Sindromi i Banana Republikës...!?

Opinione

Sindromi i Banana Republikës...!?

Nga: Agim Vuniqi Më: 25 tetor 2018 Në ora: 23:18
Agim Vuniqi

Lajmi i fundit që erdhi nga tejoqeani, pikërisht nga Amerika, nga Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit, Matthew Palmer, për zyrtarët më të lartë të vendit është vërtet dekurajues, flet për një ndryshim shumë tjetërfare nga ledhatimi deri në llastim i liderëve të Kosovës, është një pranim i hapur i realiteteve të reja në rajon dhe qortim zyrtar i administratës amerikane ndaj politikës zyrtare të Republikës së Kosovës, është edhe shumë më tepër pozicionim i qartë se statusi i tashëm i Kosovës nuk është si deri më tash nën hijen e ombrellës amerikane të interesave të saj gjeostrategjike. 

Nuk është ky një shembull i vetëm i "bedelizmit" të deritashëm në politikë, sa e një gjumi të rehatshëm në prehrin amerikan, tash e një zgjimi nga një ëndërr e trishtë. Do të ishte i pranueshëm disi lajmi i fundit që u transmetua nga mediat si transmetim i një zyrtari të lartë  nga tejoqeani, pikërisht nga Amerika, nga z.Palmer për zyrtarët, jo si formë e propagandës partiake, të mësuar përmendësh. Nuk është më reflektim përbuzës i politikës së brendshme e të jashtme nga liderët e Kosovës, prandaj joserioziteti i deritanishëm mujsharë i presidentit për “korigjimin e kufijve” është jo vetëm i papranueshëm por është edhe devalvim i tregimit të sukseshëm për krijimin e shtetit.

Ashtu si po vie puna shteti i partizuar po bëhet si një version postmodern i librit të parë të serisë së kujtimeve të shokut Enver Hoxha "Kur lindi partia". Ky version i ri dalëngadalë po bëhet pjesë e përpjekjeve, atëherë të komunistëve shqiptarë për krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, tash i "demokratëve" puçistë për krijimin e Banana Republikës. Si mund të thuhet ndryshe kur politika e jashtme e Kosovës po bëhët komplotiste. Vrapimi i tillë, ashtu si po bëhet ..., i angazhimit jasht institucional në politikën e jashtme, pastaj i plasimit të informatave ad-hoc i pa transparencë në shtypin ditor i legjitimitetit demokratik të kufijve, psh., rasti i Debeldes dhe ratifikimi i Marrëveshjes "tregëtare"dy palëshe Kosovë-Maqedoni për dhurimin e 2500 hektarëve tokë Kosove, pastaj ai më Malin e Zi dhe i humbjes së 8200 hektarëve, tash ai i “korigjimit të kufijve” i sponsoruar nga Thaçi është abuzim i paparë i pushtetarëve me pushtetin, për territor bëhen luftërat, nuk falen territoret ashtu, pa të drejtë. Çështje të tilla shumë serioze do të duhej të ishin jo vetëm pjesë e debatit qytetar por edhe e deklarimit publik-referendumit; ka krijuar huti si brenda në Kosovë por edhe jashtë saj. Pyetja qëndron a ka Kosova institucione apo nuk ka? Kjo çështje duhet të shtrohet edhe në komisionin parlamentar për politikë të jashtme, por edhe në parlamentin e Kosovës, për çka të lobohet atëherë për pranime të reja kur informatat aq serioze janë të mbyllura para opinionit, është ky një atak në shtetësinë e saj, ngase kështu jo vetëm që atakohet politika e saj e jashtme, por çdo gjë që lidhet me institucionalizimin e saj po personalizohet-po privatizohet. 

Është  plotësisht e qartë që Kosova ka nevojë për njohje të reja, por jo kështu në këtë mënyrë, ngaqë kështu po degradohet i tërë sistemi konstitucional i saj. Ky vrapim i deritanishëm, shumë i çuditshëm po bëhet jo vetëm i turpshëm, por edhe propagandimi po merr nuanca skandali, si të interpretohet ndryshe kur në shtypin ditor nuk jipen informata çka përmban Marrëveshja "tregëtare"?

Për të gjithë ata që i kontribuan luftës çlirimtare të Kosovës, por edhe të gjithë qytetarët e saj brenda dhe jasht, ngjarjet e tilla-marrëveshjet me Serbinë jashtë publikut, janë të rënda, prandaj kësisoji janë burim i dhimbjes më të thellë por edhe rënie e alarmit të madh. Misioni i luftës ishte që të ngritej populli në këmbë, dhe ata që vunë në krye të saj e mobilizonin popullin me ide të pastra çlirimtare, kundër kolonizimit të egër, ishte pra një luftë supreme për lirinë dhe pavarësinë a atdheut, ishte një ide për krijimin e institucioneve demokratike dhe të pavarura, si atëherë të spjegohet kjo forme e fragmentarizmit institucional të shtetit dhe tendenca për krijimin e Banana Republikës. Eshtë e pashembullt heshtja e parlamentarëve ndaj një kiçi të tillë...

Të gjitha këto ngjarje, së bashku me ato të mëhershme, të një interesimi të vonuar të të gjitha institucioneve kosovare, të një ahengu të përgjithshëm zgjedhor, të mos angazhimit të menjëhershëm të parlamentit si shtëpi e popullit, sa për rikujtim shumë seanca të parlamenti pa mirëkuptim të opozitarizmit legjitim, ishin jo vetëm skandaloze, por edhe jo njerëzore, kujt pra i shërbyen zgjedhjet deri më tash kështu si ndodhën për të kaluar falja “demokratike” e territorit, sigurisht jo popullit, por vetëm atyre që abuzuan në vazhdimësi votën e popullit, për t'u thirrë në emër të tij; pra le të votojnë pjesëmarrësit e ahengjeve, në kohën kur ndodhi përmbysja e vullnetit popullor, që deshën të ikin nga kiçi i Banana Republikës-shtet. 

Tash po del se kishin të drejtë të gjithë ata kolaboracionist të cilët u zhvilluan si profiterë të luftës, që edhe në kohë të paqes të përfitojnë. Nuk janë sekrete rastet kur ata menjëherë pas luftës (një pjesë e këtij llumi të shoqrisë) ndërruan rolet duke blerë ofiqin e patriotit me një duq devizash, atyre pa të drejtë shoqatat që ishin të lidhura me luftën u jepnin edhe mirënjohje...! Dhimbjet janë edhe më të mëdha, janë të freskëta, kur mu aty para syve të institucionalistëve dhe të shumë qytetarëve të cilët qarkullonin mu pranë tyre dhe shumë afër shtatores së Skënderbeut, ashtu si pranë varrezave të dëshmorëve, as që përqëndronin vëmendjen për ata bashkëqytetarë që qëndronin të ngulitur për pak të drejta, të drejtës për t'u informuar për më të dashurit- familiarët e tyre, pse nuk ka pak dinjitet, asnjë njeri i pushtetit nuk u takua me ta, si po harrohen ata të cilët u angazhuan që me sakrificën e tyre ua mundësuan fëmijëve, të rinjëve.., jetën pa frikë, jo ashtu çfarë e kishin baballarët e tyre, gjyshërit..., që botën e shihnin përmes pengjereve të vogla, të mbyllur nën ankthin e shpresës se do të jetojnë edhe nesër...

Tashmë jemi bërë sy e vesh bashkë… Kyçe televizionin online dhe përnjëherë përballesh me fytyra të hareshme, të atyre që parlamentarë u thonë, disa nga ta të dënuar për krime nga gjykatat vendore, është vërtet një "kënaqësi" grupore, shumë domethënëse. Shumë nga premtimet e tyre ua çojnë pesh epshet qytetarëve, duke i lënë pa fjetur. Shumë shpejtë u harruan premtimet që i jepnin më heret, mu aty pranë shtatores së heroit kombëtarë Skënderbeu, për tu dukur më impozant para simpatizuesve partiak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat