Dobësimit të pozicionit të kancelares Merkel po i gëzohet e djathta ekstreme evropiane

Opinione

Dobësimit të pozicionit të kancelares Merkel po i gëzohet e djathta ekstreme evropiane

Sherif Ramabaja Nga Sherif Ramabaja Më 30 tetor 2018 Në ora: 18:18
Angela Merkel

Me të mësuar lajmin se kancelarja gjermane, Merkel pas dobësimit të partisë së saj, në dy lande të shtetit dhe deklaratës së saj se tërhiqet nga posti i kryesimit të partisë CDU, shumëkush filloi t`i fërkoj duart. Partia gjermane e ekstremit të djathtë AFD, që nga themelimi i saj, e gjatë krizës së refugjatëve, gjithnjë kishte kërkuar largimin e zonjës Merkel nga pushteti. Gëzimit të kësaj partie kuptohet që i bashkohen edhe partitë e ngjajshme evropiane dhe burrështetasit populist, që sot drejtojnë disa shtete.

Brukseli do t`i ndjej pasojat e vendimit të tërheqjes së zonjës Merkel.Tërheqja e saj vjen pikërisht tani, kur pritet të diskutohet dhe të merren vendime për migracionin dhe krizën e refugjatëve, reformimin e Eurozonës dhe bisedimet për daljen e Anglisë nga EU etj. Kritikuesit e zonjës Merkel për politikën e saj ndaj migracionit, do të mburren se kishin të drejtë që ishin pozicionuar kundër politikës së saj. Dobësimi i pozicionit politik të zojnës Merkel e ka dëmtuar edhe presidentin frances Macron, me të cilin ishin zotuar të reformonin  Eurozonen.

 Zonja Merkel gjatë karrierës së saj kishte lënë gjurmë të pashlyera në EU, sikurse ribashkuesi i Gjermanisë, Helmut Kohl. Në këto momente askush nuk mund ta paramendoi EU pa zonjën Merkel, por ajo në deklaratën e saj tha : “ Është koha për një kapitull të ri “. Gjatë deklaratës së saj ajo po ashtu potencoi se “ Unë nuk kam lindur si kancelare “ që nënkupton se erdhi  koha për t`u tërhequr.

 Kur është fjala për tërheqje, momentin më të mirë e kishte ajo derisa akoma ishte në kulm të karrerës. Fjala është për zgjedhjet e fundit të vitit 2017. Në këto zgjedhje ajo pati vështirësi në formimin e qeverisë, sepse nuk e kishte fituar shumicën absolute. Ky ishte momenti kur u vërejt se  kishte filluar ta humbte përkrahjen e zgjedhësve. Shkak ishte kriza e refugjatëve e vitit 2015.

 Friedrich Merz kandidat potencial

 Një prej kandidatëve që mund ta zëvendësoi zonjën Merkel është politikani i rangut të lartë Friedrich Merz. Merz është jurist dhe ekspert financash. Që nga vitit 2000 - 2002 kryesonte fraksionin CDU- CSU. Një kohë u tërhoq nga politika, kurse nga viti 2013 ishte kryetar i Grupit Transatlantik, për marrëdhënje ekonomike të firmave gjermane me SHBA. Shumë vëzhgues e konsiderojnë Merzin si figurë me autoritet të lartë, që do t`i përmbahet linjës konzervative të partisë. Ai pasi ka punuar kohë të gjatë për suksesin e firmave gjermane në SHBA, mund të sjell një frymë të re, ku mospajtimet, sidomos në tregtinë e lirë me SHBA janë enorme.

Përfaqësuesit e ekonomisë gjermane iu gëzuan kandidimit të F. Merzit dhe e parashohin si trashëgues të kancelares Merkel. Ata u deklaruan se një post të tillë duhet ta marr dikush që disponon kompetenca ekonomike për të ecur përpara.

A do të pësoj ndryshime politika gjermane ndaj Ballkanit

Me gëzim do ta prisnin, e sidomos Serbia ndryshimin e politikës gjemane ndaj Ballkanit, duke shpresuar se do të ishte në favor të tyre. Gjermania me qëndrimin e saj konstruktiv ka fituar besim në mbarë botën dhe gëzon përkrahje të madhe. Më me dëshirë do ta kishin pritur shumë vende të botës rritjen e rolit të saj edhe më të madh. Një gjë është e qartë, Gjermania edhe më tutje do të vazhdoj t`i përmbahet rolit prijës në Evropë për ruajtjen e paqës. Në këtë kontekst, nuk pritet se do bëjë lëshime dhe do ta zbus qëndrimin për ndryshime të kufijëve në Ballkan. Koalicionet e tilla nuk bëhen pa pëlqimin e Gjermanisë. Për një pëlqim të tillë Gjermaninë do ta ketë vështirë ta bindin edhe SHBA, e mos të flasim koalicionet Serbi - Rusi. 

Politikanët shqiptar, ata që akoma nuk janë zhytur në afera korruptive dhe të krimit të organizuar, duhet të marrin shembull nga politika gjermane se si bëhet dhe punohet për shtetin. Kur do ta kenë këtë fat shqiptarët ?!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat