Protesta që mbështeti ndryshimin e kufijve të Kosovës

Opinione

Protesta që mbështeti ndryshimin e kufijve të Kosovës

Nga: Mero Baze Më: 29 shtator 2018 Në ora: 21:59
Mero Baze

Protesta e sotme në Kosovë, e thirrur kundër presidentit Hashim Thaçi, që po tenton një marrëveshje personale për ndryshimin e kufijve të Kosovës, paradoksalisht i dha mbështetje Albin Kurtit ta udhëheqë procesin e ndryshimit të kufijëve.

Për të gjitha ato arsye që ne i trembemi aventurës së Hashim Thaçit me Aleksandër Vuçiçin, nën garancitë e paqarta të stafit të ri të presidentit Trump, protesta e sotme duhet të jepte mesazhin e paprekshmërisë së shtetit të ri të Kosovës, simboleve të tij, kufijëve të tij konvecionalë, dhe të dëshmohej se çdo personalitet politik në Kosovë që tenton të tjetërsojë kufijtë e saj të fituar me gjak, do të dështojë.

Por protesta në Kosovë u zhvillua nën flamurin kombëtar të Shqipërisë dhe nën himnin e flamurit t Shqipërisë, duke zhdukur nga qarkullimi simbolet e shtetit të ri të Kosovës, dhe çka është më e rëndësishme, identitetin e saj të ri si shteti i dytë shqiptar.

Protesta ishte një manifestim i zjarrtë për ndryshimin e kufijëve, bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, dhe në këtë histori, pse jo dhe për ato detajet e marrëveshjeve skicë të Hashim Thaçit me Vuçiçin.

Atëhere në këtë rast lind pyetja se cili është qëllimi i protestës së sotme?

Protesta u thirr për të mbrojtur Kosovën nga Hashimi dhe përfundoi që duhet ta bashkojë me Shqipërinë, Albini.

Ashtu si në takimin me Sali Berishën, duket se Albin Kurti nuk është i shqetësuar nga teza e ndryshimit të kufijëve të Hashim Thaçit, që është shumë e rrezikshme, por është i shqetësuar nga besimi, se ajo që po bën Thaçi mund ta bëjë atë realitet, dhe ai e shikon këtë si çështje aktorësh të ngelur jashtë historisë. Pra thjeshtë duket se mendon që Thaçi po i konsumon mitin e tij politik, atë të bashkimit të Shqipërisë me Kosovën.

Beteja e sotme reale e protestës në Prishtinë, nuk ishte siç u tha, mbrojtja e kufijëve nga Hashimi, por fakti që shqiptarët ja besojnë Albinit ndryshimin e kufijëve dhe bashkimin me Shqipërinë, dhe jo Hashim Thaçit.

Mund të jetë dhe kështu. Dhe unë besoj se Kurti është më i zoti për këtë punën e bashkimit, se e ka dhe teori të vjetër të partisë së tij.

Por protesta e sotme, ishte për mos prekjen e kufijëve, jo për prekjen e kufijëve dhe bashkimin me Shqipërinë.

Kurti është i lire të bëjë çdo ditë protesta për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën në Prishtinë, por jo t’i nisë si protesta për mos prekje kufijsh, por t’i deklarojë ashtu si i bën. Se kështu si u bë, ishte një garë mes Kurtit dhe Thaçit, kush i prish më parë kufijtë dhe nuk ishte ashtu siç u lajmërua, si protestë për të mbrojtur kufijtë e Kosovës. Është siç thuhet në një fjalë të urtë shqiptare: Hiqjani Hashimit, jepjani Albinit!

Dhe në kushtet kur çështja e kufijëve ka ndarë Europën nga SHBA në çështjen e Kosovës, protesta  e sotme, në vend të dëshmonte mungesnë e mbështetjes së Hashim Thaçit, dëshmoi të kundërtën, mbështjen që Albin Kurti ka për të bërë të njëjtën gjë. Biles atë që në Europë e SHBA akoma nuk duan ta dëgjojnë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat