Prindërve shqiptarë - Bota Sot
Prindërve shqiptarë

Opinione

E enjte, 18 tetor 2018

Prindërve shqiptarë

Nga: Lis Bukuroca Më: 11 tetor 2018 Në ora: 18:29
Lis Bukuroca

Habitem me ata, të cilët kanë fëmijë në Kosovë dhe që jetojnë shumë keq, keq, apo pak më mirë se sa keq! A mendojnë ata ndonjëherë, si do të jetojnë fëmijët e tyre, ose ku do të jetojnë  nesër? Nëse po, si mund të durojnë Qeveri me njëqind ministra (e zëvendës) dhe me treqind këshilltarë?  Si mund të lejojnë vjedhjen e shtetit, pa e kundërshtuar në mënyrë aktive rrënimin e ardhmërisë së fëmijëve të vet?  Pse nuk kuptojnë se përtacia e tyre e sotshme, po ndihmon dhe lejon hajdutët, t’i rrëmbejnë ardhmërinë fëmijëve të tyre, gjersa ata shprehin zemëratë në facebook, por jo në rrugë, ku mund të rrëzohet Qeveria dhe Presidenca!!!

Kështu shqiptarët e Shqipërisë, kështu ata të Maqedonisë dhe kështu ata të Luginës: Të pranishëm dhe shumë aktivë në jetën virtuale, por psikikisht të vdekur në atë reale. Shumica gjendet në ndonjë portal social, por nuk shihen njëqind veta së bashku, që rebelohen kundër një klase injorante, që udhëheq shtetin, që as gjuhën shqipe nuk dinë të flasë si duhet!

Përgjegjësi nuk bart vetëm kjo kleptokracia e çimentuar, por çdo nëpunës, që i shërben kësaj ngrehine idiokratike! A dini ju brenda, se ne jashtë, as që marrim guximin të flasim për shtetet tona dhe udhëheqësit e saj? Jemi bërë gaz i botës, por juve, po ju pëlqen! Ne nuk po ju kuptojmë më. Nuk po ju marrim vesh më. Ne me përpjekje të mëdha, bëmë ndonjë hapa para, ju, me financimet tona, bëtë disa prapa dhe sot, duroni dhe talleni, qesheni dhe argëtoheni me të ligën, që keni luftuar dje te pushtuesi.

Meqenëse nuk keni dëshirë të veproni, atëherë mësojuni fëmijëve një apo dy gjuhë të huaja!

Merrni një hartë, shtrijeni mbi tryezë dhe kërkoni nga fëmijët tuaj symbyllur të vejnë gishtin mbi një vend. Shikoni cili shtet është fati i tij, sepse ju, nuk i besoni  punës, por fatit dhe fatalizmit: Filxhanëve të kafesë, fallxhorëve, ëndrrave dhe magjistarëve! 

Nëse fëmija ven gishtin në ndonjë oqean apo det,  ndihmojeni, shtyjani gishtin majtas apo djathtas, poshtë e lartë! Afrojeni pranë kontinentit, ku dëshironi të katapultohen nesër fëmijët tuaj: Europë, Azi, Amerikë, Australi apo në Zelandën e Re! Nuk është aspak me rëndësi largësia, por vetëm vendi i punës!

Tregojuni qysh nga klasa e parë, në cilin vend të botës duhet të vendosen nesër! Por, një gjë mos harroni: Tregojuni atyre kur të rriten se në vendin, ku shkojnë, ka shtet të së drejtës. Ju mund të arsyetoheni, se nuk kishit kohë për t’u ngritur në këmbë dhe për të kërkuar punësim, sepse ditë e natë, merreshit me debate, me kontribut social, domethënë, me thashetheme, me pallavra, me urrejtje, me kuvendime të kota dhe të shpifura.

Edhe një gjë mos harroni: Tregojuni fëmijëve qysh tani, sa lekë duhet të ju dërgojnë në muaj, sepse pensioni i vogël, nuk do të mjaftojë nesër për të gjalluar. Ose, nuk do ta keni fare, sepse ju ishit të papunë, jo me fajin tuaj, por me fajin e shtetit dhe se nuk erdhi askush në shtëpi të ju thërrasë: Eja, këtu ke zyrën me kompjuter, është turp të punosh tokën...

Përsëritjani fëmijëve çdo ditë, se ia keni falur jetën, por se ai mund i madh, ajo rraskapitje, ato djersë, të cilat i keni derdhur gjatë aktit të krijimit, kushtojnë dhe se duhet ta paguajnë me këste nesër. Muaj për muaj! Me Western Union apo me Paypal. Varet cili është më i shpejtë!

Tregojuni atyre se popujt e degjeneruar, që nuk kanë kohë të merren me telashet e huaja, u japin fëmijëve të rritur, u ndihmojnë në fillimin e jetës së pavarur, e nuk u marrin. Ata ishin të pamoralshëm dhe dëshironin të na shkatërronin edhe neve duke na sjellë homoseksualizmin!

Raportojuni siç e bëni në Facebook se ata “bythaxhi”, nga Europa, po duan të na fusin në Europë bythëpraps, por dërgoni fëmijët te ata dhe tregojuni, se keni luftuar me mish e shpirt, të vendosni se kush me kë duhet të shtrihet në shtrat dhe kush kë duhet të dashurojë dhe kush kujt duhet t’i prekë hashimin! Tregojuni, kështu arsyetoni për pamundësinë për të punuar për ta! Tregojuni se këta të pamoralshmit, në rast nevoje, u falin prindërve, por jo vëllezërve dhe motrave!

Mbushjani mendjen fëmijëve, se para se të kujdesen për mbajtjen e fëmijëve të vet, ata duhet të brengosen për fëmijët e prindërve. Tregojuni se ju nuk kishit kohë të merrni fatin në duar, sepse luftonit me celularë dhe nëpër media sociale për të imponuar dijen tuaj të madhe! Tregojuni se ishit veteranë virtual dhe respektplotë me mijëra ndjekës dhe kështu, duke dhënë shumë kontribut për shoqërinë, nuk kishit kohë as të flisni me ta!

Tregojuni se ishit gjeni, por se nuk ju kuptoi rrethi!

Tregojuni fëmijëve se detyrë kryesore është t’ju dërgohen juve lekë, jo të ruajnë për fëmijët e vet!

Kallëzojuni, se edhe nëse mbeten pa lekë, aty ku patën fatin dhe ku vunë gishtin, do të marrin ndihmë sociale, sepse ata “bythaxhitë” e pamoralshëm, respektojnë rendin kushtetues, janë budallenj dhe paguajnë tatime, madje mendojnë edhe për interesin publik, por mos u tregoni se këta të degjeneruar, rrëzojnë politikanin nga pushtetit edhe për dyshime, sepse këta të degjeneruarit, dëshirojnë shteti të udhëhiqet nga njerëz me moral dhe me dinjitet!  

Arsyetohuni para fëmijëve se kishit vënë re me kohë, se Kuvendi ishte mbushur me gjysmanalfabetë, se mbi shtatëdhjetë për qind e profesorëve, nuk kishin tituj shkencorë apo i kishin vjedhur, tregojuni se kishte gjykata dhe prokurori, që nuk funksiononin, tregojuni se ju ishit të mençur dhe e kishit vërejtur këtë, por nuk kishit kohë të ndërmerrni diçka, sepse ishit shumë të angazhuar në luftën për drejtësi në jetën virtuale! Tregojuni se keni parë qysh në fillim, si pasuroheshin politikanët kundërligjshëm, por se juve, ju vinte marre, të luftonit pasurimin e njeriut!

Mos harroni t’u tregoni, se keni luftuar padrejtësitë me pasion, por nuk mund të dilnit jashtë për të rrëzuar kleptokracinë, sepse, ose ishte shumë nxehtë, ose bënte shumë ftohtë, ose binte shi, ose binte borë dhe ja, këto ishin arsyet pse nuk punohej as toka dhe pse nuk mund të rrëzohej kriminaliteti i organizuar në skenën politike!

Hartën mos e harroni! Me gjuhën nisjani qysh sot, sepse me mbi dyzetë për qind të papunë dhe me mijëra që çdo vit shfaqen në tregun e punës, nuk do t’ia dilte në krye asnjë shtet i zhvilluar, prandaj, çdo ditë nja dy orë gjuhë të huaj dhe çdo ditë, rikujtojani se jetën ia keni shitur dhe borxhin, duhet ta kthejë, sot ose nesër! Me Western Union apo me Paypal.

Ekzistojnë dy mundësi: Ose rrëzoni pushtetarët e korruptuar dhe hajna, e ngrini lartë fëmijët tuaj, ose duroni ata dhe humbni fëmijët tuaj! Pra, ose të mburren fëmijët tuaj me ju në shtëpi, ose të turpërohen nesër me ju, por nga ndonjë cep tjetër i botës!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test