Kosovës i duhen tri ditë zie - Bota Sot
Kosovës i duhen tri ditë zie

Opinione

E diel, 18 nëntor 2018

Kosovës i duhen tri ditë zie

Lis Bukuroca Nga Lis Bukuroca Më 22 tetor 2018 Në ora: 19:26
Vasfije Krasniqi - Goodman

Kryetari i shtetit tha se Vasfije Krasniqi-Goodman, është heroinë e gjallë e Republikës së Kosovës. Ajo zonjë fatkeqe, si edhe shumë të tjera, nuk janë heroina, por viktima të trefishta.

Në radhë të parë, ajo ishte viktimë e një politike fashiste të Serbisë, të Millosheviqit dhe pinjollëve të tij, që sot qeverisin vendin fqinj dhe me të cilët, kryetari bën negociata. Megjithatë, ai nuk ka hedhur kurrë në tryezë, edhe pse ka pasur mundësi, dramën e grave të traumatizuara. Ajo zonjë dhe shumë si ajo, u viktimizuan për herë të dytë, u anonimizuan dhe u shpërfillën nga shumica e partive politike dhe qeveritë e Kosovës pas luftës. Dhunuesi i saj, punoi 16 vite në policinë e vendit, pra në atë shtet, ku Hashim Thaçi, ishte ndër politikanët kryesorë apo në dhjetë vitet e fundit, kryesori. Ajo zonjë dhe mijëra si ajo, nuk u morën kurrë seriozisht dhe dhembjet e tyre, nuk u shqyrtuan kurrë në Kuvend dhe nuk u caktua kurrë një Ditë Zie. Për të tretën herë, u viktimizuan ato gra, kur drama e tyre nuk u ndoq penalisht, nuk u proceduan fajtorët, nuk u ngrit akuzë dhe nuk u burgos askush!

Kryetari rrëfimin e saj e konsideron si “thirrje për ndërgjegjen institucionale dhe shoqërore në Kosovë!” Ai që kërkon ndërgjegjësim institucional, ka qenë kryeministër dhe në vija të trasha dhe të holla, ka udhëhequr politikën e Kosovës. Ai nuk ka institucionalizuar askund dhunimin e grave, as nuk e ka bërë si parakusht për fillimin e bisedimeve, siç nuk ngul këmbë edhe në sjelljen e mbetjeve të diku 3.000 të varrosurve nëpër Serbi. Kryetari është kryetar edhe i më shumë se 45 mijë veteranëve antishtet, që vjedhin buxhetin e vendit, por nuk ka dalë kurrë, me një kërkesë që ato para, t’u jepen grave të dhunuara edhe pse ato kanë protestuar publikisht qysh në vitin 2012, kur Thaçi ishte kryeministër. (Drejtësi për gratë e dhunuara gjatë luftës.)

Me paratë e atyre veteranëve të rrejshëm, ka mundur të ndihmohen ato gra. Kosova sot me arsimin gjysmanalfabet, po përgatit brezin, që do të zbrazë nesër vendin, sepse kjo rini sot, po mësohet se si pasurohet njeriu padrejtësisht, si fshihet krimi, si fshihen gjurmët, si shiten notat, si doktorohet me vjedhje, si kultivohet dyfytyrësia dhe ky do të jetë brezi i fundit, që do t’i japë vendit nesër goditjen fatale! Sepse, ju politikanët e pasluftës, jeni përgjegjës për shkëmbimin e vendeve në mes dijes dhe injorancës!

Kryetari pati qëndrim manipulues dhe deklarata e tij në facebook, tregon, se ai, abuzoi edhe një herë me atë zonjë. Ai pas ndërgjegjes institucionale dhe shoqërore, - kjo institucionalja udhëhiqet prej tij, kurse shoqërorja janë të gjithë dhe askush,-  i qaset “ndërgjegjes së drejtësisë ndërkombëtare, sepse e vërteta po thuhet, por drejtësia nuk po zbatohet.”

Merreni me mend ju lutem! Merreni me mend, kryetari i shteti përsëri fajëson të tjerët, por jo mosveprimin e vet!  Një kryetar që ka dy palë mend në kokë, dinë shumë mirë, se drejtësia nuk merret me çështje për të cilat nuk janë ngritur akuzua. Për t’ u ngritur një akuzë, duhet mbledhur provat si dhe dëshmitarët. Pasi të jetë shkruar ajo, i dorëzohet një gjykate në vend, ose jashtë, ose kryetari e përmend në takime të ndryshme. Ose, ajo zonjë, do të merrej në OKB, dhe në vend që skuadra të bënte sfilatë duke u përpjekur të fotografohet me ndonjë personalitet të huaj, do të fliste ajo në emër të mija grave! Kryetari nuk e ka bërë kurrë, nuk do ta bëjë kurrë, por do të kërkojë drejtësi pa ngritur akuzë!  Kësaj i thonë, të thuash diçka, pa thënë asgjë me vlerë!

Kështu përfundon mendimin e tij: “Të mbijetuarat e dhunës seksuale në Kosovë kanë nevojë për përkrahjen e tërë shoqërisë sonë, për mbrojtje institucionale dhe për drejtësi.”

Jo kryetar, jo, ato nuk kanë nevojë për përkrahjen e shoqërisë, por pikësëpari për të qenë të kuptuar në familje, ku jetojnë. Patriarkalizmi shqiptar pengon ato gra për të dalin me të vërtetën dhe të ndikojnë në burgosjen e kriminelëve, ose së paku, të dobësojnë pozitën e Serbisë së rehabilituar nga heshtja! Pikërisht, ai patriarkalizëm primitiv, ka ndikuar që sot, të heshtin shumica dhe të shpëtohen nga një akuzë dhe nga një arrestim i mundshëm, kriminelët e ushtrisë serbe.

Nuk është turp të jesh viktimë e një barbarie fashiste, nuk është turp të denoncosh përdhunimin seksual, por turp është, të fshihet krimi, sepse shpërblehet krimineli!

Sikur të ishin dhunuar dhjetë gra serbe, Serbia do të sillte fakte alla Qosiqi dhe do t’i kishte regjistruar 1.000, dhe,  për ta ngritur në fakt, do t’u kishte akorduar edhe pensione. Kështu do të nënvizonte terrorizmin shqiptar dhe do ta shpërndante nëpër botë! Te ne supozohet me 20.000, publikisht kemi vetëm një. Shteti nuk ndërtohet duke fshehur krimin, por duke luftuar atë, përndryshe institucionet, nuk kanë asnjë arsye të ekzistencës. Shteti, së paku është dashur të organizojë regjistrimin e ngjarjeve dhe arkivimin e tyre për kujtesën kolektive, nëse jo për akuza!

Në shtetin e Kosovës, do të duhej të kishte vend dhe të merrnin pjesë, njerëz që i japin vendit, jo nga ata që i marrin. Njerëz me dinjitet dhe vetëdije të lartë! Një shembull ilustrues, që sot në Kosovë nuk duket normal, është Shaban Morina, i cili edhe pse i plagosur në luftë, nuk ka bërë kërkesë për status veterani, sepse është shëruar, por e bren ndërgjegjja, se harxhimet e spitalit gjerman, ku ai është trajtuar, nuk janë paguar nga shteti i Kosovës. Njerëz të tillë, i duhet shtetit, jo të paskrupullt, të pafytyrë dhe kriminelë, të burgosur, nën akuza apo ende të pazbuluar, por që luftojnë  për interesin nacional.

Image
(Në fotografi, Shaban Morina)

Kosovës i duhen tri Ditë Zie:

Ditë Zie, duhet shpallur Dita e Pogromit dhe dëbimit të gjysmës së popullsisë.

Ditë Zie për dhunimin e grave të shpallet 18 Tetori,  kur zonja Vasfije Krasniqi - Goodman, bëri denoncimin e parë publik.

Dita e të Zhdukurve, për tre mijë veta pan nam e pa nishan!  

Përfundim: Një popull, një shtet, që nuk përkujton flijimin për ndërtimin e shtetit, ai nuk do të marrë kurrë seriozisht shtetin e vet. Një popull, që nuk përkujton me një Ditë Zie 20.000 gra të dhunuar, nuk ka kuptuar, se në cilat themele u ndërtua shteti, shfajëson politikën fashiste të Serbisë dhe ndihmon në rehabilitimin e saj.  Një popull, që nuk përkujton tre mijë të zhdukur, nuk ka kuptuar pse i duhet shteti, mbi çfarë tragjedie nisi lindja e tij,  shfajëson politikën fashiste të Serbisë dhe ndihmon në rehabilitimin e saj. Një shoqëri, që kremton kryengritjen me marshe, por nuk përkujton me Ditë Zie dëbimin e gjysmës së popullit, ka sekuestruar padrejtësisht meritat e çlirimit, shfajëson politikën fashiste të Serbisë dhe ndihmon në rehabilitimin e saj. Një shoqëri, që pranon ndërtimin e historisë duke u bazuar vetëm në kryengritje, ka humbur sensin e realitetit dhe arsyen e ekzistimit.

Kryengritësit duhet ta kuptojnë një herë e përgjithmonë, se në themelet e shtetit të Kosovës, gjenden tragjeditë e familjeve të 13.000 të vrarëve, traumat e 20.000 grave të dhunuara, lufta e më shumë se 13.000 ushtarëve, trishtimet e 800.000 të dëbuarve dhe vuajtjet e më shumë se dy milion vetave! Ata në fund, duhet të kuptojnë, se ky shtet, u ngrit mbi tragjedinë kolektive dhe falë Bill Clintonit dhe Tony Blair, kemi sot lirinë, që elita politike, po e shfrytëzon për pasurim vetjak!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test