Retushimi i listës të veteranëve, thellon krizën - Bota Sot
Retushimi i listës të veteranëve, thellon krizën

Opinione

E hënë, 19 nëntor 2018

Retushimi i listës të veteranëve, thellon krizën

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 16 tetor 2018 Në ora: 10:58
Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Aleksandër Lumezi

Rritja artificiale e numrit të "veteranëve", është bërë qëllimshëm. Strukturat kriminale në pushtet, realizuan përfitimet e shumëfishta. Edhe pas denoncimit të qëllimeve të errëta e kriminale, pushtetarët kriminelë, hajna zyrtarë, karrieristë e rrugaçë, nuk heqin dorë nga privilegjet e tyre. Andaj, ngulmojnë në retushimin selektiv, duke ruajtur kuotën e nevojshme shifrore, që atyre u leverdisë, pavarësisht dëmtimit të milionave të buxhetit shtetëror.

Në treshen e parë reaguese ndaj Prokurorit Special, Elez Blakaj, ishin të tre të inkriminuarit: kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, kryeprokurori Aleksandër Lumezi. Trinomi i zi, në mungesë të fakteve, shpërthyen me të shara, deri në rrugaçëri. Kreu i Prokurorisë, Lumezi, në vend që ta përgëzonte e dekoronte vartësin e tij, Blakaj, si lake i pa dinjitetshëm, iu bashkua shefave të tij, rrastë të inkriminuar. Dhe, për çudë, në vend që të shkarkohet, si mbështetës i krimit, ai vazhdon sabotimin e pastrimit të listave të katërfishuara të "veteranëve" të rrejshëm.

Tendenca kamufluese e pastrimit të listave

Njëri nga shelegët e Lumezit është edhe Sylë Hoxha, i akuzuari i parë për kurbanizimin e aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari. Ai deklaron:

 "Nuk duhet fillu nga pika zero, jo duhet me shiku - disa lëshime - që ka kërku Gjykata"!!

Vallë, çfarë - lëshimesh - do të korrigjojë prokurori Syë, i cili zëshëm e bujshëm, pati deklaruar se "jam i gatshëm ta marrë përsipër ndjekjen penale të falsifikimit të "dëshmive të  veteranëve"!? A mund të quhen, thjeshtë, "disa lëshime", kur nga 46.355 përfitues të statutit të "veteranit", 33.655 syrësh janë "veteranë" të rrejshëm!

Shtrohet pyetja: A duhet bisturi, heqje, pastrim i së keqes apo retushim, vijëzim analog, pa ndryshime reale? Mendoj se nevojitet bisturia e kirurgut, thika operuese, për çrrënjosjen e tumorit kanceroz, heqjen e mijëra emrave të rremë, nga lista e veteranëve të vërtetë. 

Por, këtë nuk mund ta bëjë prokurori Sylë Hoxha me shokë, sepse ai me kolegët e tij, janë kapur nga mafia politike, janë robër të pushtetarëve, të kryeministrit dhe të bandës qeverisëse, të cilët ngulmojnë ta kalojnë makro hajninë zyrtare dhe ruajtjen e klientelës elektorale, "pa u lagur", pa u përballur me ligjin, tashmë, të bërë zhele, leckë.

Duket se i një mendjeje me Sylë prokurorin është edhe ish-kryeministri Isa Mustafa, i cili thotë: 

"Shfryrja e listave të bëhet nga ata që i kanë fryrë me ligj"!

Është iluzive që pastrimin e listave të rreme, ta bëjnë ndotësit e këtyre listave. Përkundrazi, të vërtetën për luftën, luftëtarët e saj, mund ta bëjnë komandantët dhe luftëtarët aktivë, në zonat luftuese. Dhe, assesi "komandantët" militantë partiakë, të cilët, përveç përfitimit material, nga shitja e mijëra "dëshmive të veteranit", realizuan edhe klientelën e përhershme votuese, elektorale, për partitë-banda, partitë e krimit.

Ish-kryeministri Isa Mustafa, si pjesë e krimit, tashmë, të bërë, sepse ai filloi lëvrimin, dhënien e shpërblimit për "veteranët", edhe pse e dinte se po bënte shkelje ligjore, hajni zyrtare, abuzim të buxhetit shtetëror, shpërdorim i detyrës zyrtare, si kryeministër i vendit, nga frika se turmat e urryera të të ashtuquajturës "Shoqata e Veteranëve të UÇK-së", do ta shkarkonin nga posti i kryeministrit.

Ish-kryeministri Mustafa shton: 

"Kërkoj tejkalimin e deformimeve me listat e veteranëve dhe përfitimet e pamerituara të një pjese të tyre"!

Termi "deformime", më kthen në kujtesë tej 50 vite më parë. Pas Plenumit të IV-të, të Lidhjes të Komunistëve të Jugosllavisë, ku u godit Aleksandër Rankoviqi, me klanin e tij serb, krimet e deriatëhershme të UDB-së jugosllave, deri në vrasje, ndaj shqiptarëve, trajtoheshin, falsifikueshëm, si "deformime"!

Ngjashëm, si propaganda jugosllave e Titos, të viteve `60-a, kur krimet i zbuste në "deformime", edhe Isa Mustafa krimin e hajnisë zyrtare buxhetore, prej tej 68 milionë eurove të deritanishme dhe, nëse vazhdon kjo listë paguese më tej, do ta arrijë shifrën prej miliarda eurove, e zbutë, e hiçson!

Minimizimi i numrit të "veteranëve" të rrejshëm, nga ish-kryeminstri Mustafa, dëshmohet kur thotë:

"...përfitimet e pamerituara të një pjese të tyre (veteranëve)"!

A mund të quhet "pjesë", kur nga 46.355 "veteranë", 33.655 syrësh janë të rrejshëm!

Ndërkohë, Ramush kryeministri, kryetari i Komisionit Verifikues të Veteranëve të UÇK-së, Agim Çeku, si dhe Shoqata e Veteranëve të UÇK-së të Dukagjinit, nuk po mjaftohen me trefishimin e numrit të "veteranëve", por, ngulmojnë në rritjen e katërfishtë të tyre!!!

Parësia e nismës nga zero e regjistrimit të veteranëve

Përgjatë shekujve shqiptarët janë shquar si luftëtarë mërcenarë, por jo edhe si luftëtarë kombëtarë. Dëshmi faktike është se shqiptarët ishin të fundit në Evropë që u pavarësuan, madje, jo me luftë, por në tavolinë, nga disa shtete mike, të prirë nga Austro-Hungaria. Zviceranët e pranojnë mërcenarizmin e tyre, por, habitën pse shqiptarët e fshehin këtë për vetën e tyre?!

Nga historia botërore mësojmë se popujt e pushtuar, kur u është bërë thirrje për luftë çlirimtare, janë përgjigjur, angazhuar në luftë 8 deri 12% e popullatës. Për keqardhje, në Kosovë luftës iu përgjigjën vetëm 05% e popullatës!

Koritjen për luftë të shqiptarëve, një grup horrakësh, provuan ta mbulojnë, duke huazuar mërcënarizmin ndër shekuj, duke i paguar luftëtarët e rremë, për t`i njollosur edhe ata të vërtetit. Por, rritja enorme artificiale, bie ndesh me humbjen e luftës në fushë-betejë dhe refugjimin, ikjen masive të shqiptarëve të Kosovës, tashmë, të njohur me - ekzodin biblik -.

Si duhej të trajtohej e veprohej me luftëtarët e lirisë në Kosovë:

1. Lufta për Atdhe është detyrë dhe askush nuk guxon të kërkojë shpërblim, për angazhimin në luftën çlirimtare. Por, nëse pjesëmarrja në luftë, do të trajtohej, jo vetëm me shpërblim moral, por, edhe material, duhej kujdes i shtuar, për të mos e mërcionalizuar popullin;

2. Ngeshëm e saktësisht duhej të kategorizoheshin e listoheshin pjesëmarrësit në luftë - me pushkë në dorë -. Punësimi mbi bazën e aftësive ose ndihma sociale jetësore dhe jo në nivelin e mëshirës, duhej të rregullohej me ligj, deri në punësim. Ndërsa, nëse do të vendosej për shpërblim material, kjo duhej të ndodhte pas pensionimit, një shtesë 100 euro, ashtu siç është vepruar pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

3. Të evidentohen të gjithë ata që u angazhuan, për ta ndihmuar luftën: strehuesit dhe ushqyesit e luftëtarëve;  furnizuesit me armë dhe bazë tjetër materiale. Këtu hynë shërbyesit e Emergjencës, Prapavijës, përfshirë kuzhinierë, mjekë, aktivistë për begatimin e fondeve për Kosovën e deri ke shtabistët e agjituesit për luftën, (përjashtim bëjnë reporterët në vijën e frontit), por, që janë jashtë vijës të operacioneve luftarake.

Dhe, i gjithë ky kontigjent duhet të nderohet me - Mirënjohje -, për kontributin, ndihmën e dhënë, para dhe gjatë luftës, ashtu siç më është dhënë edhe mua, (autor i këtij shkrimi), por, pa shpërblim material.  Në të kundërtën, unë do ta konsideroja vetën mercenar, me pagesë, duke mos e merituar asnjë fije respekti, për kontributin e dhënë për luftën.

Stopimi i pagesës, zbutja e rrjedhojave të krimit ekonomik

Tashmë krimi ka ndodhur. Tej 68 milionë euro të vjedhura zyrtarisht, nga "veteranët" e rrejshëm. Spastrimi listave, është "përrallë me tupan"! Ramush kryeministri dhe kryetari i Komisionit të Veteranëve të  UÇK-së, gjeneral Agim Çeku, legalizojnë hajninë zyrtare, madje, duke e mbrojtur me fanatizëm!

Fillimi nga zero i dokumentimit, regjistrimit të veteranëve të faktuar, është e vetmja zgjidhje reale e kësaj krize, të shkaktuar për qëllime të poshtra profitabile e kriminale, nga eksponentë të krimeve të dëshmuara. 

Shkarkimi i Komisionit aktual për Verifikimin e Veteranëve; shkarkimi i Kryeprokurorit, me disa nga prokurorët e tij sabotues të ndjekjes penale, deri në stopim, për falsifikatorët e "dëshmisë të veteranit", është domosdo. Ndjekja penale e tyre, shton seriozitetin, për dalje nga kriza e thellë, e vjedhjes të buxhetit shtetëror, edhe pse "me faqe të zezë".

Një masë e tillë paraprake, do të ndikonte drejtë për së drejti, tek të gjithë aplikuesit e rrejshëm herën e parë dhe, assesi, nuk do të aplikonin për herë të dytë. Dhe, kjo do të ishte një lehtësim i madh për Komisionin e ri Verifikues të Veteranëve. Sepse aplikuesit do të mendoheshin mirë, të mos e thellonin turpërimin vetanak, para se të aplikonin rrejshëm për "veteranë".

Lexuesi i vëmendshëm, opinioni i gjerë, gjithsesi, do ta aprovonte një nismë të kësaj metodologjie, për ta lakuriqësuar të vërtetën absolute, të numrit faktik të luftëtarëve, të cilët, vërtet, meritojnë emrin shumë të nderuar të - Veteranit të UÇK-së.

Në të kundërtën, mjegullnaja e qëllimshme aktuale, do ta thellonte krizën, të cilën e nismuan dhe e realizuan "komandantët" kriminelë, për përfitime materiale dhe klienteliste elektorale të përjetshme. "Turp e ndot", - thoshte një veteranë dinjitoz i letrave.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test