Një harresë e qëllimshme - Bota Sot
Një harresë e qëllimshme

Opinione

E mërkurë, 21 nëntor 2018

Një harresë e qëllimshme

Nga: Eshref Ymeri Më: 16 tetor 2018 Në ora: 21:28
Eshref Ymeri

Para pak ditësh dhe pikërisht më 12 tetor, u përkujtua 60-vjetori i hapjes së Shkollës së Mesme  Pedagogjike në Vlorë (1958-2018). Tani ajo shkollë nuk funksionon më. Në vend të saj është ngritur dhe vazhdon veprimtarinë e vet Instituti i Infermierisë.

Me këtë rast, u zhvillua një aktivitet përkujtimor, në të cilin morën pjesë ish-nxënës të asaj shkolle, të cilët qenë ulur për herë të parë në bankat e saj. Ata kishin ardhur nga shumë qytete të vendit, si Berati, Fieri, Gjirokastra, Lushnja, Shkodra, Tirana. Të pranishëm ishin edhe të ardhur nga emigracioni, gjer edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Dikur nxënës njomëzak, të moshës së pararinisë, tani ishin pushtuar nga thinjat e viteve që kanë lënë pas. Si dikur në klasat e asaj shkolle, të pranishmit thoshnin emrin dhe vitin kur kishin mbaruar maturën. Sigurisht që emocionet ishin të fuqishme. Domosdo. Gjithsecili e ndiente në qenien e vet peshën e gjashtëdhjetë viteve që i rëndonte mbi supe. Sado shumë vite të kalojnë, vitet e shkollës çdonjërit i mbeten të skalitura në honet e kujtesës, jehona e tyre ushton deri në çastet e largimit për në botën e përtejme. Prandaj të gjithë të pranishmit vitet e shkollës i kujtonin me një emocion të jashtëzakonshëm. Sepse ajo shkollë pedagogjike dhe profesorët e saj, nxënësve ua patën skalitur një herë e mirë në mendje atë shprehjen e bukur me vlera aforistike:

“Jeta është shkollë”.

Prandaj jo më kot, shkrimtari dhe gazetari i njohur polak Gabriel Laub (1928-1998), i përmendur për morinë e aforizmave që u ka lënë brezave pasardhës, thotë:

“Ne gjithë jetën mësojmë, pa llogaritur një dhjetëvjeçar që e kalojmë në shkollë”.

Nismën për zhvillimin e atij aktiviteti përkujtimor, e pati marrë një komision prej tre vetash, me në krye ish-nxënësin e maturës së vitit 1963, zotëria Sulçe Çela, i cili profesionin e mësuesit e pati ushtruar për vite me radhë, duke mbuluar edhe detyrën e drejtorit të Shkollës 8-vjeçare të Kotës, tani në moshë pensioni. Mes të pranishmëve ishin prof.dr. Spiro Çaushi, pedagog i Universitetit “Ismail Qemali”, në të cilin ka kryer funksionin e rektorit dhe të zëvendësrektorit. I pranishëm ndodhej edhe Skënder Kamberi, ish-pedagog i kësaj shkolle, Artist i Popullit.

Takimin e çeli një ish-nxënës i maturës së parë, i cili uroi mirëseardhjen në atë takim përkujtimor. Në shenjë nderimi, ai lexoi një listë shumemërore  të shokëve e shoqeve që nuk jetojnë më, për të cilët u mbajt një minutë heshtje.

Fjalën kryesore e mbajti organizatori Sulçe Çela, i cili foli për historikun e shkollës, për stafin pedagogjik shumë të përkushtuar, me në krye drejtorin e jashtëzakonshëm, Mësuesin e Popullit Harilla Kuçuli,  Kristaq Suli, Marika Bezhani, Epaminonda Papakroni,  Vangjel Pici, Kastriot Misja, Bubulina Arapi, Xhevdet Kofina,  Koço Baltatori etj. Më pas Sulçe Çela foli për brezat e mësuesve që ka nxjerrë kjo shkollë, duke përmendur veçanërisht emrat e disa personaliteteve që kanë dalë nga bankat e saj, si aktori i njohur prof.dr  Birçe Hasko, Mjeshtër i Madh, aktori Anastas Kristofori, prof.dr. Agron Duro, akademik Xhevahir Spahiu, Mjeshtri i Madh i Sportit Gani Mezini, prof.dr. Rahmi Memushaj, gjuhëtar i njohur.

Por në fjalën e vet, zotëria Sulçe Çela, kishte harruar qëllimisht të përmendte emrin e një personaliteti të shquar të kulturës shqiptare, emrin e maturantes së vitit 1962, zonjës Vilhelme Vrana Haxhiraj, Mjeshtre e Madhe e Penës, shkrimtare, poete dhe publiciste e talentuar, autore e 45 librave të botuar në disa gjini letrare, mes tyre 20 romane. Zonja Vilhelme ka rënë në sy me kohë për publicistikën e saj nacionaliste dhe aktivitetin e saj të shquar në këtë fushë të dijes e ka konkretizuar me botimin e disa librave. Mes tyre duhet përmendur libri që i ka kushtuar përsonalitetit të madh të kulturës botërore, prof.dr. Isuf Luzaj, që mban titullin “Rrugëtimi filozofik i prof.dr. Isuf Luzajt”, dhe libri tjetër me titull “Tradhtia e Madhe ndaj Kombit”, dy vepra këto të nivelit akademik.

Krijimtarisë së zonjës Vilhelme i janë bërë vlerësime me mirënjohje dhe me 22 çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, ndër të cilat veçohen Mirënjohje (Vlorë, Kaninë, Prizren, Greqi, Rumani), Çmimi i parë (Shqipëri, Mali i Zi, Suedi), Çmimi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” (Itali), Çmimi “Premio Internazionale di Poezia (Firence, Itali, 2011, ku ishte e vetmja autore shqiptare mes 100 autorëve nga e gjithë bota, të përfshirë në antologjinë italiane në tre vite - 2010-2012), tre Çmime karriere. Ajo është përzgjedhur dy herë personazh i vitit dhe ka marrë medalje argjendi, është vlerësuar me “Penën e Kristaltë” në Suedi, ka marrë “Medalje Ari”me rastin e dekorimit nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Mjeshtre e Madhe e Penës”.

Po atëherë si është e mundur që zotëria Sulçe Çela, në ceremoninë festive në përkujtim të 60-vjetorit të Shkollës Pedagogjike “Jani Minga”, në listën e personaliteteve që kanë dalë nga bankat e asaj shkolle, nuk e përmendi emrin e zonjës Vilhelme?

Pëgjigjja është e thjeshtë:

Zonja Vilhelme vjen nga shtresa e të përndjekurve politikë. Babain e saj të nderuar, me prejardhje nga një familje fisnike kaninjote, regjimi diktatorial i kriminelit  Enver Hoxha e burgosi padrejtësisht në vitin 1951. Zonjën Vilhelme e patën përjashtuar nga universiteti në vitin 1966, kur i kishin mbetur pa dhënë tre provimet e fundit të diplomës. Universitetin, degën e historisë, zonja Vilhelme e mbaroi në vitin 1975, duke vazhduar punën si punëtore. Por edhe pas marrjes së diplomës nuk e lejuan të punonte në arsim si mësimdhënëse. Sepse shefi i seksionit të arsimit i pati deklaruar në zyrë:

“Ti nuk mund të punosh në arsim, sepse nuk je në gjendje të zhvillosh luftën e klasave”.

Sigurisht që zonja Vilhelme nuk ishte në gjendje të zhvillonte luftën e klasave, me të cilën Enver Hoxha i shkaktoi popullit shqiptar gjëmën e përçarjes së madhe, në përputhje me orientimet e Beogradit, i cili, sipas historianit dr. Kastriot Dervishi, i pati vënë atij tre objektiva kryesore: shndërrimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë në agjenturë të Beogradit, futjen e vendit në luftë civile dhe shfarosjen e përfaqësuesve të  nacionalizmit shqiptar. Zonja Vilhelme nxënësve të vet nuk mund t’u fuste në gjak urrejtjen e shqiptarit për shqiptarin, sipas idesë kriminale të Enver Hoxhës. Formimi i saj intelektual, në vazhdën e traditave atdhedashëse nacionaliste, e nxiste që ajo t’i edukonte nxënësit me frymën e dashurisë së shqiptarit për shqiptarin, me frymën e respektit për njëri-tjetrin, me qëllim forcimin e unitetit mbarëshqiptar.

Dhe zonja Vilhelme vazhdoi të punonte si punëtore deri në vitin 1990. Vetëm pas ndërrimit të sistemit, zonjës Vilhelme iu dha mundësia të punonte në arsim. Por profesionin e mësueses në Shkollën “Ismail Qemali”, zonja Vilhelme e vazhdoi deri në vitin 1997. Pikërisht këtë vit e larguan nga arsimi. Me sa duket, valët e luftës së klasave nuk qenkeshin fashitur pas ndërrimit të sistemit. Përvoja e deritanishme në jetën e vendit tonë ka vërtetuar në praktikë se te ne nuk u bë përmbysja e sistemit komunist, u bë vetëm ndërrimi i tij me një sistem neokomunist. Ky sistem i ri, neokomunist, nuk i persekuton haptas përfaqësuesit e shtresës së të përndjekurve politikë: nuk i burgos, nuk organizon demaskime publike,  nuk i internon, por përdor kundër tyre një tjetër model lufte klasash: të përndjekurit politikë i braktis, i anashkalon, nuk u kthen pronat (sipas porosisë së kriminelit Ramiz Alia), përdor kundër tyre armën e heshtjes, armën e urisë dhe të shpërfilljes tërësore.

Majtizmi shqiptar, në heshtje të kujdesshme, nuk i respekton përfaqësuesit e shtresës së të përndjekurve politkë, i përjashton nga politika, sepse ata kanë pasë qenë edukuar me traditat e nacionalizmit shqiptar, kurse nacionalizmi, për majtizmin shqiptar, është një ideologji “antikombëtare”, në përputhje të plotë me politikën e grekosllavizmit.

Kjo është arsyeja që për zonjën Vilhelme, megjithëse ka qenë anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe aktiviste e shquar e lëvizjes demokratike, asnjëherë nuk u kujtua kush nga radhët e funksionarëve të lartë të kësaj partie që ta përfshinin në listën e kandidatëve për deputetë. Do të ishte në nderin e parlamentit shqiptar që të kishte në radhët e deputetëve një zonjë të nderuar, me prejardhje nga një familje me brumosje nacionaliste. Nuk u kujtua kush, sepse shumica dërrmuese e krerëve të asaj partie mbartte me vete mendësitë e edukatës komuniste: elementi nacionalist nuk duhet të ketë vend në parlamentin shqiptar. Dhe, për fatkeqësinë tonë kombëtare, gjatë këtyre 28 vjetëve që kanë kaluar pas ndërrimit të sistemit, në parlamentin shqiptar, si në asnjë vend tjetër të botës, nuk ka një krah nacionalist. Dhe nuk mund të ndodhte ndryshe. Sepse majtizmi shqiptar, antinacionalist, ka pushtuar çdo pore të jetës shqiptare. Themelet prej “betoni” të majtizmit shqiptar, të kësaj ideologjie antikombëtare, u hodhën në aleancën e Partisë Demokratike me Lëvizjen Socialiste për integrim para zgjedhjeve politike të vitit 2009. Kurse në takimin e fshehtë prej pesë orësh të Lulzim Bashës me Edi Ramën më 18 maj 2017, ato themele “u betonuan” edhe më shumë. Sepse Lulzim Basha, me “çimenton”  e markës më të fundit që i solli Edi Ramës në atë takim të fshehtë, i çelikosi përfundimisht ato themele.

[Për dijeninë e lexuesve të nderuar, majtizmin shqiptar e vlerësoj si një ideologji antikombëtare, për arsye të lëshimeve skandaloze të njëpasnjëshme që i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë politikës greke në dëm të interesave tona kombëtare, për braktisjen e Çështjes Kombëtare të Çamërisë dhe për qëndrimin shpërfillës ndaj Kosovës, krerët politikë të së cilës e kanë shndërruar në një “koloni të pavarur” të shovinizmit serbokaragjoz.]

Pikërisht këto janë arsyet se pse zotëria Sulçe Çela, në ceremoninë festive nuk e përmendi emrin e zonjës Vilhelme, si një figurë e shquar e kulturës shqiptare. Si një përfaqësues i majtizmit shqiptar, zotëria Sulçe Çela, duke mos përmendur në fjalën e tij emrin e zonjës Vilhelme në ceremoninë festive të 60-vjetorit të Shkollës së Mesme Pedagogjike “Jani Minga”, dëshmoi më së miri se ai nuk ka lëvizur as edhe një fije nga piketat që ka vendosur neokomunizmi shqiptar në qëndrimin ndaj përfaqësuesve të shtresës së të përndjekurve politikë, figurat e shquara të së cilës i ka mbuluar me një heshtje të plotë. Por gaboi. Se dielli me shoshë kurrë nuk mbulohet.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test