Marrëdhëniet e maqedonasve dhe shqiptarëve të Kosovës ndër vite

Opinione

Marrëdhëniet e maqedonasve dhe shqiptarëve të Kosovës ndër vite

Nga: Mr. Xhevahire Krasniqi-Podvorica Më: 8 nëntor 2018 Në ora: 15:49
Mr. Xhevahire Krasniqi-Podvorica, PhD.Candidate

Gadishulli i Ballkanit, i cilësuar si djep i civilizimit, me gjithë këtë epitet dhe cilësim që i bënë nder cdo rajoni e cdo populli, ka qenë gjithmonë, ashtu si është edhe aktualisht cak I interesimeve të fuqive të mëdha dhe e grabitcarëve tjerë për rreth. Kjo për shkak të pozitës së tij gjeo strategjike dhe gërshetimit të rrugëve të cilat lidhin jugun me veriun sikur edhe për shkak të transversaleve të cilat kalojnë nga perëndimi drejt lindjes. Kjo pozitë gjeografike dhe këto toka të cilat kontrollojnë portet dhe rrugët detare mjaft të rëndësishme, si Deti Egje, Deti Mesdhe, Deti Jon dhe Deti Adriatik, ka ndikuar që, për dominancë dhe kontrollim të këtyre rrugëve sa detare po aq edhe tokësore, ndër shekuj, mbase prej antikitetit, në këto anë të zhvillohen luftra të njëpasnjëshme të cilat pastaj kanë shkaktuar efekte zingjirore edhe në fushat e tjera të jetës. Ndërthurjet kulturore, ndikimet gjuhësore dhe interferencat tjera të cilat janë evidente dhe të pamohueshme, janë rezultat i këtyre okupimeve të gjata, të luftrave të njëpasnjëshme dhe të fërkimeve tjera të cilat ndër shekuj e kanë penguar zhvillimin më të hovshëm të rajonit dhe integrimin në rrjedhat bashkëkohore botërore.

Prania e disa fiseve dhe pastaj popujve me kultura të ndryshme në një territor kaq të ngushtë, të ndarë edhe në baza konfesionale, gjithmonë ka nxitë debate të cilat kanë gjeneruar edhe sherre të njëpasnjëshme për grabitje teritoresh dhe për të demostruar fuqitë e tyre ushtarake, duke pretenduar kështu, shpesh edhe me falsifikime të fakteve historike për autoktoninë e tyre, që do të thotë për të drejtën për të kontrolluar cdo gjë. Gjithsesi, pasojat e kësaj hegjemonie më së shumti dhe më keq i kanë pësuar popujt e vegjel, të cilëve iu ka kontestuar edhe autoktonia edhe identiteti nacional. Megjithëse “të mëdhej” në Ballkanin e trazuar, edhe aktualisht nuk ka. Këtu, në këto troje, ku prodhohet aq shumë histori e folklor por jo  edhe të mira materiale të cilat do ta kishin ngritë standardin jetësor të njerëzve, janë pothuaj të gjithë “të mëdhej-të vegjël”. Kjo ngase numerikisht, krahasuar me popujt tjerë të Europës dhe botës tjetër, pothuajse të gjitha janë të paktë në numër, posaqërisht dekadave të fundit kur shpërngulja drejt vendeve të zhvilluara dhe rënia e natalitetit e kanë bërë të veten. Ndërkaq jemi “të mëdhej” falë krenarisë së tepëruar të ballkanasve dhe megalomanisë të cilen mbase e kanë të lindur, e kanë në kodin gjenetik të tyre.

Populli shqiptar dhe populli maqedonas, pas njohjes së këtij të fundit, me formimin e federatës Jugosllave, kanë pasë mjaft pika identike të takimit gjatë historisë dhe gjatë luftës së tyre për të dëshmuar identitetin e tyre kombëtar dhe për të arritur clirimin prej okupimeve të gjata. Në të vërtetë, kjo e kaluar e tyre më tepër gjason në ngjajshmëri për nga mënyra dhe aktivitetet që kanë zhvilluar në rrugën e tyre drejt lirisë se sa për nga elementet identitare të ngjajshme që pothuajse gjithmonë janë fabrikuar për qëllime të caktuara politike pasiqë asgjë të përbashkët tjetër nuk  kanë. Populli shqiptar, tanimë e dëshmuar si pasardhës i ilirëve dhe me gjasë në rrugë të mirë për të dokumentuar shkencërisht edhe lidhjen pellazge, ndërkombëtarisht njihet si njëri prej popujve autokton të Gadishullit të Ballkanit, me një kulturë të lashtë  e cila  kishte një shtrirje shumë të gjërë, deri në brigjet e lumit Danub. Ndër dëshmitë tjera të këtij pretendimi është edhe gjuha shqipe e cila, në kuadër të gjuhëve indo-europiane, përbën grup në vete, duke determinuar kështu edhe autoktoninë, edhe lashtësinë e saj.

Ndërkaq, populli maqedonas, si pjesë e fiseve sllave, të ardhur në këto troje kah fundi i shekullit VII dhe fillimi I shekullit VIII, është shembulli më i mirë i padrejtësive të njëpasnjëshme që një populli te vogël mund t’I bëhet duke e ndarë atë sa në shtete të ndryshme sa nga ana tjetër duke i mohuar qenien e tij identitare në bazë të karakterizimit që i është bërë duke e quajtur herë herë si fis bullgar, herë herë duke iu mveshur epitete tjera dhe kështu me radhë. Sigurisht që, të gjendur në një situatë të këtillë, prej  mohimit të tërësishëm deri te një egzaltim tepër i theksuar gjatë periudhës së egzistencës së ish-Jugosllavisë, edhe maqedonasit, kanë shkuar prej një ekstremi në tjetër, duke u munduar të theksojnë origjinen e tyre antike por edhe duke u munduar të ushtrojnë dominance politike e kulturore ndaj popujve tjerë, numerikisht më të vegjël brenda shtetit të tyre të brishtë.

Pa u larguar më thellë në histori, ku kontaktet në mes dy popujve gjithsesi kanë qenë evidente, dokumentet të cilat flasin për një bashkëpunim më të ngushtë në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve, posaqërisht theksojnë momentet kur që të dy popujt janë ballafaquar me të këqijat e përbashkëta dhe me armikun e përbashkët.  Periudha të këtilla, të ballfaqimit me luftra, aneksime, mohime dhe forma tjera të imperializmit serbomadh, të drejtuara ndaj dy popujve fqinj, kanë qenë të njëpasnjëshme dhe të pandalshme. Megjithate, periudha kur e keqja i detyroi shqiptarët e maqedonasit të përafrojnë qëndrimet e tyre karshi ngjarjeve që luheshin për rreth dhe për organizimin e një qëndrese eventuale të përbashkët, ka qenë koha pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, Konferencës së Paqes në Londër dhe në Bukuresht në vitin 1913. Në të vërtetë, Shqipëria, e dalë pas një okupimi të gjatë pesëqindvjecar, brenda teritorit të cunguar të saj, akoma ballafaqohej me probleme të shumta, ndasi në baza ideologjike e fetare sikur dhe me një luftë të ashpër për dominancë me pushtetin.

Ky stabilitet i munguar politik e institucional, i ndihmuar edhe nga gjendja jashtëzakonisht e rënduar ekonomike e sociale, vetëm sa përkeqësonte situatën e përgjithshme të sigurisë dhe ngjallte shpresa të mëtutjeshme nga fqinjët për coptim edhe të mëtutjeshëm të teritorit shqiptar. Gjithsesi, ëndrra serbe për dalje në Detin Adriatik, jetonte akoma dhe ushqehej gjithnjë e më shumë edhe prej aleatit tradicional të saj, Rusisë. Pakënaqësia, revolta dhe indinjata për një trajtim të këtillë të qështjes shqiptare dhe coptimi i trojeve e popullit nëpër disa shtete për rreth, rezultoi me organizime të shumta, kryesisht në baza regjionale dhe pa ndonjë kierarki të theksuar as organizative, as institucionale dhe as profesionale duke ndikuar kështu në  krijimin e rrethanave shumë të volitshme për të dështuar. Një situatë e këtillë, bile edhe më e rënduar, u krijua me popullin maqedonas.

I gjendur në pozitë shumë të pavolitshme, të mohimit të tërësishëm si popull, pa identitet kombëtar, si pjesë e trungut sllav por edhe si një popull me shumë ngjajshmëri sa fetare po aq edhe gjuhësore e kulturore me popullin bullgar, një dukuri e cila edhe sot e kësaj dite është gjallë, grupe të caktuara revolucionarësh të mbledhur rreth organizatës VMRO, duke filluar prej vitit 1913 kur organizuan Kryengritjen e Tikveshit kundër ushtrisë serbe, një kryengritje kjo e cila, për shkak të organizimit të mangët dhe fuqisë ushtarake të ushtrisë serbe, u shua me gjak dhe këndej e tutje në vazhdimësi kanë pasë një bashkëpunim të theksuar politik e ushtarak me subjekte e individë shqiptar. Aktivitete të këtilla, të organizuara mirë por edhe aksione tjera, pa ndonjë efikasitet të theksuar konkret, maqedonasit, ndonjëherë duke bashkëpunuar e bashkërenditur edhe me shqiptarët dhe cetat e tyre, do të ndërmarrin edhe më vonë, në rrethana të ndryshme por me qëllimin e vetëm që të dëbojnë ushtrinë serbe.

Me qëllim të luftimit të rreziqeve të përbashkëta dhe largimin e ushtrisë serbe prej këtyre vendeve, shqiptarët dhe maqedonasit, edhe pse jo në mënyrë institucionale, filluan të bashkëpunojnë, fillimisht me droje dhe në nivele më të ulëta ndërsa më vonë edhe në forma më të organizuara të cilat rezultuan edhe me aksione të përbashkëta ushtarake. Profesoresha e historisë,  Katerina Todorovska,  njohëse e mirë e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase, pothuajse në të gjitha studimet e saj, ndër të tjera na sjell dëshmi tjera të realiyimit të këtij bashkëpunimi në mes të grupeve dhe organizatave të patriotëve të dy popujve kundër ushtrisë serbe, pas vitit 1913.  Këto aktivitete dhe ky bashkëpunim me shqiptarët posaqërisht vie në shprehje gjatë Kryengritjes së Ohrit e Dibrës në vitin 1913, një kryengritje e cila, për arsye të ndryshme u shua shumë dhunshëm.

Në vazhdim, bashkëpunimi i popullit maqedonas dhe shqiptar të Maqedonisë me shqiptarët e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, është shtrirë në disa drejtime por pa ndonjë strategji të theksuar veprimi, për shumë arsye. Deri në fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Maqedonia nuk ka qenë një shtet dhe as pjesë konstitutive e ndonjë shteti tjetër ndërsa vetë populli maqedonas, në shumicen e institucioneve dhe organeve politike të kohës, nuk është njohur si komb por është cilësuar popullsi  a si fis pa ndonjë identitet kombëtar. Këto cilësime, kanë ardhë për shkak të qëndrimeve hegjemoniste të shteteve më të fuqishme të kohës në rajon, si Serbia, Bullgaria dhe Greqia. 

Pas Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova dhe trojet tjera të banuara me shqiptarë, që numerikisht përbënte dhe përbënë akoma më tepër se gjysmen e kombit mbetën të  shkapërderdhur nëpër njësitë konstitutive të ish Jugosllavisë, këto marrëdhënie shënojnë zhvillime paralele: derisa raportet institucionale ishin “të ngrira” dhe zhvilloheshin pa ndonjë ndikim të theksuar, ato tjerat, në mes të shqiptarëve nga dy anët e kufirit shënojnë një zhvillim mjaft të hovshëm por gjithmonë në varësi prej rrethanave politike brenda shtetit komunist. Këtu duhet theksuar se edhe autoritetet zyrtare të Kosovës së atëhershme, këto zhvillime i kanë ndihmuar e stimuluar mjaft. Vlenë të përmendet shkollimi i nxënësve dhe studentëve në institucionet arsimore e shkencore të Kosovës, botimi i punimeve shkencore, arsimore e kulturore, organizimi i Konferencave e tubimeve të ndryshme shkencore, manifestimet kulturore etj. 

Këto marrëdhënie, përgjithësisht të realizuara në mes të shqiptarëve nga të dy anët e kufirit,  janë zhvilluar kryesisht në këmbimin e kuadrove të ndërsjella, në organizimin a në pjesëmarrjen në manifestime të ndryshme si festivale, shfaqje teatrore, botimin e librave në gjuhen shqipe e përkthimin e veprave të ndryshme të artit, në organizimin e koncerteve etj.

Në të vërtetë shqiptarët, si të Kosovës poashtu edhe nga Republika e Maqedonisë, kanë qenë gjithmonë dhe janë akoma faktorë stabiliteti dhe miqësie në mes dy popujve. Janë këta shqiptarë të cilët, nëpërmjet  formave të ndryshme të veprimit, kanë ndikuar që kultura shqiptare të njihet dhe të respektohet, sigurisht te ajo pjesë e popullatës maqedone e cila nuk është e ngarkuar me albanofobinë dhe paragjykimet e ngarkesat tjera ndënacionale e ndërfetare.

 Vitet nëntëdhjeta kaluan në shenjen e konflikteve luftarake sa në Kroaci e Bosnjë po aq edhe në Kosovë e Maqedoni andaj edhe nuk mund të flitet për ndonjë bashkëpunim të theksuar në fushen e kultures. Tani, pas një relaksimi të ndieshëm të raporteve ndërnacionale në Republiken e Maqedonisë dhe pas një këndelljeje ekonomike të vendit tonë, edhe zhvillimet e bashkëpunimit në mes dy vendeve shënojnë një ngritje të lakmueshme. Bashkëpunimi ekonomik është mjaft i hovshëm, këmbimi i mallrave në mes dy vendeve është në rritje dhe këto elemente janë shumë të rëndësishme dhe ndikojnë në bashkëpunimin ndërinstitucional të të dyja vendeve. Si shembull do theksoj se në të gjitha organizimet shkencore e kulturore që bëhen në institucionet e ndërsjella në të dy vendet, patjetër marrin pjesë edhe studiues të kultures nga Kosova ndërsa studiuesit nga Maqedonia rregullisht i kemi në evenimente, ngjarje e zhvillime  të ndryshme që organizohen në Kosovë. Kjo dukuri dhe këto zhvillime të reja dhe pozitive, duket se do të vazhdojnë edhe më tutje në mes dy vendeve e shteteve ndërsa faktor qenësor i këtyre lëvizjeve gjithsesi janë shqiptarët e maqedonisë, të cilët gjithnjë e më shumë po bëhen katalizator dhe faktor mirëqenie, paqeje dhe stabiliteti jo vetëm në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor por edhe më gjërë.

(Autorja është doktorante në Universitetin shtetëror “Shën Cirili dhe Metodi” në Shkup)

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat