare dhe përbën segmentin kohor e historik sa të zymtë, aq edhe enigmatik të periudhës post-komuniste të Shqipërisë. Por të kthehemi tek rasti Krasniqi.

Në një shkrimin tim për problemet e drejtësisë rreth dy vjet më parë, e kam radhitur zbardhjen e vrasjes së zotit Krasniqi si një nga detyrimet kryesore të drejtësisë shqiptare në mënyre të veçantë të prokurorisë. Natyrisht që në periudhën para ndryshimeve në krye të drejtësisë në gjë e tille ishte pothuaj e paimagjinueshme për shkak të përfshirjes së përfolur të drejtuesve apo segmenteve të institucioneve shtetërore të Shqipërisë. Por është në të njëjtën masë, e patolerueshme që edhe pas ndryshimeve në kreun e drejtësisë dhe sidomos të prokurorisë që zbardhja e një krimi me përmasa e implikime kaq të mëdha vazhdon të jetë ende një tabu për drejtësinë shqiptare. Kemi vene re që prokuroria këmbëngul për zbardhjen e krimeve nga më ordineret e banalet të ndodhura vite me parë, por vrasjen e një ministri, tani edhe një heroi, nuk guxon as ta përmendë as si statistikë e krimeve të pazbardhura.

Nuk duket se ka ndonjë gjasë që prokuroria të ndërmarrë një iniciativë të tillë, megjithëse është detyre kushtetuese e saj, por politika në Prishtinë dhe Tiranë e ka detyrimin, por edhe mundësinë të kërkojë zbardhjen e këtij krimi. Zbardhja e vrasjes së Krasniqit dhe shumë krimeve politike në Shqipërinë e pas 1997-s përbën pa dyshim bazën e realizimit të dekriminalizimit të drejtësisë dhe institucioneve të tjera shtetërore, një angazhim politik e elektoral i mazhorancës së djathtë dhe Kryeministrit Berisha. Zbardhja e vrasjes së Krasniqit mendoj se është një detyrim politik e kombëtar edhe i politikës së djathtë në Kosovë në mënyrë të veçantë për Presidentin Sejdiu dhe LDK-në si parti në qeverisje. Mbase nuk kam informacionin e nevojshëm, por nuk kam dëgjuar qoftë edhe një herë të vetme që autoritetet e Kosovës t’u kenë kërkuar homologëve shqiptarë zbardhjen e këtij krimi.

Image
Pasqyrimi ne gazeten Albania i vrasjes se Ahmet Krsaniqit

Mbase kanë qenë shumë të zënë me çështje të tjera më të mëdha, por momenti i dekorimit të të ndjerit Krasiniqi mund të kishte shërbyer për t’u kujtuar për zbardhjen e vrasjes së tij. Zbardhja e kësaj çështjeje është një detyrim më tepër se ligjor, politik, moral e njerëzor, është një detyrim kombëtar. Jo vetëm për të marrë vesh shkaqet dhe autorët e vrasjes, por edhe për të parë se ku janë sot ata. Mund të jenë deputetë e ministra, pjesëtarë të policisë apo shërbimeve sekrete në Shqipëri e Kosovë, mbase kanë qenë edhe në ceremoninë e dekorimit të Krasniqit “Hero i Kosovës!

Në kushtet e moszbardhjes së krimit ata mund të jenë kudo në institucionet tona politike e shtetërore, të gatshëm për t’u dhënë shqiptarëve “heronj” të tjerë. Megjithatë, si shqiptar, ndihem mirë për nderimin e Krasniqit .Mirëpo …. ku(sh) janë vrasësit e heroit ?!

Botuar ne Standard 23/09/2008

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat