Mediat dhe Politika: Lajmi greko-serb ka vërshuar opinionin publik të Tiranës dhe të Prishtinës

Opinione

Mediat dhe Politika: Lajmi greko-serb ka vërshuar opinionin publik të Tiranës dhe të Prishtinës

Nga: Gëzim Mekuli Më: 19 tetor 2018 Në ora: 14:06
Gëzim Mekuli

Gazetaria shqipe dhe opinioni publik i Tiranës dhe i Prishtinës është i vërshuar nga “lajmi serb dhe ai grek”. Lajmi për kulturën, artin, turizmin, shkencën, dashurinë e filozofinë është i rëndësishëm, por “lajmi politik” është lajm i ndërlikuar dhe me një përgjegjësi të madhe profesionale e kombëtare.

Media shqipe e varur nga lajmi greko-serb?

“Lajmi politik greko-serb” për shqiptarët, dhe jo vetëm ky, është lajm i ndërtuar kryesisht nga perspektiva gjeopolitike greko-serbe. Të jem i qartë, “lajmi politik” greko-serb, sheh shqiptarët nga perspektiva politike, ekonomike greko-serbe, dhe nga qëllimet kulturore-etnike greko-serbe.

Ndërtimi i lajmit dhe informacionit duhet të fillojë nisur nga perspektiva kulturore, historike e sociale. Sepse përpos vlerave tjera, përcaktuese që ka “lajmi politik”, ai ka edhe vlerat sociale, nacionale e kulturore. Nisur nga kjo perspektivë kuptojmë se shumë redaktorë shqiptarë të Prishtinës dhe të Tiranës, nuk kanë guximin, që në mënyrë të mosvarur, të lejojnë të kritikohet, të debatohet dhe të “skenohet” rrjedha e politikave serbe dhe atyre grek në hapësirat shqiptare.

Dy Televizionet shqiptare publike, TVSH dhe RTK, duan që media shqipe të përkthejë dhe të citojë besnikërisht, agjencitë informative greko-serbe dhe gazetarinë greko-serbe. Por kjo është e rrezikshme dhe e dëmshme, të nderuar lexues.

Pse është e dëmshme kjo?

Është e dëmshme sepse përmes “lajmit politik” serb, parë nga perspektiva serbe, ne keqinformohemi, keqndikohemi dhe përforcojmë idenë se politika serbe e Beogradit është e drejtë, e pamposhtur dhe fituese. Përpos të tjerash, “lajmi politik” serb është i mbështjellë me përbërës të propagandës dhe të retorikës së luftës. E ky marifet në shkencat e medias dhe të retorikës njihet edhe si “public diplomacy”. Njësoj siç është e mundur të ndërtohet e të lançohet lajmi përmes argëtimit (infotainment = information + etnertainmet), po ashtu mund ta ndërtojmë e ta lançojmë lajmin politik përmes gjuhës së propagandës.

Gjuha politike dhe gazetareske e “lajmit serb”, si për shembull: "femra kosovare" (nuk ceket shqiptare), "këngëtarja kosovare" (nuk ceket shqiptare), “nuk do të lejojmë vrasjen e serbëve”, “Kosovo je Srbija”, “Kosovo i Metohija” etj, dëshiron të krijojë një realitet të ri politik në Ballkan.

Kush i prodhoi këto fjalë?

Këtë gjuhë, në lajmin politik serb, e bëri redaktori dhe politikëbërësi serb, jo shqiptar. Kësisoj “gjuha e “lajmit serb” ka “ndërtuar” një konstruksion i cili sajon fotografi të cilat “shpjegojnë realitetin e rëndë të serbëve” në Kosovë. Shprehjet gjuhësore kanë forcë të madhe që të ndërtojnë “realitete”. Shembull: “Kosovo je Srbija”, "camët ishin bashkëpunëtorë të nazizmit", "Epiri verior", "pakti me detin", pastaj fjalët si “serbë ruajnë qetësinë”, “të mos tentojnë t’i sulmojnë serbët me armë”, "Shqipëria e madhe", “Prishtina po luan lojëra lufte”, etj., etj.

Përmes gjuhës së lajmit politik serb, bindemi se “ky lajm” nuk reflekton realitetin politik paanshëm. “Lajmi politik” serb tenton të ndërtoj “fotografi tjetër” përmes përzgjedhjes së fjalëve, figurave retorike, siç është rasti me krahasimin -apo ndërtimin sintaksor të fjalisë.

Moment tjetër i rëndësishëm për gjuhën e këtij “lajmi”, e i përkthyer në shqipe nga gazetarët shqiptarë, – është se ndërmjetësimi i realitetit ndërtohet nga një perspektivë e caktuar sociale, kulturore e politike. Parë nga lajmi i Beogradit dhe ai i Athinës është se Prishtina dhe Tirana janë agresive dhe pushtuese! Shtrohet pyetja; si po informohet publiku shqiptar përmes lajmit greko-serb?

Momenti tjetër e i rëndësishëm, që mund të nxjerrim nga citatet e mësipërme të lajmit të greko-serb, është se gjuha nuk bartë vetëm informacione dhe njohuri të padjallëzuara mbi botën, por kjo, gjithashtu, shpreh emocione dhe qëndrime ndaj ndodhive që na rrethojnë. Për shembull: Fjala e lajmit serb: “Kosovo je Srbija”, është pushtuese dhe na kthen në luftën e vitit 1999.

Gjuha pra nuk është mjet me vlera neutrale. Ajo është e mbushur me konotacione pozitive dhe negative. Edhe vetë zgjedhja në mes fjalës "kosovare" dhe "shqiptare", “luftë” dhe “mbrojtje”, shpreh po ashtu një ndryshim vlerash, pasiqë fjala “luftë” zgjon konotacione negative, ndërsa fjala “mbrojtje” nuk e ka një kuptueshmëri të tillë. Poashtu fjala"kosovare" apo "kosovar" ka konotacione politike dhe qëllime ideologjike, ndarjen e "kombit kosovar" nga kombi shqiptar.

Gjuha e lajmit nuk është jashtë realitetit, por është pjesë e saj dhe ndikon në të. Kur përdorim gjuhën, ne definojmë dhe “prodhojmë realitetin”. Përzgjedhja e shprehjeve gjuhësore në ndërtimin e lajmit, është çdo herë veprim politik dhe asesi një veprim i pafajshëm dhe “engjëllor”.

Pyetja e madhe: Kush po ndërton lajmin politik shqiptar për shqiptarët? Nga cila perspektivë kulturore, politike dhe gjuhësore po “ndërtohet” ky lajm e kjo fotografi politike?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat