Trieshi ka nevojë për bustin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Opinione

Trieshi ka nevojë për bustin e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 4 tetor 2018 Në ora: 11:35
Gjekë Gjonaj

Lavdia e figurës më meritore  të popullit  shqiptar, i cili për 25 vite arriti t’i mbajë të gjithë shqiptarët në një shtet, aq mirë të organizuar, saqë  të gjitha luftërat dhe ofensivat arriti t’ fitojë me sukses, nuk ka nevojë për asgjë. Por për mua  si nxënës dhe mësimdhënës i Shkollës Fillore “ Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Triesh  është e pakuptimtë  dhe jo    normale  që  bustin  e  heroit tonë kombëtar nuk e shohim para ndërtesës së kësaj shkollë, emrin e të cilit e mbanë me krenari  tash më se një gjysmë shekulli. 

Jam në dijeni se shumë mërgimtarë trieshjanë  në Amerikë, janë të interesuar dhe në biseda  kanë kërkuar me ngulmë që këtë vit, me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut  të vendoset busti i tij  në Triesh. Mërgimtarët pyesin shpesh  a do të vendoset sivjet truporja  e kësaj figure në këtë trevë shqiptare e mbushur me histori të mëdha e të paharrueshme.  Ata janë  të vendosur se paratë për ngritjen e këtij monumenti  do t’i sigurojnë vetë , pa iu dridhur dora. Pse atëherë të zvarritet (të mos )  realizohet kjo dëshirë  e tyre , dhe jo vetëm?  

Nëse aparati shtetëror ( regjimi)  në kohën e komunizmit   para 50 vitesh e ka pranuar   kërkesën  e guximshme    të  kolektivit të atëhershëm   të kësaj shkollë  dhe ka miratuar vendimin  që ky institucion edukativo-arsimor të pagëzohet me  emrin  e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, sot në pluralizëm,  në sistemin demokratik, në Malin  e Zi të pavarur,  nuk   besoj se  pushtetarët  kompetentë  për këtë çështje do të refuzonin kërkesën (eventuale)   të  kolektivit të sotëm të shkollës që  në vitin jubilar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut të ngritet busti i tij  në oborrin e kësaj shkolle. 

Janë shumë arsye, që më shtyjnë ta mbështesë idenë e  mërgimtarëve trieshjanë, që në Triesh të ngritet busti i heroit tonë kombëtar.

Të rralla janë personalitetet boëtërore si Skënderbeu e  Shën Tereza ( shenjtëresha e të gjithë shqiptarëve)   që kanë një përphapje kaq të gjerë, veprat hsitorike të  të cilëve kanë frymëzuar shumë mjedise ( qytete) që ta ngrisin  një përmendore a një bust kushtuar këtyre figurave  historike.

Nëse qendrat më të mëdha shqiptare në Tiranë, në Prishtinë , në  Shkup e tjerë e  kanë shtatoren e Skënderbeut, pse mos ta ketë edhe Trieshi.

Trieshi do të ketë për nder që statuja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut  të vendoset në Stjepoh (Triesh) , sespe do të jetë treva e vetme në Malësi të Mbishkodrës  që   në gjirin e vet  do të ketë  një përmendore të tillë.

Trieshi me prezencën e trupores së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut  do të shndërrohet në idhudh të shqiptarizmës, dhe do të bëhet edhe më i dashur për të gjithë ata njerëz që do ta vizitojnë.

Kjo shtatore do ta radhiste krahinën e Trieshit në mesin e qyteteve më të njohura evropiane e botërore, siç janë Gjeneva, Brukseli, Roma, Londra, Parisi, Nju-Jorku etj.

Së fundmi shtatorja  e Gjergj Kastriotit - Skënderbeut do ta madhëronte edhe më shumë historinë e Trieshit.  Do ta bënte më të madh Trieshin në të gjitha dimensionet.

E nëse është kështu atëherë çfarë të keqe ka nëse kjo krahinë e Malësisë së Mbishkodrës të bëhet me shtatoren e Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

E, pra,  busti i këtij personaliteti të madh , i cili  kalon kufijtë e heroit të përmasave kombëtare e rajonale duke u bërë personalitet ushtarak e burrështetas i përmasave ndërkombëtare,  i  bënë nderë Trieshit. Shtatorja e tij na nderon të gjithëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat