Dy fytyrësia është hipokrizi!

Opinione

Dy fytyrësia është hipokrizi!

Nga: Fahri Dahri Më: 23 tetor 2018 Në ora: 15:01
Fahri Dahri

Hipokrizia/shtirja është veprim, i një njeriu, institucioni apo shteti, i cili kërkon dënim, ose bën thirrje për të dënuar, diskredituar etj. një person, institucion apo shtet tjetër, kur realisht vetë ai person, institucion apo shtet është fajtor i veprimit për të cilin kërkohet për tu dënuar një tjetër. Hipokrizia është përdorur dhe përdoret për manipulimin e njerëzve të tjerë, si mashë për të nxjerë “gështenjat”(që përvëlojnë) me duart e të tjerëve, po ashtu ajo vlen edhe për përcaktimin apo vlerësimin e vetvetes të personave, institucioneve apo shteteve, si figura pozitive dhe gjoja me “status” të veçantë cilësor kundrejt të gjitha kategorive të tjera, cilatdoqofshin. Ka shumë  koncepte për hip okrizinë, por kjo më duket më e afërt me temën që po flitet ditët e fundit. 

Konspiracioni, përafërsisht mund të na vlejë përkufizimi, i cili e trajton si “plan të fshehtë” të një grupi njerëzish,  organizatash,  apo shtetesh, të cilët projektojnë veprime të jashtëligjshme, të dëmshme ndaj një grup njerëzish, organizatash apo shtetesh të tjerë, që në një kuptim të saktë planifikojnë kompllot kundër tyre, në rastin konkret merr tiparet e një  komploti dhe që zbërthehet në: “Konspiracion për të rrëzuar qeverinë”.

Mbasi u njohëm, disi me këto dy nocione, po shtjelloj konceptin tim lidhur me fenomenin “Financimet e bëra nga shteti fqinj” kundër vendit tonë, mbështetur në sa lexojmë dhe dëgjojmë në pushtetin e katërt, atë mediatik.

Një kontradiktë e vështirë për tu zbutur midis brezave. Brezi i vjetër detyrohet të dëgjojë për qindra herë të njëjtat histori apo ndodhi, ngjarje të ndryshme të ndodhura paraardhjes së brezit të ri. Brezi i ri i dëgjon përherë të parë, thjamakset (habitet) dhe me kërshëri përtyp ato që fliten për të shkuarën dhe mendon se ai që i thotë, më e shumta nga po brezi i ri, sa i ditur është, sa shumë gjëra që di etj. Kjo ndodh edhe me ngjarjen e këtyre ditëve, lidhur me financimet e një shteti tjetër që “blen” persona të ndryshëm tek një vend tjetër.

Nuk do merremi me të drejtën e blerjes dhe të shitjes si fenomen, sepse me sa po dëgjojmë nga të gjitha krahët – fenomeni qenka i “rregullt” dhe i “domosdoshëm”. Por një gjë nuk arrij ta kuptoj. Kam dëgjuar dhe që i kemi konstatuar realisht në jetë, jo vetëm tek ne, por gjithandej, se shtetet e ndryshëm përdorin mënyra, metoda, shantazhe, mashtrime, shpifje, deri edhe akuza nga më të djallëzuarat ndaj njëri-tjetrit. Kemi dëgjuar krisma në mes të netëve dhe parë të vrarë në mes të ditëve spiunë, kriminelë, si të brendshëm (por që shetisnin maleve) dhe të jashtëm, edhe këta të brëndshëm, por që binin nga qielli dhe përballeshin me shtetin për kundër shtetit të tyre. Në ato kohëra i quanim bandat: si banda e krimielëve x, y, apo zeta.

Kush ishte qëllimi: përmbysja e një pushteti duke u zëvendësuar me njerëz të tjerë, por që pushteti i tyre do të drejtohej me prirje drejt interesave të shtetit apo shteteve që financonin me para, materiale, ideologji, propagandë dhe deri edhe  me ”ndërhyrje ushtarake”. Më kujtohet që atëhere flitej shumë për konspiracionin, siç po më kujtohet edhe tani leximi i një libri:”Konspiracioni i madh kundër Rusisë”, kështu më kujtohet titulli i atij libri.

Sot gjithë mediat dhe plot personalitete për fenomenin e “Ri”, sipas brezit të ri, qofshin dhe historianë, po përpiqen që “konspiracionin” ta glorifikojnë duke e paraqitur si “korrupsion” etj . Në të vërtetë, pak rëndësi ka se si e trajtoj unë, ti apo kushdo fenomenin. E rëndësishme dhe shqetësuese është sepse me këto veprime kemi disa gjëra tepër shqetësuese:

– Kur këto veprime zbulohen, patjetër duhen trajtuar ndërhyrje në punët e brendshme të një shteti tjetër sovran.

– Detyrimisht duhet që shteti, të cilit  i bëhen këto ndërhyrje, ta denoncojë fenomenin në BE, në NATO, dhe në SHBA deri në Gjykatën e Hagës , shtetin që ndërmerr të tilla veprime, kjo mbasi bie ndesh me qendrimet dhe synimet euroatlantike, ku po flitet e stërflitet për “paqe, fqinjësi të mirë, bashkëpunim dhe plot fjalë të ëmbla, të bukura” mes shteteve fqinje dhe më tej. Kjo, ose ky qendrim më duket si lojë kalamajsh; ndërsa për thëniet e mësipërme, kur nuk veprohet për të marrë masa dhe të dënohen, qoftë dhe me qendrime podiumesh, të jem i sinqertë më duken Hipokrizira.

Hipokrizia qendron edhe në një këndvështrim tjetër: Të gjithë jemi në dijeni se sa keq trajtojnë qëndrimet tona- qendrimet e palës shqiptare, kur na duhet të kërkojmë të mbrojmë veten tonë, popullin tonë dhe Atdheun tonë. Me njëherë na quajnë irredentistë, nacionalistë, bile dhe si nacionalistët më të thekur të Ballkanit.

Dakort. Por si do t’ja vëmë emrin këtyre fenomeneve që të tjerët po financojnë për të na poshtëruar neve si ”shipëtarë”, për të na përmbysur pushtetin e zgjedhur nga populli, me deklarimet e tyre se kërkojnë të mbrojnë atdheun e tyre “helenizmin” apo “serbizmin”, kur as në Tokë dhe as në Qiell nuk duket asnjë rast që shteti Shqiptar të ndërhyjë në punët e shteteve të tjera, kushdo qofshin ata, përkundrazi ne na janë rrëmbyer jo vetëm territoret por dhe tjetërsime identiteti nëpërmjet trysnive, masave tepër të ashpra deri edhe në çvendosje nga vendet autoktone. A nuk na del në shesh përsëri dyftyrësia, hipokrizia?.

Për rastet e ndonjë shfaqje ndjenje tonën për mbrojtjen e kombit  nga sulmet e shteteve gjoja jo nacionalistë, të gjithë na hidhen në “fyt” dhe na quajnë nacionalistë, nazistë, irredentistë e plot epitete që koha nuk i përkrah; ndërsa kur ata, të tjerët arrijnë kryejnë haptazi veprime kundra shtetit fqinj, Shqipërisë, gjoja për të mbrojtur, siç thonë, helenizmin etj. për ata, të tilla qendrime nuk quhen veprime nacionaliste, por përkëdhelen dhe u jepet e drejta e përdorimit të “Vetove”, etj. etj.

- Në këto raste mendoj se jo vetëm strukturat tona përkatëse shtetërore duhet të ngrejë zërin, por dhe institucionet ndërkombëtare që predikojnë paqe, fqinjësi të mirë etj, (mbështetur në parimet euroatlantike) mendoj se duhet të mbajnë qendrime të drejta, të paanshme dhe të ashpra ndaj kujtdo që krijon situata të ndera, të cilat shpien në destabilitet mes shteteve. Sigurisht, pa dyshimin më të vogël, shteti Shqiptar duhet të reagojë fort , patjetër nëpërmjet rrugëve diplomatike dhe jo vetëm.

Një shtet ligjor, i pavarur dhe sovran, mendoj e ka detyrë Kushtetuese, që në rastin konkret, të mbajë qendrim zyrtar në denoncimin  e  këtyre fenomeneve, si ndaj subvencionuesit dhe ndaj të subvencionuarve!

Pak a shumë ky ishte dhe komenti që mendova se duhej të shoqëronte një shkrim të publikuar sot, në gazetën “Dita”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat