Prania e të keqes: Ndikimi i të huajve dhe reagimi i mefshtë i “lidërve “ tanë - Bota Sot
Prania e të keqes: Ndikimi i të huajve dhe reagimi i mefshtë i “lidërve “ tanë

Opinione

E mërkurë, 24 tetor 2018

Prania e të keqes: Ndikimi i të huajve dhe reagimi i mefshtë i “lidërve “ tanë

Nga: Fahri Dahri Më: 9 tetor 2018 Në ora: 11:26
Fahri Dahri

Tashmë e kemi kapërcyer pothuajse padijen e të shkuarës, lidhur me historinë e populit tonë, të kombit shqiptar. Më shumë kemi mësuar nga faqet e internetit, dhe më pak nga historianët tanë, që hera-herës kanë qenë fjalë shtrënguar në deklarimet shkencore të të vërtatave historike, pré e mashtrimeve, fshehjeve dhe fshirjeve të ngjarjeve dhe realiteteve shqiptare ndërshekuj.

Por ja që koha vjen dhe na i çvarros ato nga varret e ndërtuara me mjeshtëri dhe afatgjata. Nuk do ndalemi tek historia e ngjarjeve negative sipas kohërave të varrosjeve, por do të theksojmë dhe apelojmë për mos vazhdimin e kapitullit të varrosjeve. Për këtë kërkohet vëmëndje, vigjilencë dhe aktivë të fuqishëm për detyrat dhe të drejtat tona.

Aktualisht, raste për të kuptuar mënyrat dhe metodat e përdorura për shtrëmbërimin e historisë nga romakët dhe grekët, i gjejmë edhe tek veprimet e sotme të shtetit Grek dhe të Bashkimit Europian (gjithmonë me këndvështrimin tim, lidhur me të drejtat e kombit shqiptar).

Të dy këta (BE-ja dhe Greqia) po ndërhyjnë fuqishëm në ndërrimin e emërit të Ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë. Nuk është fjala apo mendimin tek e drejta apo e padrejta e ndërrimit të emrit, pasi ajo i takon shtetasve maqedonas; por tek mënyra apo metoda që po ndiqet për realizimin e saj!.

Anagjore, me të drejtë denonocohet edhe ashpërsia, po e shtetit Grek dhe e BE-së, ku me çdo kusht kërkohet të shuhet, të mos përmendet emri i rajonit të Çamërisë dhe bashkë me ‘të edhe “Çështja Çame” e shoqëruar me gjenocidin grek ndaj tyre në vitet 1944-1945; duke vepruar me ndërhyrje kirurgjikale tek tekstet shkollore, në histori, në hartat dhe në të gjitha mjediset publike!.  

BE-ja nuk shqetësohet dhe as ndalet për të analizuar shkaqet e krijimit të problemeve madhore, që një shtet anëtar i saj (Greqia) ka me shtetet fqinje, por me privilegjin e “pranimit” ose jo për antarësim, vendos njëanshmëri në zgjidhjen e problemeve, të cilat shkojnë në përfitim të antarit të saj, por me pasoja tepër të rënda për shtetet që kërkojnë antarësim, të cilëve u preket thellë trashëgimia dhe historia e tyre shuhet sikur të jetë “flakë kashte”.

Është vërtet sa qesharake, por dhe tepër trishtuese, kur nga selia e BE-së, dëgjohen “urdhërat”: Nëse doni anëtarësim në BE, zgjidhni të gjitha problemet me fqinjët, ndryshe “vetoja europiane nuk ju hap dyert!.

Kjo kërkesë në plan të përgjithshëm është e pranueshme, por një kërkesë e tillë, është e sinqertë në kushtet kur të dy shtetet të mos jenë anëtarë të BE-së; ose nëse nuk arrihet zgjidhja, lind nevoja e vendosjes së kushtit edhe për shtetin anëtar të BE-së, ndaj të cilit duhet të veprojë përjashtimi nga anëtarësimi i BE-së.

Në dy rastet e mësipërme, Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe Republika e Shqipërisë, nuk janë anëtare të BE-së dhe, problemet themelore i kanë me shtetin Grek, që është anëtare e BE-së. Në një situatë të tillë, është mëse e qartë që dy shtetet jo anëtare të BE-së, vendosen në kushte krejt të pabarabarta dhe, nëse pranojnë dhe bien pré e presionit të anëtarësimit, realizohet ndërhyrja ose fallsifikohet me “vetëdije” historia.

Nuk është aspak e drejtë të caktohen kushte detyruese të njëanshme,  është pikërisht kjo arësyeja e denoncimit të kësaj mënyre, e cila kërkohet nga BE-ja gjoja në emër të paqes, bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë. Një ndërhyrje e detyruar që bie ndesh edhe me kriterin e mirënjohur të transparencës.

Besoj se koha në të cilën po ecim, na ka dhënë privilegjin të arrijmë të ndajmë me pleqësi, si qëmoti, “shapin nga sheqeri”.

Krahas sa mësipër, të jemi të sinqertë, veç shteteve ekspansioniste, ndihmë “hileqare” për fallsifikime historike, japin edhe disa politikanë, studiues jo seriozë shqiptarë, që nga “zelli” përpiqen për të rritur vlerat historike krahinore, partiake apo individuale, arrijnë të gabojnë (pa/me) dashje në ndihmë të shuarjes së të vërtetave.

? Gjatë Luftë Nac.Çl. disa drejtues partish, si i thonë fjalës: “Për inat të sime vjerre do të fle me mullixhiun”, për mos puqje idesh politike, kundërshtive mes partish, arritën të vinin në “pazar” Atdheun, me mendimin ogurzi, që për inat të komunistëve, atdheu le t’i falet okupatorit (mullixhiut), “Inat shqiptari?!”.

? Është e pa dëshiruar, por edhe gjatë këtyre afro 30 viteve, ndeshemi përsëri po me “inatin shqiptar”. “Ethet e thekshme të pushtetit” ndërmjet partive politike, të djathta, të majta apo të qendrës, i “shesin” interesat e atdheut dhe ato kombëtare, tek mullixhiu.  

Të gjitha përpjekjet dhe veprimet partiake, pa i analizuar se ku do të përfundojë rënia e shigjetave, bëhen për të marrë dhe mbajtur “pushtetin” me çdo kusht, pavarësisht nga vota popullore.

Thasë të mbushur me shkresa, peticione, paralajmërime, mashtrime, gënjeshtra, shpifje; sigurisht për “hir” të dashurisë së pushtetit, nisen nëpër selitë europiane dhe amerikane, duke trokitur si “mjeranë” nëpër dyer, pavarësisht se disa dyer hapen e disa nuk hapen”.  Si qarramanë ankohen kundër një personi, qoftë ai dhe kryeministër i zgjedhur me votat e popullit, ndaj të cilit hidhen “baltëra” nga më të ndryshmet, sipas fillozofisë së drejtuesave partiakë, qofshin të djathta apo të majta.

Këto ecejake, tashmë të pranishme gjatë këtyre tre dekadave, nuk kanë patur ndonjë ndikim të theksuar në votat popullore, si rrjedhojë e ndonjë ndërhyrjeje nga jashtë, por është e sigurtë se kanë dëmtuar rëndë në imazhin e Shqipërsië, deri atje sa nga personalitete të larta shtetëtore europiane është deklaruar: “Le të na shërbejnë shqiptarët si kavje”!.

? Megjithëse prej të gjitha partive (nuk shprehem dot–klasa politike-pasi në këndvështrimin tim nuk kam bindje se kemi një të tillë) flitet për parime demokratike, në njohje të realitetit, bazuar në deklarimet dhe qendrimet e vetë drejtuesave partiakë, nuk na rezultojnë të tilla. Përkundrazi, veprimet tre dekadëshe na kanë treguar se parimet e demokracisë janë të “ngatërruara” me vjedhje votash, vjedhje mandatesh, pazare me shuma maramendshe parash, dhurime pasuri të paluejtshme, tjetërsime pronash si efekt i korruptimit të sistemit të drejtësisë, përfitime materialesh dhe ofiqesh, me qendrime arrogante, me hapje e mbyllje kuti votimesh në mes të “burrave”. Sipas deklarimeve dhe akuzave që bëjnë partitë ndaj njëra-tjetrës, ndërhyrje tek kutitë e votimit, me forma të shumta janë efektive dhe të pranishme tek të gjitha partitë që hyjnë në zgjedhje!.

Si përherë edhe gjatë këtyre ditëve të fundit, në sallonet partiake, dëgjohen si në vazhdimësi shprehje si kjo: "....Tani nuk ka mbetur rrugë tjetër për të vënë  banditët para përgjegjësisë përveç rrëzimit me çdo mjet të mafies në pushtet". Deklarime të tilla, pavarësisht se bien ndesh me parimet demokratike për marrjen e pushtetit vetëm me “votat e lira” të elektoratit, i anashkalojnë dhe i turren marrjes së pushtetit qoftë edhe me përdorimin e çdo mjeti, mjafton të arrihet qëllimi!.

Këto sherrnaja, në dukje tepër serioze, por në realitet mes tyre, e sigurtë tepër artificiale, të ngritura nga poligonet partiake, është e vërtetë që kanë ndikuar rëndshëm në zhvillimin ekonomik të vendit dhe kanë penguar seriozisht në realizimin e slloganit “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”.

Ngado të vërtitemi, përgjgjësia rëndon tek politika që ndjekin partiakët tanë. Ne, si popull, nuk na mbetet gjë tjetër veçse të gjejmë mënyrat dhe metodat e nevojshme, të arritshme për shërimin nga “ethet për pushtet”, të këtyre grup njerëzve partiakë. Një fatkeqësi e pa merituar ndaj këtij populli.

? Nga dëshirat e shfrenuara, pa u thelluar në pasojat që do sjellë e nesërmja, disa studjues, shkencëtar, shkrimtar dhe ndonjë akademik, hedhin mendime dhe supozime jashtë argumentave shkencore dhe më tepër edhe jashtë gjetjeve arkeologjike. Nisur nga cektësia, mos thellimi tek të vërtetat, të cilat janë të zbuluara dhe të vendosura me unanimitet në vendet e tyre, dalin disa shkrues dhe shtrëmbërojnë vendngjetjet e objekteve të lashtësisë, kjo nën ndikimin e thurjes së “lavdisë” qoftë personale apo krahinore, por që dëmtojnë rëndë në imazhin dhe në tërësi historinë e vendit tonë. Populli këshillon: “Kujdes se në vend që të vësh vetulla, nxjerr sytë”.

Një rast tipik na e sjellin dy tre shkrues, të cilët nga euforia e festës së “Baba Tomorrit”, gjatë dhjetë ditëshit të fundit të çdo muaji gusht, marrin letër dhe laps dhe na e çvendosin, spostojnë vendndodhjen e Dodonës mijravjeçare, nga mali (Talar) Tomar, në malin Tomorr, ose e marrin “hopa” nga Thesproti/ Çamëria dhe e vendosin në Malin e Tomorrit?. Me këtë veprim, aspak shkencor dhe të pavërtetë, krijohet mjegullnajë në shtrembërim të historisë, pasi i thuhet asaj që gjeografikisht Thesproti/Çamëria nuk është trevë pellazgo-epiroto-shqiptare, por e lëshojnë pa frena, që të bjeri ku ta shpjerë era e tradhëtisë kombëtare.

Nuk kemi arritur akoma tek ndonjë kategori e përkryer për kundër të keqes, veç rendit demokratik; megjithse praktika, tepër e sforcuar, ka pranuar disi politikën e sotme si kategori; por edhe ky “pranim” nga zori, ku përdoret manipulimi, interesat vetiake dhe me kqardhje mashtrimi; detyron ngritje vigjilence, duke ndjekur hap-pas hapi mos lejimin e ndonjë fenomeni të së keqes më të madhe, atë të kalimit të shoqërisë në kategorinë e “Psikopatisë”, ku mbizotërojnë parimet antisociale dhe masat e rrepta, të pa shpirtëra, të cilat nuk janë të pa njohura gjatë historisë së njerëzimit.

Të gjitha sa sipër dhe prej të gjithëve dihen, por e rëndësshmja është tek marrja e tyre si “Apel-thirrje” për ndryshimet e nevojshme, duke bërë të mundur shkëputjen nga fushat negative të kategorive politike.

Shënim: Kjo trajtesë, të mos përdoret me anësi politike, po ashtu nuk ka qëllim shigjetimi për askend, sepse ato probleme i takojnë për ti kallzuar dhe gjykuar institucioneve ligjore përkatse, por le të shërbejë sadopak në ndikim të gjithëkujt, për t’i u përgjigjur kohës, e cila na kërkon seriozisht të përfshihemi në kërkimin e përgjegjësive për vonesën e vendosjes së parimeve demokratike, dhe kalimin menjërë në zbatimin e tyre.

Gjithashu të ndikojmë me forcën e fjalës shkëputjen dhe lënien më një anë sedrat, xhelozitë, sajesat me skenare bajate, etj; të shërohemi nga sëmundja e keqe e “etheve të pushtetit”, e cila josh dhe shtyn drejt marrjes “me çdo kusht të pushtetit”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test