Shpërthimi i ambicieve për pushtet vetjak, dëmtim i çështjes kombëtare!

Opinione

Shpërthimi i ambicieve për pushtet vetjak, dëmtim i çështjes kombëtare!

Nga: Sami Arifi Më: 20 tetor 2018 Në ora: 13:46
Sami Arifi

Disa pushtetarë duhet të harrojnë përvojën që po përdorin me energjitë e tyre për të ndërtuar pushtet vetjak, me ndihmën e faktorëve më keqdashës, kundër shtetit dhe popullit tonë.

Në kohërat kur kishte ardhur çasti historik që shqiptarët t’i vinin kurorë mëvetësisë së tyre, pikërisht në këto çaste shpërthejnë ambiciet vetjake të pushtetarëve, shpërthejnë veprimet shkatërrimtare të tyre ndaj mëvetësisë së popullit tonë.

Udhëheqësit shqiptarë, sot, duke kërkuar parësinë në krye të shtetit, në fakt ata po plagosin rëndë pavarësinë e tij, pra këto janë arsyet pse vendi edhe sot po ngel më i prapambeturi në regjion edhe pse me burime natyrore më i lakmuari ndoshta edhe në shkallë botërore.

Shtrohet pyetja se sa brendësia e njeriut mund të ndikojë mbi jashtësinë e ngjarjeve dhe procesve që ndodhin sot në shoqërinë tonë.

Për të pasur një tërësi me vlera të përgjithshme, duhet t’i largojmë elementet e këqija në brendinë e trupit dhe mendjes sonë, para se gjithash, në kokat e udhëheqësve të kombit tonë.

Kur shkatërrohet e përgjithshmja, s’mund të mbrohet vetvetja, nga se s’është interes i askujt që të mbrohet.

“Armiku numër një i shqiptarëve është vetvetja” sepse  ata (shqiptarët) zihen keq në mes tyre dhe për probleme vetiake ata i lënë mënjanë problemet dhe interest e përbashkëta” - thoshte Edith Durham.

“S’ka asgjë që do të mund ta mësojë menjëherë! Sido që të jetë, unë, që nga mituria kam pas dëshirë të madhe t’i kuptojë gjërat e urta dhe të mira të kohëve të kaluara. Është mëkat për një artist, nëse ai nuk pandeh mungesën e një dëshire të tillë si njëlloj faji, dhe, nuk përpiqet ta plotësojë këtë boshllëk”-thoshte Ludwvig van Beethoven.

Deri kur duhet të pritet prej udhëheqësve tanë të ndihen si fajtorë për mosrealizimin  e dëshirës së popullit për një jetë më dinjitoze?, deri kur duhet pritur që udhëheqësit tanë, nga gabimet që janë bërë nëpër kohë, të mësohen?. Deri kur duhet pritur që ata të bëjnë heqjen e ambicieve për pushtet vetjak? Deri kur populli do të varet nga këta politikaj të pandërgjegjshëm?... e të tjera e të tjera.

Gjendja ekonomike e një populli  është në varshmëri të politikës që udhëheqin pushtetarët në atë shtet, nëse politikat e pushtetarëve e lënë të varfër popullin, populli varet prej tyre, pra populli është i varur nga pushtetarë derisa ata udhëheqin politika jo frytëdhënëse për zhvillim ekonomik. Kjo gjendje ndërrohet me ndërgjegjësimin demokratik të popullit, duke filluar nga partitë politike, duke marrë iniciativa në parti politike, nga poshtë lartë, për t’i vu në binar proceset demokratike në aspektin politik.

Vendi është i pavarur, kur populli është i pavarur; populli është i pavarur, atëherë dhe vetëm atëherë kur menagjohen politika ekonomike zhvillimore. Menagjimi i shtetit, në mundësi të zhvillimit ekonomik, hap rrugë të pavarësimit të sovranitetit kombëtar. Pa zhvillim ekonomik s’ka sovranitet kombëtar, dhe anasjelltas. Dhe së fundi uroj që shpërthimi i ambicieve për pushtet vetjak të jetë shpërthim i ambicieve për zhillim ekonomik, që njëherit do të jetë edhe pavarësim i shtetit në sovranitet kombëtar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat