Nëntori i Gjermanisë së vitit 1918

Opinione

Nëntori i Gjermanisë së vitit 1918

Nga: Astrit Zemaj Më: 1 nëntor 2018 Në ora: 17:12
Astrit Zemaj

“Demokracia“ e parë gjermane - produkt i humbjes së luftës.

“Kjo nuk është paqe. Ky është një armëpushim njëzetvjeçar” – kishte thënë mareshali francez i Luftës, Ferdinand Foch, në lidhje me Marrëveshjen e Versajës.

- Pas përfundimit të LPB-së, gjithë Evropën e kishte mbuluar një krizë e rëndë ekonomike e sociale. Kjo gjendje ishte shtrirë pothuajse në shumicën e shteteve të Kontinentit të Vjetër, pikërisht si rezultat i pasojave që kishte sjellë kjo luftë. Siç njihej edhe si Tragjedia e madhe, LPB-ja i kishte kushtuar njerëzimit rreth 15 milionë të vrarë dhe përmbi 20 milionë të plagosur.

Duke u nisur nga faktet historike të asaj periudhe, mund të thuhet se nuk ekzistonte vetëm një problem apo pengesë që e rëndonte gjendjen e jetesës, por vështirësitë ishin të shumta. Sidomos gjendja e rëndë ekonomike dhe jostabiliteti politik ndikuan rrënjësisht në rritjen e pakënaqësive dhe i përkeqësuan edhe më tepër raportet ndërmjet grupeve të interesit në veçanti, në shumicën e atyre vendeve evropiane që kishin dalë nga lufta me ndryshime të mëdha në jetën politike dhe në sferën ekonomike.

Një ndër ndryshimet më të rëndësishme politike në Evropë ishte çrrënjosja e rregullimit shtetëror monarkik. Shembulli më emblematik në këtë drejtim ishte revolucioni i përgjakshëm bolshevik në Rusi. Kjo metodë e ardhjes në pushtet me anë të revolucioneve të përgjakshme kishte pasur tendencë të shtrihej edhe në rajonet e tjera, si: në Gjermani, në Austri, në Itali etj.

Perandori i Rajhut gjerman, Wilhelmi i Dytë (Kaiser des Deutschen Reiches ) njëkohësisht edhe Mbret i Prusisë (Preußen), për të shpëtuar vendin nga rreziku i shpërthimit të një lufte civile, u detyrua të tërhiqej (të abdikonte) nga froni, më 9 nëntor 1918.
Largimi i tij kishte ndodhur si pasojë e presioneve politike dhe rebelimit të armatosur të formacioneve ushtarake, të cilat kishin filluar më 4 nëntor 1918, në qytetin e Kielit. Bartësit dhe organizatorët e kësaj kryengritje ishin pjesëtarët e Marinës së Luftës, e cila ishte zgjeruar në tërë vendin brenda një kohe shumë të shkurtër.

Ky rebelim, i cili do të shtrihet edhe më gjerë në pjesë të tjera të Gjermanisë, është i njohur me epitetin “Revolucioni gjerman i Nëntorit”.
Kryengritja që në start kishte provuar të bëhej një model i asaj që kishte ndodhur në Rusi, por pasi që pjesa më e madhe e popullsisë gjermane nuk e favorizonte bolshevizmin, ajo ishte izoluar shumë shpejt.

Megjithatë, ngjarjet e paparashikuara të asaj kohe sollën me vete ndryshime të shpejta, duke ndikuar mjaft në politikën dhe në rregullimin shtetëror në Gjermani, për të cilat çështje do të flasim më gjerësisht në vijim.
Këto zhvillime rezultuan me njërën prej kthesave më të rëndësishme në historinë gjermane, përkatësisht me kalimin nga sistemi monarkik (Monarkia kushtetuese) në Republikë parlamentare.

Më 9 nëntor 1918, Philipp Scheidemann nga radhët e Partisë Socialdemokrate gjermane (SPD), nga ballkoni i Parlamentit gjerman në Berlin (Reichstag) proklamoi Republikën dhe në të njëjtën kohë njoftoi opinionin për abdikim nga froni i Mbretit, si dhe largimin e ndikimit të militarizmit nga jeta politike në Gjermani.
Me fjalët: “Populli gjerman ka dalë fitues përgjatë gjithë vijës.... Le të jetojë Republika e Gjermanisë”, ai hyri në analet e historisë gjermane, si njeriu që bëri kthesë të madhe në historinë e këtij populli. Njëkohësisht, P. Scheidemann e kishte proklamuar formimin e një qeverie të re provizore, e cila do ta drejtonte vendin përkohësisht.

Largimi i monarkisë ishte pasoja e parë e madhe për luftën e humbur, përkatësisht për mënyrën se si përfundoi LPB-ja. Përderisa, vetëm një ditë më vonë, më 10 nëntor 1918, Perandori gjerman Wilhelmi i Dytë, së bashku me një pjesë të oborrit mbretëror, kishte qenë i detyruar të kalojë në ekzil në Holandë. Ai qëndroi aty deri në vdekje, më 4 qershor 1941. 
Një zhvillim i ngjashëm kishte ndodhur edhe me Mbretërinë në landin gjerman të Bavarisë, përkatësisht me largimin nga froni të Mbretit të Bavarisë, Ludwigut të Tretë. Po ashtu, gjatë kësaj fushate, përplasje dhe largim kishte ndodhur edhe në pjesët e tjera të vendit, pothuajse më të gjitha principatat e tjera brenda Rajhut gjerman.

Përfundimisht, me deklaratën zyrtare për dorëzimin e të gjitha posteve dhe të fronit perandorak, që ndodh më 28 nëntor 1919, merr fund sistemi i monarkisë në Gjermani. E tërë kjo, përveç të tjerash, kishte qenë një goditje e rëndë për një pjesë të madhe të shtresës së aristokracisë dhe të shtresave të tjera të popullsisë në Gjermani, të cilët favorizonin forcat konservatore.
Pas largimit të sistemit të monarkisë dhe të ashtuquajturës Qeveri perandorake, i cila deri në kohën e largimit/mënjanimit të saj kishte qenë nën drejtimin e Princit Max von Baden, atëherë drejtimi i shtetit të ri gjerman që ishte shpallur nën epitetin e Republikës gjermane, kalon në duart e politikanëve nga radhët e Partisë Socialdemokrate gjermane (SPD), nën drejtimin e Friedrich Ebert (4 shkurt 1871 - 28 shkurt 1925), i cili më vonë do të ketë fatin të jetë presidenti i parë i Republikës gjermane të Vajmarit.

Për shumë analistë, kalimi i postit të Kancelarit të Rajhut nga Princi Max von Baden te F. Ebert ishte bërë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjet në fuqi, të cilat nuk e lejonin një gjë të tillë.
SPD-ja, e cila në atë kohë ishte forca më e madhe me peshë politike në vend, natyrisht që kishte edhe forcën dominuese në shoqëri. Këtu është e rëndësishme të theksohet se përfaqësuesit e saj e llogarisnin veten si përfaqësues të vetëm legjitimë të popullit në Gjermaninë e pasluftës. Megjithatë, kjo forcë politike përballej po ashtu me probleme brenda radhëve të veta.
Krahu i majtë brenda kësaj partie, i njohur si Socialdemokratët e Pavarur (USPD-Unabhänigen Sozialdemokratische Partei), që ishte i rrethuar nën drejtimin e Karl Libknechtit, kishte shfaqur ambicie për themelimin e një fraksioni që do të merrte përsipër drejtimin e shtetit të ri gjerman. Pothuajse në të njëjtën kohë, ata kishin shpallur Republikën Socialiste të Gjermanisë (Sozialistische Republik Deutschlands), sipas modelit të Republikës Sovjetike, përkatësisht të ashtuquajturit sistem i „Proletariatit moskovit“.

Përveç fraksioneve të lartshënuara, në Berlin dhe në qytetet e tjera kryesore të Gjermanisë, një grupim të fortë politik e përbënin edhe „Këshillat“ (Die Räte), pjesëtarët e të cilave vinin nga radhët e ushtarakëve dhe të punëtorëve që ishin organizuar nëpër kazerma dhe nëpër fabrika dhe të cilët përbënin një opozitë të fortë përballë synimeve politikë të të dy grupimeve të sipërpërmendura.
“Këshillat“ përbënin një forcë politike që kishte influencë të madhe në popull dhe pa përfshirjen e tyre nuk do të kishte qenë i mundur formimi i asnjërës qeveri në atë kohë. Sidomos rreth „Këshillave ushtarake“ ishte tubuar një kategori e veçantë e shoqërisë, që përbëhej nga një elitë e dalluar e personaliteteve të udhëheqjes ushtarake gjatë periudhës së Perandorisë, të cilët do të ruanin një ndikim domethënës gjatë viteve në vijim.

Prandaj, më 10 nëntor 1918, u formua “Këshilli i Përfaqësuesve të Popullit” (Rat der Volksbeauftragten), i cili përbëhej nga tre përfaqësues të SPD-së dhe të USPD-së. Njëkohësisht, filloi një bashkëpunim i ngushtë edhe me përfaqësuesit e lartë të udhëheqjes ushtarake legjitime në vend, të cilët mbështesnin këtë Këshill që kishte për detyrë drejtimin e punëve qeveritare deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Këto ngjarje të shpejta dramatike, të zhvilluara brenda një kohe shumë të shkurtër, sipas shumë studiuesve dhe historianëve, duhet të kenë ndikuar drejtpërdrejt edhe në dobësimin e ndikimit të palës gjermane gjatë kohës së zhvillimit të bisedimeve për arritjen e marrëveshjes për përfundimin e Luftës së Parë Botërore. Marrëveshja për armëpushimin, e njohur si Armëpushimi në malin Compiègne (Frëngjisht: Armistice de Rethondes), është nënshkruar më 11 nëntor 1918, ndërmjet Rajhut të atëhershëm gjerman dhe dy fuqive perëndimore, të përbëra nga Franca dhe Britania e Madhe. Kjo marrëveshje i kishte dhënë fund luftimeve në Luftën e Parë Botërore dhe kishte hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit.

Ndërprerja e luftimeve pas marrëveshjes së arritur, i ngjante më tepër një “kapitullimi klasik ushtarak” se sa një të arriture politike, sidomos duke marrë parasysh faktin se Gjermania ishte detyruar të nënshtrohej në kushte tepër të rënda. 
Udhëheqja më e lartë ushtarake gjermane nuk dëshironte ta bartte përgjegjësinë për disfatën dhe kishte kërkuar nga udhëheqja politike e vendit të merrte masa të shpejta për të arritur paqen para se të ndodhte më e keqja, e cila mund të përfundonte vetëm me kapitullimin e forcave në fushëbetejë.
Fakti që bisedimet u zhvilluan nën udhëheqjen e përfaqësuesve politikë të Qeverisë perandorake të Gjermanisë, ku në krye të delegacionit ishte deputeti i Qendrës, Mathias Erzberger, bëri që udhëheqja më e lartë ushtarake të arsyetohej se ndërprerja e luftimeve ishte e padëshirueshme dhe se armëpushimi ishte rezultat i “civilëve që nuk kishin respekt për atdheun”.

Këto deklarime kishin lënë hapësirë për spekulime, duke krijuar mite të paqëndrueshme për mosthyerjen apo për mosnënshtrimin e formacioneve ushtarake gjermane në fushëbetejë.
Zyrtarisht, para popullit në Gjermani, nga drejtues të lartë të forcave ushtarake, ishte arsyetuar se ushtria gjermane dhe Komanda e Lartë Ushtarake (OHL - Oberste Heeresleitung) kishin mbetur të palëkundura në qëllimet e tyre.
Si përfundim, sipas këtij përshkrimi të situatës faktike të krijuar, si dhe të rrjedhës së zhvillimeve të kohës në raport ndërmjet forcave politike dhe atyre ushtarake, ishte lënë të nënkuptohej se kombit gjerman i ishte transmetuar një narracion i pasaktë, sipas të cilit forcat politike kishin tradhtuar vendin dhe ushtrinë. Ky narracion ishte shndërruar në një tregim i cili ishte shpërndarë me shpejtësi në tërë Gjermaninë.

Pa dyshim, ky realitet gjeopolitik dhe socio-ekonomik i prodhuar nga përfundimi i LPB-së, krijoi një barrë të rendë për forcat politike dhe për shtetin e ri demokratik gjerman.

ASTRIT ZEMAJ

Pjesë nga Kap.i parë i librit tim :
Evropa në udhëkryq - Lindja dhe ngritja e Rajhut të Tretë në Gjermani, 1918-1939

(Studim i gjendjes në Gjermani nga këndvështrimi politik, diplomatik, ushtarak dhe ekonomik, ndërmjet dy luftërave botërore, 1918-1933).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat