1968-a – Viti i revoltës studentore në Evropë

Opinione

1968-a – Viti i revoltës studentore në Evropë

Nga: Lush Culaj Më: 6 nëntor 2018 Në ora: 09:23
Lush Culaj

jë vëzhguesi të zakonshëm të politikës dhe të ideve të shekullit XX në shikim të parë do t’i krijonte pasqy­ri­min sikur çdo ide dhe lëvizje, që është karakteristike për kohën tonë, do të mund të kuptohej më mirë po të shikohej si zhvillim i natyrshëm i prirjeve që kanë qenë mbizotë­ru­e­se qysh në shekullin e XIX.  Vitet e pesëdhjeta dhe fillimi i viteve të gjashtëdhjeta kishin qenë vite të qeta. Për habinë e shumëkujt, pikëpamja se idetë politike kishin shteruar u sfidua nga një valë revoltash dhe demonstratash të studenteve që preku shumë vende të Evropës në periu­dhën e viteve 1967-1968.

Lëvizja studentore italiane filloi të merrte përmasa më të fuqishme në prill-maj 1966, kur ne Romë u orga­ni­zuan disa demonstrata të mëdha që përfunduan me përle­sh­je. Vala e dytë më e madhe e demonstratave zgjati nga nëntori 1967 deri në verën e vitit vijues dhe u përhap po­thuaj se në të gjithë Italinë. Studentët kërkonin bursa më të larta dhe kushte më të mira për studime në universitet. Ashtu si dhe në vendet e tjera evropiane, protestat e tyre u kthyen në revoltë kundër shoqërisë që udhëhiqte. Një anketë e realizuar në vitin 1963 në Spanjë kishte treguar se 77% e studentëve nuk ishin të interesuar për politikë, por gjatë viteve që pasuan radikalizmi avancoi me shpejtësi. Në shkurt të vitit 1965, filluan demonstratat ku sfida ishte e hapur; Universiteti i Barcelonës u mbyll në prill 1966 dhe në pranverën e 1968-s, lëvizja kishte prekur bukur shumë Spanjën. Shtysa politike e lëvizjes studentore në Britani, në krahasim me to, ishte më e kufizuar. Në disa raste studentët zaptuan ndërtesat e universiteteve dhe shumë nga kërkesat e tyre për reforma në universitet detyrimisht u pranuan. Megjithatë, vlen të theksohet se me përjashtim të demonstratës kundër luftës në Vietnam, në tetor 1968, ato nuk patën sukses në sigurimin e mbështetjes masive të publikut për qëllimet e tyre më të gjera politike.

Tek udhëheqësit e lëvizjeve kishte edhe të tillë që ki­shin një vizion më largpamës dhe që kishin arritur të kup­tonin se pushteti në vendet më të përparuara ishte aq solid dhe mjetet për represion ishin aq të shumta, sa që përpje­k­ja për të marrë pushtetin ishte pothuajse e pashpresë. Gjykimi i tyre ishte se sistemi ishte i ngulitur aq thellë dhe kjo gjendje vinte në dyshim të madh apo të pamundur një  ndryshim.

Gjashtëdhjeteteta shënon të parën lëvizje të madhe e të njëkohshme në tërë Evropën e përgjumur të pasluftës. Ishte kjo, pas aleancës së madhe antifashiste, e para lëvizje e madhe e shtrirë në të dy anët të ndara në mënyrë aq ab­sur­de, në njërën anë lindja kurse në anën tjetër perëndimi. Ishte kjo një përpjekje e dëshpëruar për t’u ngritur mbi logjikën e Luftës së ftohtë dhe për të dalë jashtë kallëpeve të mendimit dhe të veprimit të programuar.

Duke e pasur parasysh historinë e Evropës së pas­luftës së Dytë Botërore një homogjenitet i saj i plotë ishte pothuajse i pamundur. Jugosllavia, Zvicra dhe Belgjika përbënin shembuj të dukshëm të shteteve që në përbërjen e tyre kishin më shumë se një komb. Disa nga kombet etnike në Evropë, që jetonin në kuadër të shteteve të tjera, kishin një lloj autonomie, por nuk aspironin për pavarësi të plotë, ose iu refuzua autonomia e plotë nga autoritet qen­dro­re. Në dy dekadat e para pas luftës, nacionalizmi i këtyre kombeve pa shtet nuk luajti ndonjë rol të madh po­li­tik, por në vitet 70 dhe 80 në këtë drejtim pati ndryshime të theksuara.

 Në fillim të verës së vitit 1968 në Francë nuk kishte ndonjë situatë shperthyese, por gjithsesi kishte një shka­llë të lartë të pakënaqësisë. Kësaj gjendjeje i kishte kontri­buar paternalizmi i regjimit të De Golit, frazat boshe si dhe dështimet e tij sociale dhe ekonomike. Për një periu­dhë të shkurtër kohore, përkatësisht më 23 qershor 1968, një milion njerëz që brohorisnin “Franca francezëve” mbushën rrugët e Parisit në një marshim drejt sheshit “Konkord”. Ministri i Brendshëm kishte synim që të shu­he­shin trazirat. Gradualisht punëtorët lanë punën në fabri­ka, kurse edhe studentët u larguan nga kolegjet të cilat i kishin pushtuar. Grupet ultraradikale të studentëve u nxo­rën jashtë ligjit dhe komunistët e akuzuar nga gjenerali për gjoja komplot u tërhoqën kudo.  Se mbeshtetja nuk kishte fuqinë e duhur dëshmon fakti që në zgjedhjet e qershorit forcat e majta pësuan disfatë. Pavarësisht nga fito­rja e golizmit, grupe njerëzish  e ndienin se ajo fitore ishte boshe. Tashmë lëvizja studentore i kishte evidentuar qartë dobësitë e atij regjimi. Lihej shumë për t’u dyshuar se qe­ve­­ria do ta kalonte lehtë ketë goditje që kishte marrë pre­s­tigji i saj. Kjo në fakt u dëshmua jo më larg se gjashtë muaj më pas kur kriza financiare tregoi se kriza nuk kishte marrë fund assesi.

Ngjarjet në Francë inkurajuan lëvizjet studentore në shumë vende të tjera. Mirëpo, në asnjë vend tjetër këto lëvizje nuk mundën të shkaktonin një lëvizje masive; ndi­kimi i tyre, pavarësisht nga publiciteti që iu bë, në për­gjithësi mbeti i kufizuar në universitete. Lëvizja studentore gjermane, e udhëhequr nga SDS-ja socialiste, bazën e saj tradicionale e kishte në Berlinin Perëndimor, që ishte uni­ver­siteti më i lirë dhe më përparimtar nga të gjitha uni­ver­sitetet gjermane.

Lëvizja studentore italiane u bë e njohur fillimisht në prill-maj 1966, kur në Romë u organizuan disa demon­strata të mëdha që përfunduan me përleshje. Vala e dytë më e madhe e revoltës së të rinjve zgjati nga nëntori 1967 deri në verën e ardhshme dhe u përhap pothuajse në pjesën më të madhe të Italisë. Studentët kërkonin bursa më të larta dhe kushte më të mira në universitet, por ashtu si edhe në vendet e tjera evropiane, protestat e tyre u kthyen në revoltë kundër shoqërisë që e udhëhiqte vendin.

Dilema kryesore me të cilën ndesheshin lëvizjet e rinisë ishte se kërkesa e tyre për liri absolute binte ndesh me realitetet komplekse politike-ekonomike që kufizonin lirinë dhe demokracinë. Ata ishin në konflikt jo vetëm me neokapitalizmin, por me sistemin modern shoqëror në për­gjithësi, pasi ata, sipas tyre, përmbanin elemente të forta shtypjeje.

Demonstratat e studentëve në Pragë, në nëntor të vitit 1967, që lidheshin me kushtet e jetesës në konvikte, u shtypën brutalisht nga policia. Me shtypjen e këtyre de­mon­stratave përgjithësisht në masë u arrit një lëvizje e gjerë solidariteti. Po të kishte qenë e vetme, protesta e studentëve do të kishte qenë po aq e paefektshme sa edhe demonstratat e studentëve të Varshavës, e pranverës 1965, por ajo përkoi me një krizë akute në udhëheqjen e partisë. Forcat “liberale”, të mbështetura nga sllovakët, kishin shumicën në Komitetin Qendror dhe ata shfrytëzuan rastin për një sulm frontal kundër shkeljes të vazhdueshme të demokracisë së brendshme të partisë nga ana e grupit të Novotnit. Në fillim të janarit të 1968-s, Novotni dhe ko­n­ser­vatorët u zhveshën nga funksionet e tyre dhe u vendos një udhëheqje e re nën drejtimin e Aleksandër Dubçekut më parë sekretar i parë i partisë sllovake.

Liberalizimi në Çekosllovaki rastisi me një ashpër­sim të theksuar të politikave sovjetike, si të brendshme ashtu edhe të jashtme dhe prandaj ai, nga këndvështrimi so­vjetik, ishte shumë provokues.

Pushtimi i Çekosllovakisë ishte një qetësim dhee frikë e madhe  për Varshavën dhe Berlinin Lindor; trupa nga të cilat vende morën pjesë në operacionin ushtarak. Pjesëmarrja e trupave gjermane, për ta thënë me delikatesë, nuk ishte dhe shumë e dëshiruar; por Ulbrihti dhe kolegët e tij kurrë nuk kishin qenë burra të ndrojtur. Megjithëse morën pjesë edhe njësi hungareze. Edhe Budapesti dukej qartë se nuk e ndjente veten mirë; kujtimet e 1956-s ishin ende të fres­kë­ta. Udhëheqësit sovjetikë, nga dëshira për të pasur më shu­më argumente bindëse, pretenduan se historia do ta justi­fi­ko­nte veprimin e tyre, por ndërkohë Çu En Lai, kryemi­nistri kinez, e quajti pushtimin shembullin më të qartë të politikës fashiste të përdorimit të forcës. Shqipëria foli dhe e dënoi këtë pushtim duke e trajtuar si “agresion fashist”. Edhe Jugosllavia shprehu shqetësim të jashtëzakonshëm për “pushtimin e paligjshëm” të Çekosllovakisë dhe mobilizuan ushtrinë e tyre; ndërkaq që udhëheqësit rumu­në e quajtën atë si “një shkelje flagrante të sovranitetit ko­mbë­tar të një vendi socialist”.

Veprimi i sovjetikëve u dënua pa dyshim ashpër në kryeqytetet perëndimore, por politika e qeverive mbeti ajo e mosndërhyrjes. Sipas tyre, kjo qe një çështje krejt e bren­dshme ndërmjet Bashkimit Sovjetik dhe njërit prej aleatëve të tij.

Pushtimi u dha fund shpresave për një ndryshim gra­dual të Evropës Lindore. Tani më dukej shumë qartë se iniciativa për ndonjë ndryshim thelbësor në karakterin e regjimeve komuniste mund të vinte vetëm nga Moska. Nuk kishte asnjë shenjë se një ndryshim i tillë mund të pritej logjikisht në një të ardhme të afërt. Ngjarjet e 1968-s treguan se armiqësia e sovjetikëve ndaj sistemeve politike të ndryshme nuk ishte zvogëluar dhe se, duke përjashtuar rrethana të paparashikueshme, Lufta e Ftohtë do të vazh­do­nte për një periudhë të pacaktuar.

Shumë vende të Evropës lindore kanë qenë të kër­cënuara nga grindjet nacionale, por vetëm në një rast diskutohej me të drejtë vetë ekzistenca e shtetit e ky rast ishte pikërisht Jugosllavia.

Përgjithësisht mund të konkludohet se lëvizjet në vendet perëndimore kishin kryesisht programe majtiste, kur­se në vendet lindore programe më demokratike, ku pretendohej lirimi nga sistemet ngulfatëse socialiste. Në skenën evropiane kishin dalë me zhurmë dhe pothuaj se në të njëjtën periudhë kohore Lindja e Perëndimit dhe Perën­dimi i Lindjes, dhe të dyja palët ishin të pa kënaqura. Në këtë rast Kosova dhe çështja e pazgjidhur kombëtare e shqip­tareve në Jugosllavi ishin një rast sui generis në kra­hasim me vendet e tjera.

Shqiptarët kërkonin të trajtoheshin të barabartë me kombet e tjera në Jugosllavi. Në këtë kuptim si një zgji­dhje politike kërkesa për Republikën e Kosovës ishte shu­më e arsyeshme. Në fakt alternativa për jetësimin e kësaj të drejte për Kosovën ishte shtruar edhe në takimin e dele­ga­cionit të shqiptarëve të Kosovës me Titon në Beograd, në tetor të vitit 1968. Titoja me atë rast kishte dhënë një për­gjigje diplomatike, por në fakt ishte e prerë në mohimin e kërkesave të shqiptarëve, duke deklaruar se “Republika nuk i zgjidh të gjitha problemet”.

Në rrethanat kur kërkesa për Republikë u përhap shumë dhe u mirëprit në popull, por nuk u përkrah publi­kisht nga politikanët e Kosovës, lëvizja ilegale në Kosovë e konsideroi atë si objektiv të ri për të cilin duhej punuar e luftuar.

 Përveç diskutimeve kushtetuese, manifestimeve të shumta me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut (1968), lëvizjet studentore në Evro­pë më (1968) etj. qenë faktor shtytës në luftë për zgjimin kombëtar të shqiptarëve në Jugosllavinë përgjithësi e në Kosovë në veçanti.  Studentët u bënë bartësit kryesorë dhe u vunë në ballë të përpjekjeve dhe luftës për të drejta kombëtare, duke kërkuar realizimin e të gjitha të drejtave që i gëzonin të tjerët në federatën jugosllave.

Demonstrata e parë masive në Kosovë u organizua në Prizren, më 6 tetor 1968, ku nga demonstruesit u kër­kua që Kosovës t’i jepej e drejta e vetëvendosjes. Menjë­he­rë, më 8 tetor, demonstrata të ngjashme pati në Suha­re­kë, kurse më 19 tetor 1968 demonstrata me kërkesë për Republikën e Kosovës u organizuan në Pejë. Këto ishin demonstratat e para në Kosovë pas Luftës së Dytë Botë­rore. Më 27 nëntor të vitit 1968 u organizuan demonstrata masive në kryeqytetin e Kosovës në Prishtinë si dhe në Gjilan, Ferizaj e Podujevë. Demonstrata më e fuqishme ishte ajo e Prishtinës, me ç’rast demonstruesit duke mar­shu­ar nëpër qytet u përleshën masivisht me forcat policore të cilat u sollën në mënyrë shumë të vrazhdë.

Ndër parullat kryesore të demonstruesve ishin: “Ko­so­va Republikë”, “Duam vetëvendosje”, “Duam bashki­min e viseve të banuara me shqiptarë me Kosovën”, “Du­am Kushtetutë”, “Duam Universitet” etj. Gjatë përleshjeve tejet të ashpra ndërmjet forcave policore dhe demonstru­e­sve në Prishtinë  u vra nxënësi Murat Mehmeti.

Ndonëse u shtypën me dhunë një demonstratë e tillë u organizua në Tetovë një muaj më pas kurse demonstrata e fundit ishte ajo e Ulqinit që u organizua më 3 qershor 1969.

Demonstratat e vitit 1968 për herë të parë e nxorën në sipërfaqe problemin e madh të pa zgjidhur të shqip­ta­rëve në Jugosllavi, problem që qarqet shtetërore ishin përpjekur ta mbanin të mbyllur në forma të ndryshme. Ndëshkimi i aparatit shtetëror të dhunës për demonstratat ishte i madh. Përveç të vrarëve dhe të plagosurve pati edhe shumë të burgosur dhe të përndjekur nga policia, largime nga puna dhe presione të tjera.

Megjithatë, edhe efektet e këtyre demonstratave ishin jashtëzakonisht të rëndësishme. Ndonëse nuk u reali­zu­an kërkesat kryesore u shpejtua themelimi i Univer­si­tetit, u miratuan amendamentet kushtetuese përmes të cilave u krijua një hapësirë më e gjerë politike për veprim, u rrit veprimtaria shkencore, botuese, kulturore etj.

 68-a, ku dolën në skenë Lindja e perëndimit dhe perë­ndi­mi i Lindjes, ishte mjaft domethënëse. Perën­di­morët ishin të gatshëm të hiqnin dorë vullnetarisht nga “Bota e tyre e lirë dhe demokratike”, nga “shoqëria e ko­n­su­mit mirëqenies dhe bollëkut” në favor të një “parajse”, ku do të kishte barazi e siguri të plotë sociale për dallim nga lindorët që do t’i jepnin të gjitha këto me të dy duart, vetëm për një copë të vogël të “parajsës” (po ashtu të ima­gji­nuar në anën tjetër perëndimore. Secila palë kishte “parajsën” e saj zhgënjyese dhe një “parajsë tjetër “ngu­shë­llonjëse”. Sidoqoftë, Evropa po lëvizte dhe po sfidonte status quonë evropiane. Muri i hekurt që ndante Evropën në dy pjesë, po goditej në të njëjtën kohë nga të dyja anët. Edhe demonstratat e Beogradit dhe Zagrebit të vitit 1968 e kishin lindjen dhe perëndimin e tyre specifik. Mirë­po, ndryshe nga rreshtimi në skenën evropiane Zagrebi ishte më afër perëndimit të lindjes, kurse Beogradi më afër Lindjes së Perëndimit.

Nëse nuk mund të konkludohet lehtë se demonstratat e Beogradit dhe Zagrebit u bënë nën ndikimin e atyre të Evro­pës mund të pohohet me siguri të plotë se gjashtë­dhjeteteta shqiptare nuk mund të ishte “siç është quajtur pa të drejtë” “jehonë e vonuar e demonstratave të Beogradit e të Zagrebit” (Branko Horvat). Sepse gjendja në të cilën ndodheshin në Jugosllavi ishte krejtësisht e veçanta nga ajo e popujve të tjerë për rreth.

Gjashtëdhjeteteta shqiptare e kishte edhe socialen, edhe demokratiken, por mbi të gjitha e kishte kombëtaren, e cila në kushtet ekzistuese të shqiptarëve nuk mund të mos ishte parakusht i të gjithave, diç universale dhe ekzi­s­tenciale. Prandaj, pranvera shqiptare e gjashtëdhjetetetës e kishte më shumë vulën e nëntorit se sa të majit.

 Përveç produkt i kohës, i koniunkturës së krijuar dhe kërkesave imediate gjashtëdhjeteteta shqiptare ishte kryesisht manifestim i vazhdimësisë së pandërprerë të lë­vi­zjes sonë kombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat