Ju rini e dashur shqiptare askund nuk jeni

Opinione

Ju rini e dashur shqiptare askund nuk jeni

Nga: Sulejman Mehazi Më: 7 nëntor 2018 Në ora: 06:17
Sulejman Mehazi

Ju rini e dashur shqiptare askund nuk jeni me sjelljet tuaja, s'dini se pse jetoni, jeni duke e harxhuar kohën më të vlefshme të moshës suaj kot, pa farë angazhimesh rinore. Kulturë jo, punë jo, mësime jo, disciplinë jo, komb jo, fe jo, për ju vetëm bastore po, drogë po, alkohol po, prostitucion po, pandershmëri po, amoralitet po, moskujdesje po, mosrespekt po, thëniet e mësipërme janë më të dashura se sa jeta juaj e shenjtë rinore. Cilët janë fajtorët kryesore për mjegullosjen tuaj morale, intelektuale e kulturore? Të gjithë, ama të gjithë që nga prindërit e deri më lartë, deri te institucionet shtetërore.  

Prindërit e shkretë kanë ngelur me ju, me padëgjueshmërinë dhe arrogancën tuaj të pakuptimtë, për ju më të vëmendshëm e më të rëndêsishëm janë miqtë rreth e për qark sesa prindërit tuaj. Në anën tjetër dhe prindërit se dinë veten se ku janë, çfarë roli e përgjegjësie kanë ndaj fëmijëve e ndaj familjes në përgjithësi. E keqja më e madhe është se të gjitha problemet familjare i fshehim duke folur e përgojuar të tjerët, në anën tjetër fshehim budallaqët e fëmijëve tanë. Shkurt e qartë, pse s'jemi të sinqertë e të themi troç, se nuk na bëjnë punët me fëmijët tanë, pse e fshehim këtë, pse veprojmë prapshtë, pse më shumë i lavdërojmë fëmijët tanë kur aspak se merritojnë, në asnjë bisedë me miqtë e mi nuk kam ndëgjuar që të ankohen ndaj fëmijëve, se më shumë ankohen ndaj resë apo nuses sesa ndaj vajzës e djalët. Pse vetëm nuset  janë të këqija, kurse djemtë dhe vajzat tona të mira e të mençura.

Në anën tjetër pse institucionet shtetërore nuk marrin masa kundër këtyre vetive të keqija të fëmijëve tanë?

Ministria e Arsimit dështoi, kurrgjë s'ka bërë për edukatën e nxënësve, atëherë si t'ia bëjmë, ku është shpëtimi? Sistemet komuniste, socialiste nuk kanë qenë aspak të mira për shqiptarët, por një gjë është e vërtetë se fëmijet edukoheshin shumë më mirë se sa tani. Edukoheshin me anë të zanateve e shkollimit. Sistemi i atëhërshëm komunist nuk i detyronte që  gjithë nxënësit e shkollave fillore të vazhdojnë shkollimin e mesëm, ata që dëshironin e ishin nxënës të mirë vazhdonin shkollimin e mesëm,  të dobëtit  shkonin nëpër zanate apo punonin punë të ndryshme, kështu që rinia e atëhershme s'kishte shumë kohë për ahenge e qejfe të përditëshme. Pra, me anë të angazhimeve, zanateve edukohej rinia. Thënia popullore: "Edukata e sjellja më e mirë e të rinjve është puna"

Në anën tjetër rininë e atëhershme komuniste e edukonte dhe Ministria e Mbrojtjes me anë të detyrimit ushtarak të çdo të riu. Me ligj, ishte e patjetërsueshme që çdo djalë i ri të kryente obligimin ushtarak. Aty rinia socializohej, shoqërohej, mësohej e edukohej me disciplinën e regjimit të ashpër ushtarak, duke u mësuar të dëgjonte urdhërat e oficerëve ushtarak, me këtë disciplinë ushtarake të rinjtë bëheshin të kalitur e të regjur për jetë e për sfida të mëtutjeshme jetësore.

Do t'shte mirë që të gjitha Ministritë e Mbrojtjeve të shteteve shqiptare të bënin obliguese shërbimin ushtarak të rinisë sonë, e jo obliguese vazhdimin e shkollës së mesme, dhe në SHBA nuk është e obliguar shkolla e mesme, po sipas dëshirës së nxënësve.

Dhe një gjë interesante, në kohën tonë nuk mundej të martohej ai që se kishte të kryer ushtrinë jugosllave duke menduar  të tjerët se është i sëmurë fizikisht apo psikikisht e është i pa aftë për t'u martuar e jetuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat