Një tjetër planet për shqiptarët!

Opinione

Një tjetër planet për shqiptarët!

Nga: Melihate Tërmkolli Më: 27 tetor 2018 Në ora: 19:40
Melihate Tërmkolli

Presidenti Thaçi, si kundër argument për të përligjur idenë “e tij” për “korrigjim të kufijve” me Serbinë, po kërkon dhe po akuzon të gjithë të tjerët për mungesë të alternativave për një marrëveshje me Serbinë.

Ideja e Pesidentit në fakt nuk është as alternativë e aq më pak zgjidhje e konfliktit historik me Serbinë. Ajo paraqet teorinë më të shpifur për marrdhënje me cilindo shtet, e sidomos me Serbinë. Zgjidhja për një marrëveshje me Serbinë ekziston dhe ajo nuk ka kuptimin e alternativës por të zhvillimit të politikës në raport me Serbinë sipas një logjike të “natyrshme” dhe të drejtë në përputhje edhe me parimet evropiane e ndërkombëtare. Sipas logjikës normale dhe në funksion të normalizimit të marrdhënjeve me Serbinë, pra zgjidhja është se ajo, Serbia duhet ta njohë Kosovën, shtet i pavarur e sovran dhe pastaj si dy shtete të njohura reciprokisht, mund të bisedojnë edhe  për kufij edhe për një “marrëveshje historike”. 

Këtë rrjedhë logjike të gjërave, ia paraqitën Serbisë si kusht për anëtarësim në BE në mënyrë të prerë, Gjermania edhe Britania e Madhe. Këtu u prish “loja”.

Serbia e ndihmuar edhe nga Rusia, gjetën aleatët e tyre, Presidentin Thaçi në Kosovë dhe Kryeministrin Rama në Shqipëri, që për t’i ikur këtij kushti për njohje të pavarësisë së Kosovës, të hedhin idenë për “korrigjimin e kufijve”, duke treguar se pavarësia e Kosovës jo veç nuk është punë e kryer por që “duhet” për të filluar “lojën” nga fillimi, dhe atë me “marrëveshje”.

Pyetja më normale që mund të shtrohet në këtë rast është: Pse u dasht pra gjithë mundi, sakrifica, tërë ato tmerre e shkatërrime masive të Serbisë kundër gjithçkaje shqiptare, ndërhyrja ushtarake e NATO-s, kur paska qenë lehtë fare, edhe për ne, edhe për Serbinë edhe për ndërkombëtarët të bëhej një marrëveshje me Serbinë që në atë kohë, sepse ideja për ndarje ka ekzistuar edhe atëherë. Së paku të ishin kursyer ato jetë të fëmijëve foshnja dhe ende të palindur në barkun e nënave shqiptare të shpërthyera nga tytat e bajonetave të forcave ushtarake, policore e paramilitare serbe!ç

çka duhet të japim tjetër, neç Deri sot, me dekada e më shumë se nje shekull dhamë gjithçka për lirinë e pavarësinë tonë. Në fakt, Serbia mori gjithçka dhunshëm përmes gjenocidit e spastrimit etnik, jetën e qindra mijëra shqiptarëve, tokat tona që nga Nishi deri në Merdarë, (merr e ndaj!), deri në Gjilan e gjetiu, etj

Tani, po u dashka t’i japim Serbisë edhe “diçka”, me vullnet, me marrëveshje, për ta njohur shtetin tonëç!

Nuk arrijë ta besoj që dikush ta ketë harruar faktin e pandryshueshëm edhe sot, se Serbia njeh vetëm gjuhën e forcës e të detyrimit.

Në rrjedhën e natyrshme të gjërave, përsëri Serbia duhet të detyrohet ta njohë pavarësinë e Kosovës, si gjest për të gjitha krimet që ka bërë ndaj shqiptarëve, edhe pa e pasur kusht për integrimin e saj në Evropë.

Ekspansioni e hegjemonozmi serb e rus duhet të ndalet (sa keq që nuk po e përdor termin modern “korrigjim i kufijve”). Përndryshe, Serbia nuk do të kënaqet as me “korrigjimin e kufijve”. Apetitet e saj tejkalojnë “korrigjimin e kufijve” në kufijtë e Kosovës. Nuk është fare çudi që në këtë mënyrë, nesër Serbia të arrijë deri në Durrës.

Nëse ky qenka “plan” amerikan e evropian, atëherë shqiptarët duhet të gjejnë një tjetër planet për të mbijetuar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat