Shoqëria e mureve

Opinione

Shoqëria e mureve

Nga: Leonora Laçi Më: 12 tetor 2018 Në ora: 21:55
Leonora Laçi

S’dija t’i përshtasja një titull tjetër artikullit edhe pse kisha kohë që orvatësha të shkruaja për këtë temë.

Pse pikërisht “shoqeria e mureve”?! Sepse sapo kalojë pragun e shtëpisë përballem me mure, gardhe, të lartësive dhe trashësive  të ndryshme. Përballem me mure që mbi ta ngrenë krye lulet për të treguar se natyra është superiore ndaj veprimeve të njeriut, cilat do qofshin ato. Trashësia e murit ndryshon në varësi të statusit në shoqëri, sa më të lartë të të konsiderojnë aq më lartë ti i ngre muret, por sa më i lartë muri aq më i vogël je realisht.

Ndonëse jemi në shekullin e XXI, nganjëherë ngjanë sikur koha ka ngelur në vend për shqiptarët, këtë mund ta kuptojë çdo i huaj që viziton Shqipërinë, madje dhe ne vetë po e kuptojmë që hapat drejt emancipimit janë shumë të ngadalte.

Mjafton të ecësh në periferit e qyteteve për ta kuptuar të vërtetën për atë qytet, të  fshehta që  nuk thuhen me fjalë, kështuqë kupton misteret që  mbanë  në  gjirin e vet.

Megjithë përpjekjet e qeverisë komuniste për kolektivizimin, duket sikur ato përpjekje të dhunshme, kanë dhënë  efektin e kundert, jo vetëm që individualizmi ynë  është  shtuar si përgjigje kundërshtuese ndaj atij regjimi, një inat i shfryer me vonesë. Shqiptarëve iu morrë gjithçka që ishte pronë e tyre, u zhveshen nga identiteti, por kjo nuk e justifikon dëshiren e sotme për të ngritur mure e gardhe mes njeri-tjetrit, nuk flas vetëm për mure të prekshme, por për muret e padukshme, mos interesin për çështje që na prekin të  gjithëve, hipokrizinë  rreth nesh, për shkatërrimin e vlerave njerëzore, për mjerimin shpirterorë, për papërgjegjshmërinë.

Mure nuk ka vetëm në periferi, mure gjenë dhe rreth institucioneve shtetërore, apo institucioneve fetare. 

Muret sot na i vë dhe Bashkimi Europian me kushtet e saj për antarësim. Muret ia vëmë ne vetvetes me veprimet tona.

Muret e shoqerisë sonë dëshmojnë  për një  fanatizëm. Muret janë  një  tregues i mirë se jemi një  shoqëri në  zhvillim, ku socializimi dhe ndjenja e përgjegjësisë  kolektive është  në  nivele të  ulta.

Zhdukja e mureve mes njeri-tjetrit është një nga nevojat imediate dhe ky është predikimi më  i mirë  që  mund të  bëjnë;  familja, shkolla, feja, shteti etj.

Muret simbolizojnë frikën, pasigurinë, papjekurinë, mosbesimin e ushqyer me kohë, por a kemi nevojë për ta sot që teknologjia dhe globalizimi ka arritur majat?!

Mure që kanë veshë, mure që ishin, mure të ndertuara sëfundmi, mure të rrezuara e germadha a mure të fortifikuar.

Gjithçka sillet rreth mureve.

 Muri i Berlinit shënoi mbylljen e një kapitulli e fillimin e një të riu. Po ne a rrëzuam murin tonë që ndanë si me thikë botëkuptimet; qytetar-fshatar, katundar a malësor, verior a jugor, i krishter apo mysliman?!

A e kemi rrëzuar ne si Berlini mperden e hekur apo thjesht kemi lyer fasaden e Shqipërisë për tu dukur së jashtmi e re por së brendshmi është po ajo?! Edhe sa kohë na duhet për t’i rrëzuar muret?!

 Si duket ne preferojmë t’i kapërcejmë ato pa i prishur, duke ia lënë të tjerëve.

Por muret janë dhe ata që mbajnë historinë që nga lashtësia, vjetërsia e tyre flet për vjetërsinë  tonë, ekzistenca e tyre na dëshmon historinë që njohim. Në mesjetë, qytetet gjendeshin të rrethuar me mure për tu ruajtur nga barbaret, po ne sot nga kush ruhemi?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat