Kalaja e Krujës si në vitin e Skënderbeut - Bota Sot
Kalaja e Krujës si në vitin e Skënderbeut

Opinione

E diel, 21 tetor 2018

Kalaja e Krujës si në vitin e Skënderbeut

Nga: Ndue Dedaj Më: 7 tetor 2018 Në ora: 17:44
Ndue Dedaj

Në Krujë, si të kesh qenë në shekullin XV, si të jesh sot në shekullin XXI eklipsohesh nga gjithçka e saj me “palcë” shkëmbore dhe historie, muret e lartë dhe kulla-përkrenare e kështjellës, në sfondin e malit të përhimë me pamje ekzotike, rrugët e portat e rënda, topat e heshtur, ngrehinat e vjetra, ullinjtë e moçëm urtakë etj. Rruga drejt kalasë, nëpër pazarin e vjetër të restauruar, është e gjitha me kalldrëm, por gurët janë lëmuar aq fort nga kalimtarët e shumtë, sa duhet të ruhesh se mos të rrëshqet këmba. Përfytyron ato mote të largëta kur mbi këto gurë linin gjurmët e patkonjve kuajt e luftës dhe heshtat e mprehta. Edhe pse mbasdite, muzeu kombëtar i “Gjergj Kastriotit-Skënderbeut” gumëzhinte si një zgjua bletësh nga vizitorët e panumërt, kryesisht të huaj. Këtë vit e kanë vizituar Muzeun rreth 85 mijë vetë, thotë Klodiani, njëri nga punonjësit që shoqëron turistët dhe deri në fund të vitit bëhen më shumë se njëqind mijë. Ka pasur shumë polakë, hungarezë, gjermanë, italianë e të tjerë. Krahas Skënderbeut në mjediset e Muzeut janë dhe
statujat e Pirros e Teutës, dhe kryesisht të bashkohësve të tij: Gjergj Arianitit, Vrana Kontit, Mamica Kastriotit, Tanush Topisë, Lekë Dukagjinit, Pal Kukës, Zaharia Gropës, Gjergj Lleshit etj.

Ky muze i ngritur në vitin 1982 është metodik dhe mund ta mësosh live historinë nga shpjeguesit e palodhur të tij. Me blloqet e trashë, ku janë shënuar mbresat e vizitorëve në kaq vite, është bërë një bibliotekë më vete, me shënime të shkurtëra në të gjitha gjuhët. Drejtori i Muzeut Mehdi Hafizi, që ka rreth 30 vitë në këtë punë, thotë se i njëjti interesim i vizitorëve është dhe për Muzeun Etnografik Kombëtar, po në kalanë e Krujës, ngritur në një ndërtesë të vitit 1764, që ka qenë banesë e Toptanëve. Kruja është e lidhur ngushtë me Kastriotët, emrin e të cilëve mban dhe ekipi e stadiumi i qytetit e gjer autobusët e linjave. Mjediset e kalasë nuk kanë qetësi asnjëherë, por sidomos këtë vit, ka të rinj që ekspozojnë aty pikturat e tyre, tjerë që këndojnë këngët e trevës ulur në sheshin e kalasë, ndërsa mjeshtrit e traditës - suveniret e ndryshme - i kanë stilizuar me shqiponjën, përkrenaren apo fytyrën e Skënderbeut.

E pyesim njërin nga tregtuesit e tyre se si ka qenë shitja sivjet dhe aipërgjigjet: “më mirë se anjë herë tjetër”. Një e mirë nga Skënderbeu dhe kjo, u themi me të qeshur.Krutanët janë zotërit e historisë së këtushme. Të parët e tyre e kishin ngritur qytetin në faqen e pjerrët të malit, si shumë qytete mesjetare në Europë, që ta kishin sa më pranë kështjellën. Kur atyre iu shfaqej rreziku i barbarëve, e mbanin vrapin brenda mureve me bedena. Aty ata ishin zot. E tregojnë këtë dhe tri rrethimet e Krujës (1450, 1466, 1467), epopeja e saj e pashembullt, që nxënësit dhe studentët e mësojnë me krenari në orët e mësimit. Ato rrethime ngërthejnë 17 vjet të qendresës skënderbegiane, çka do të thotë se kështjella nuk reshti asnjë ditë së sogjetuari e luftuari. Sulltan Mehmeti, kur pa se  Kruja nuk thyhej asesi, ndërmori vetë rrethimin e tretë të saj, por dhe atë e ndoqi fati i keq i pashallarëve që kishin udhëhequr para tij ushtritë turke kundër kështjellës, kthimi mbrapsht pa lavdi. “Kruja është koka e Mretërisë Epirote, e vendosur në majë të një shpati të lartë e të thiktë mali, e pashkelur dhe pothuaj e paafrueshme nga çdo anë dhe aq mirë e forcuar nga veprimi i shënuar i natyrës, saqë, përveç urisë, të mund të mposhtte me lehtësi çdo tërbim të armikut”, e përshkruan Barleti qytetin si një eshtër e dalë nga shkëmbi. (H. Skënderbeut, Tiranë 1982, f. 81.)

Njerëzit që vijnë këtu vizitojnë reliktet e shumta muzeore, por ato janë të pamjaftueshme për përfytyrimin, ndaj kërkojnë të tjera gjurmë të padukshme të historisë, që koha e i ka shuar e kthyer në palimpseste. Dhe sikudo tjetër, edhe këtu historia dhe gojëdhënat janë si dy shina paralele, që tek e fundit mbartin të njëjtin “tren”, atë të historisë dhe kujtesës skënderbegiane të pamjegulluar. Gojëdhënat thonë se lagjet e Gurset dhe e Perlatit janë janë “mahallat më ta vjetra të Krujës, qysh nga koha e Skënderbeut”, kurse lagjet e tjera të mëvonshme. Përmbi portën e madhe të kalasë, sipas rrëfimeve popullore të mbledhura në vitin 1950, në faqen e jashtme, ka qenë nji pllakë mermeri, që thuhet se ka pasë shenjat e Skënderbeut. Kur kalanë e zaptuen turqit, këtë pllakë e morën dhe e tretën, me
siguri duke vënë ndonjë pllakë të sulltanëve të kohës. “Kalaja jonë ka pas rraf detin. Thonë ka pasë 400-500 topa florini”, ku ishin dhe “Pirgjet e Topave”, para Tabjes së Dollmes, ku vigjilonin rojet e kalasë. Të gjitha objektet në kalanë e Krujës lidheshin me emrin e Skënderbeut, edhe Kulla e Sahatit, edhe topat e vendosur brenda kalasë, tre-katër të tillë, ku ai më kryesori, Topi i Shehit, ishte me një gjyle brenda. Krutanët kishin adhurim për topat e Skënderbeut, e kanë pasë zakon deri vonë t’i çonin fëmijët e sëmurë aty për t’u shëruar.

Kumonarja e Kullës së Sahatit ka qenë e Kishës së Skënderbeut. “Të tanë pleqtë thonë se këtu ka qenë Kisha e Kalasë së Skënderbeut. Por sa ka hyrë në Krujë, Sulltan Mehmeti ia ka prishë isharetet kishës dhe e ka kthye në xhami”... Skënderbeu, sado figurë në kufijtë e mitit, për shkak të personalitetit të tij të jashtëzakonshëm, ka qenë megjithatë tokësor, që lagej në shi betejave e thahej në diell shkrepave, që jo vetëm korrte fitore të rëndësishme (natyrisht jo si në përralla, ku sa herë luante shpatën e argjendët çahej mali përgjysmë për të kaluar ushtria e tij!), po dhe pikëllohej kur humbiste bashkëluftëtarët, zëmërohej kur shihte mbrapshti e dredhi ndër të vetët, mallkonte kur e tradhtonin, jepte besë e merrte besëlidhje, i nxiste nuset dhe dhëndrit të mbillnin ullinj e të lindnin sa më shumë vogëlushë, ngazëllente në festa, pinte verë të kuqe dhe ngrinte shëndete shqiptarçe.
Jeta e tij nuk ishte përditë, përjavë e përmuaj luftë. Lufta nuk ishte “pasioni” i tij, por detyrimi i patjetërsueshëm historik. Ai luftonte që të mos kishte luftë. Dhe sa liria nuk kishte ardhur, ai vazhdonte lë luftonte. Jo 24 orë e 24 muaj, por plot 24vjet! Sa asnjë hero tjetër në Europë dhe për Europën. Në kështjellën e Krujës kishte selinë e shtetit, kancelarinë e tij, ku gjallonte me “ministrat” e diplomatët, përpunonte me vizion europian politikat, strategjitë dhe aleancat që duhej të ndiqte për fitoret, jo vetëm ushtarake. Është e rëndësishme ta përçojmë të tillë portretin e Heroit Kombëtar te shqiptarët e gjeneratave të sotme e të nesërme dhe te të huajtë, atë të një burri shteti, në të cilin ishte mishëruar kryeprijësi dhe krykomandanti epokal i shqiptarëve, që nuk kishte pasur më parë një si ai dhe nuk do të kishte më pas një të dytë.Ja, me këso përsiatjesh skënderbegiane vjen dhe ikën nga Kruja, aq më tepër këtë vit, që është i mbushur me plot veprimtari përkujtimore kushtuar Atit të Kombit...

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test