Gjysma e shemtuar e një fjalimi

Opinione

Gjysma e shemtuar e një fjalimi

Liri Loshi Nga Liri Loshi Më 2 tetor 2018 Në ora: 09:47
Albin Kurti

Gjysma e fjalimit të Albin Kurtit në protestë ishte e mirë, gjysma tjetër ishte e keqe. Meqë shumë njerëz këtë fjalim e kanë cilësuar si të jashtzakonshëm, unë do të shkruaj për pjesën e shemtuar të tij. Ndërkohë që Albini po fliste për protestën si një ngjarje për shtet e jo për urrejtje të dikujt, fjalimi i tij ishte i mbushur me urrejtje për presidentin Thaçi. Ja një nga plehërat e këtij fjalimi:

“Duket se presidenti po mundohet t’i mbajë dy kunguj nën sqetull e kjo do të thotë se ai po mban edhe një kungull të tretë mbi qafën e tij!” Kjo fjali nuk është e denjë për një lider opozitar që pretendon ta marrë pushtetin dhe potencialisht të ulet në të njëjtën karrikë ku është ulur zoti Thaçi. Kjo nuk shpreh vetëm urrejtjen, por edhe mungesën e kulturës dhe etikës elementare të komunikimit njerëzor ku tjetri fyhet në mënyrë të pamatur për mungesë intelekti, apo siç thuhet për prani kungulli në vend të kokës-trurit!

Tutje Albin Kurti duke ilustrur se si presidenti përfaqëson pakicën politike tha se “ai është me një këmbë që po rri në një këmbë e që po e mban kryeministri në një këmbë me një këmbë në një këmbë... “ E tërë kjo i ngjante një këngë të vjetër folkloriko-humoristike: “Katër këmbë na i ka dhia, tri këmbë terezia, dy lule na i ka vasha...” e broçkulla tjera blla blla blla... Njëfarë loje fjalësh që humbte efektin kuptimor e logjik në përseritjen e tyre dhe që s’kishte madje as një efekt retorik. Që thonë për gjynah!

Ajo që binte në sy ishte se Albin Kurti manipulonte me informacione të pasakta për aktivitete dhe takimet e presidentit Thaçi duke u orvatur që me të gjitha mjetet ta diskreditonte atë moralisht e politikisht, madje edhe duke e shpallur tradhëtar, bashkëpunëtor të Serbisë dhe Rusisë, por pa fakte relevante. Ai shihej se nuk kishte idenë e qartë p?r planin e këmbimit dhe përmendete pika, fshatra e qytete sikur të ishte i sigurtë se marrëveshja me Serbinë po nënshkruhej dje. 
Slloganet e tij rreth integritetit territorial të Kosovës kishin kuptim të qartë, por sllogani për integritetin territorial te Luginës, pandashmëtinë e saj lente të vetëkuptohej se ai ose nuk e dinte çfarë donte të bënte me Preshevën, Medvegjen dhe Bujanovcin ose ato me vetëdije po i jepte Serbisë.

Pastaj ai bëri thirrje për kryengritje popullore kur tha se “qeveria po rritet e shteti po zvogëlohet prandaj populli po ngritet e po bashkohet”! Krahasimi i kuletës se hapur të njeriut të varfër me qepën e hapur dhe loti si shkak i hapjes ne të dy rastet, tingëllonte si një e gjetur e rrallë, por jo edhe realisht e motivuar, sepse jo çdo qepë e hapur shkakton lotë dhe kuleta nuk shkakton lotin, meqë njeriu e di gjendjen e kuletës se tij dhe kur s’ka para në të nuk e hapë fare! Atij mund t’i shkaktojë lotin zëri i fëmijës që kërkon bukë, por jo edhe kuleta. Egzagjerimi i deshtimit të shtyllave të qeverisjes ishte i ekzagjeruar tej mase: “kemi shkolla e nuk kemi shkollim, kemi spitake e nuk kemi sherim... “
Shumë i paqartë ishte edhe plani i tij për zëvendësimin e produkteve serbe me ato të tregut vendor dhe te Shqipërisë dhe se kritika e tij ishte e orientuar edhe në drejtim të qeverisë shqiptare!

Më në fund shihej qartë se fjalimi i tij ishte një bombë e kurdisur me sahat kundër presidentit Thaçi, kundër qeverisë dhe një thirrje e hapur për revoltë qytetare. Zëri i tij ishte aktrues, zhurmurs dhe kërcënues në emër të protestës dhe të protestuesve, sidomos kur kjo kombinohej me ritmin e tupanave që imitonin fillimin e një përballje fizike me grupin tjetër dhe definitivisht nuk ishte një zë për bashkim të qëndrimeve dhe ideve për vendin.

Lirisht mund të konstatohet se Albini në shesh ishte për votat e tij dhe jo për ndonjëi gjë tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat