Përfshirja e Proklamatës së KAÇKM në Preambulë është në kundërshtim me orientimin evropian të Maqedonisë

Opinione

Përfshirja e Proklamatës së KAÇKM në Preambulë është në kundërshtim me orientimin evropian të Maqedonisë

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 14:46
Abdulla Mehmeti

Përfshirja e Proklamatës së KAÇKM në Preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë Veriore, e cila flet për luftën e përbashkët çlirimtare të popullit maqedonas me „vëllezërit serbë“ dhe betejat heroike të „Armatës së kuqe ruse“ nuk përkojnë me realitetin historik të djeshëm, ndërsa sot nuk i kontribojnë paqes dhe stabilitetit në vend, sigurisë ndërkombëtare, vlerave demokratike, orientimit evropian të shtetit, bashkëjetesës së popullit maqedonas me popullin shqiptar dhe të tjerët, fqinjësisë dhe bashkëpunimit me shtetin bullgar dhe shtetet tjera fqinje të Maqedinisë Veriore.

1.

Sipas Aktvendimit të Këshillit Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Maqedonisë, si organ përfaqësues suprem, legjislativ dhe ekzekutiv dhe autoritet më i lartë i pushtetit shtetëror të Maqedonisë demokratike, në nenin 1, thuhet:

„Duke u mbështetur në vullnetin e lirë dhe të drejtën për vetëvendosje të popullit të Maqedonisë (jo të popullit maqedonas!)...“.

Gjithashtu, në nenin 3, thuhet:

„Këshillin Antifashist për Çlirimin Kombëtar të Maqedonisë (KAÇKM) e përbëjnë përfaqësuesit e popullit, pa dallim të përkatësisë kombëtare, konfesionale, gjinore, racore dhe bindjeve politike-partiake, të cilët e kanë dëshmuar se e përkrahin luftën për liri dhe pavarësi të popullit të Maqedonisë (jo të popullit maqedonas!)“ 

2.

Gabimin e Qeverisë së Maqedonisë me përfshirjen e Proklamatës së KAÇKM në amendamentin për ndryshimin e Preambulës duhet ta përmirësojë Parlamenti   

Për çfarë qëllimi dhe me çfarë motivesh, me ndryshimet e reja kushtetuese Qeveria aktuale e Maqedonisë ka propozuar Amendament për ndryshimin e Preambulës, me të cilin në vend që të përmenden aktet që e afirmojnë barazinë mes qytetarëve të vendit pa dallim të përkatësisë kombëtare dhe luftën e përbashkët të tyre për liri dhe pavarësinë e Maqedonisë, propozon përmbajtje nga aktet që e lartësojnë luftën e përbashkët me „vëllezërit serbë” dhe betejat heroike të „Armatës së kuqe“ ruse, kundër, siç thuhet në këtë Proklamatë, „fashistëve bullgarë” dhe „bandave fashiste shqiptare“?!

3.

Edhe Qeveria dhe Presidenti i Bullgarisë kanë reaguar në lidhje me përfshirja e Proklamatës së KAÇKM në amendamentin për ndryshimin e Preambulës   

Sipas mediave bullgare, përfshirja e „Proklamatës së KAÇKM“, në të cilën flitet për Bullgarinë fashiste, është „ofendim për historinë dhe domethënë tërheqje e Shkupit nga Marrëveshja për miqësi me Bullgarinë“, e nënshkruar para një viti mes Qeverisë së Bullgarisë dhe Qeverisë së Maqedonisë.

Një nga opsionet e palës bullgare është, kryeministri bullgar Borisov të reagojë te kolegu i tij maqedonas Zaev që ta tërheqë Proklamatën e KAÇKM nga amendamentet kushtetuese, që mendohet se është pak e mundur, për shkak se Sofja zyrtare do të bëjë çmos që të respektohet kërkesa e BE dhe NATO-s të mos dështojë Marrëveshja e Prespës, si projekt i rëndësishëm për rajonin.

Siç merret vesh nga mediat bullgare, ministri i Mbrojtjes dhe nënkryetar i Qeverisë aktuale të Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov dhe presidenti i shtetit, Rumen Radev, kanë kërkuar mbledhje urgjente nga qeveria bullgare, e cila pritet të mbahet këtë të premte, në të cilën pritet të merren qëndrime dhe të jepen orietime si të pengohet hyrja e Proklamatës së KAÇKM në Preambulën e Republikës së Maqedonisë Veriore“.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat