Hashim Dina apo Besim Thaçi?

Opinione

Hashim Dina apo Besim Thaçi?

Lirim Gashi Nga Lirim Gashi Më 23 tetor 2018 Në ora: 14:02
Hashim Thaçi dhe Besim Dina

Rastësisht hasa në Youtube në Oksigjenin e Besim Dines dhe mysafiri që hyri brenda më ngulfati si monoksidi i karbonit me buzëqeshjen e tij të aktruar helmuese që përshtatej me buzëqeshjen dhe mikëpritjen e aktruar të moderatorit nikoqir si druri me sëpatën.  

Pesë minuta më mjaftuan për t'u mbushur me vrer nga ky inskenim i shëmtuar i talljes dhe vetë-talljes me dinjitetin e profesionit,  njeriut, publikut dhe popullit. 

Edhe sa e sa individë në Kosovë duhet t'a ushtrojnë një profesion të gabuar për t'a kuptuar ky popull se këtu qëndron esenca e rrënimit të vlerave dhe lulëzimit të anti vlerave ? 

A është i vetëdijshëm ky popull se çdo lëmi esenciale që është e paraparë për t'a siguruar mirëqenien e tij dhe shtetit në të cilin jeton qëndron mbi fundamentin e improvizimit dhe jo të shkencës ? 

Takimi i një mysafiri të njohur me një moderator të njohur nuk është asgjë e pazakontë për mediat dhe publikun, mirepo kur takohen dy persona që e kanë humbur rrugën në profesionet e gabuara, atëherë bëhet fjalë për dy ushtrues aksidental të profesioneve të gabuara . 

Kur mungesa e talentit për t'iu qasur në mënyrë profesionale detyrës, kompensohet nga akrobacionet e humorit të rrugës, ndërsa ky i fundit shndërrohet në mënyrë të vetme të ballafaqimit të ekzemplarit të dështuar të cirkut politik me dështimet e tij , atëherë bëhet fjalë për shkrirjen e palaços së cirkut politik dhe piratit të cirkut medial në një organizëm. 

Kur një moderator në tentim, takohet me një politikan në tentim dhe të dytë krekosën se janë më të mirët në profesionet e tyre, ndërsa konkurrencë të vetme e kanë Kadri Veselin dhe Naim ( Mihrie ) Brahen, atëherë s'kanë faj qelizat e shqiptarëve nga truri që ndahen. 

Kur pirateria mediale e harmonizon nivelin profesional të bashkëveprimit me mediokrin e cirkut politik për t'i varfëruar shpirtërisht në mënyrë sa më efikase masat e gjëra , sikur të mos mjaftonte varfërimi material, atëherë bëhët fjalë për një koktel helmues fatal.

Pirateria mediale në Kosovë është në fakt armiku më i madh i popullit, sepse e mirëmban cirkun politik duke i shërbyer interesave të tij.  

Dhe interesi më i madh i medioktrit në pushtet, është akomodimi medial apo mësimi dhe pajtimi i masave të gjëra me nivelin nëntokësor të politikës, ekonomisë, shëndetsisë, arsimit, shkencës, kulturës dhe edukatës që e prodhon. 

Lehtë është t'a torturosh mysafirin e uritur për publicitet me akrobacionet e humorit të rrugës, sepse ai për t'a arritur qëllimin do t'a durojë çdo torturë të moderatorit narcis, por vështirë është t'a mbash dozën e humorit që nuk e meriton këtë epitet në një nivel të shëndetshëm për t'a evituar banalizimin e profesionit, misionit dhe emisionit. 

Ky emision është një dëshmi e qartë se sa me vlerë është ajo thënia gjermane " manchmal ist weniger eben mehr " që shqip i bie " nganjëherë sasia e vogël ka efekt më të madh".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat