Koha për t’u larguar!

Opinione

Koha për t’u larguar!

Nga: Kimete Berisha Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 19:37
Kimete Berisha

1. Kur është koha e duhur për t'u larguar! 
Çiftja ime nuk e di. Se gjithmonë dhe gjithkund mbërrijë me vonesë. Dhe për pasojë, nga gjithkund largohem me vonesë. 
E në rastet kur ti largohesh me vonesë, kryesisht njerëzit të përzënë, sepse janë një hap para teje në dashuri, në urrejtje, në gjithçka që ekziston.

Atyre si mua, s'u bëhet vonë, prandaj nuk janë model për t'u ndjekur...s'të bëhet vonë shkaku se asgjë s'të duket më serioze sesa koha që do t'ia vjedh vetes. 
Pastaj, kur s'të duket asgjë aq serioze, ti e di se s'ka gjë më qesharake sesa të nxitosh të mbërrish me kohë, e cila nuk është në dorën tënde. 
Përtej saj, ti e di se gjjthçka bën edhe pa ty, siç ka vazhduar jeta pa Krishtin, pa Muhamedin, kanë vdekur Pejgamberët, Nëna Terezë e njerëz tjerë të mirë që ua kanë lidhur njerëzve plagët me lutje e me poezi, dhe jeta ka vazhduar, nga e para, sikur të lindte sot.

2. Mbrëmë në Tiranë teksa rreth tavolinës flitej për dashurinë, e prekja zemrën me dorë, që ta ndjejë a po rrah a jo, aq shumë nuk ndjeja, gjë, as hidhërim, as dëshirë, as dashuri, asgjë hiç, e kur ti s'ndjen asgjë, të dhemb më shumë sesa kur ndjen.

Sepse ndjenja e zbrazëtisë apo e boshllëkut, e indiferencës dhe ndjenja që asgjë nuk është aq serioze, sepse 's'ka libër që s'e mbulon harresa', është më e rëndë se secili tregim i përgjakur i dashurisë. 
Por jashtë 'teorisë' sime për ikjen në çastin e duhur, kur kthen kohën dhe s'sheh njeri, e kupton se ke harruar të ikësh, dhe askush s'të ka bërë zë.

3. Askush s'ka qejf të ikë, më së zori është ta falësh veten. Por të ikësh mençur do të thotë të ikësh bukur, ta shfrytëzosh rastin, kur vjen rasti i mirë me ikë-ik, vetëm atëherë njerëzit për disa çaste ndoshta gjejnë pak mëshirë për ta e ndjerë me keqardhje ikjen tënde, së paku mashtrohesh me një lavdi 24 orëshe që ta falin ata që mezi s'kanë pritur të ta shohin shpinën.

4. Ramush Haradinajt i ka ardhur një rast i mirë për t'u larguar dhe për ta materializuar ikjen e tij. 
Nëse ikë me arsyen se nuk heq dorë nga vendimi i tij për rritjen e taksës për mallrat e Serbisë, fiton simpati dhe një shans për të mbijetuar në politikë.

E nëse nuk e shfrytëzon motin e mirë që po i merr, atëherë edhe ashtu largohet pa lavd, se s'ka çare pa u larguar, sepse gjallë Hashim Thaçi, nuk e lë pa e përzënë, pasi që e shfrytëzoi mirë për t'ia falur 'pak' vendlindje Malit të Zi.
(Ramush Haradinaj është njeriu i vetëm për të cilin kam dëgjuar, që e ka falë 'pak' vendlindje për t'u bërë 'pak' kryeministër).

I humbur se i humbur, Ramush Haradinaj nuk ka alternativa tjera: ose të largohet vetë, ose të pres derisa ta përzënë.

5. Ramush Haradinaj po bën fushatë me taksa të shtetit, asgjë s'ka të keqe këtu, përkundrazi, i lumtë, por do të materializonte këtë fushatë vetëm nëse do të largohej vetë e s'do ta priste fundin duke shikuar nga penxhereja.

6. Edhe Vetëvendosja po presin që Hashim Thaçi të largohet vetë, përndyshe do të bëjnë protesta. 
E çfarë 'lufte' është kjo! Ju lirisht nisjani protestave, në mundshi me rrëzu, sepse Hashim Thaçi nuk dorëzohet. 
Është në karakterin e tij: nuk lodhet, nuk dorëzohet, nuk tutët, nuk shkon pa e përzënë.

7. Ndoshta pak më i zi se Hashim Thaçi është Isa Mustafa, i cili po ashtu nuk largohet, pa u bë nami. Nuk lëshon vend pa u bë nami, as s'i vjen inat, as s'mërzitet çfarë thonë për të, as nuk pendohet as nuk lodhet nga lufta për qëllime personale, thjesht e do veten aq shumë sa nuk largohet pa e kapë për krahu. 
Kushdo që pret nga Isa Mustafa ta ndryshojë mendjen, e ka shumë gabim. Edhe ky si Hashim Thaçi, veç një autoritet suprem e njeh-veten.

8. S'ka mbetur padrejtësi dhe e keqe që s'u bë në këtë vend.
Përgjigjju vetes: 
- Si u bë që shqiptarët t'ia dalin ta korruptojnë drejtësinë evropiane?
- Si ndodhi që të vriten ditëm drekë para dyerve të shtëpisë gjithë këta njerëz dhe sot mbas 20 vjetësh vashdojnë e pyesin: Kush e vrau filanin, kush e vrau fistekun! 
Pulat në masë me pas humb maleve edhe ish dashtë me dal dikush m'i lyp, mos me 'vazhdu jetën' pa e kuptu çka ka ndodh me to.

- Si u bë që shqiptarët të mos e padisin Serbinë për krime lufte dhe gjenocid ?

- Si u bë që menjëherë pas luftës shqiptarët që kanë përjetuar vrasje, masakra dhe përndjekje, pa asnjë kompleks të hanë e të pinë mbeturina të Serbisë.

Aq larg mbërriti çmenduria jonë sa e krijuan legjendën se bujqit nuk kishin llogari të mbjellnin grurë, dhe prandaj më mirë e më lirë u binte ta blejnë miellin e krimbur të Serbisë.

- Çfarë 'mëlqie' kanë shqiptarët!
(Flas në këtë muhabet, fryhem e s'ma ndin, sepse kush më njeh e di mirë se kurrë, ama kurrë nuk kam blerë asgjë të prodhuar në Serbi, dhe jo nga patriotizmi, por thjesht nga krenaria dhe kokëfortësia.

Po nuk kam se si ta harroj 'vdekjen time të parë' në luftë, pa bukë, pa ujë, duke i ngrehë këmbët zhag e përzënë nëpër kolonë, m'u terruan sytë dhe rashë e vdekur përtokë.
Prandaj, mua më mjafton kjo 'vdekje', së paku derisa të më kishte kërkuar falje dikush).

9. Nuk mësohet inati! Nuk mësohet krenaria! Nuk mësohet kokëfortësia! 
Ne s'është dashur t'ia hamë ushqimet Serbisë, e cila sot në sytë e botës e glorifikon kriminelin Slobodan Millosheviç, kush na ka faj, askush s'na ka faj pse ne e kemi bërë veten që me krenarinë tonë të munguar të luajnë politikë Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi.

Nuk i hahet ushqimi armikut të lirisë tënde! Përveç nëse je rob i tij.

10. Edhe në luftë kanë bë biznes me serbët. Për shembull jelekët dhe çizmet që na i kishte dërguar Bukoshi, ishin blerë nga serbët.

11. E sot, komunikatat e UÇK-së e marrin malin dhe krijohet përshtypja se këta 'veç shqiptarë paskan vrarë'.
Është e vërtetë, se ne që kemi qenë në luftë e dimë se e kemi pa me sy, se me vra serbë ka qenë gati e pamundur. Çudi qysh iu paskan vizatuar gatitur Nasim Haradinajt ushtarët serbë.

12. Dhe, si u bë që zyrtari i lartë i shtetit udhëton përditë zyrtarisht me vajza të reja, dhe për t'u lënë atyre përshtypje Kazanoveje, nuk e pranon kusurin 35 euro me pare të metalta, 1 euro, se i thotë taksistit 'e kam mërzi me m'kërsit paret n'xhep'.

Pra, dikush bën fushatë politike me rroga të artistëve (artistëve të shtetit ), dikush me taksa ushqimire, dikush me sofizma, e dikush nxan femra me pare të shtetit.

E neve nuk na e ndien. 
Na pëlqen humori, hajgaret, komeditë dhe horrori, lojërat na pëlqejnë, m'u duk bukur e m'u vesh bukur, kaq, tjetër s'na intereson).

Me indiferencën tonë e kemi zhdukur Ilirinë dhe Dardaninë. Historinë (si sot) na e kanë shkruar tradhtarët, e sot historianët (si dje) shkruajnë poezi të këqija dhe e fusin historinë në konflikt interesi, histori s'kemi, me dasht (dhe me na leju perendimorët), ashtu siç i kemi lënë ilirët edhe pa varre, e zhdukim edhe 'shqiptarinë'. 
Se ne s'jemi 'zhdukur' nga okupatori, ne e kemi 'zhdukur' veten me mospërfillje.

13. Ky shkrim e respektoi 'gramatikën' shkaku se pas disa ditëve, sot u ktheva nga Tirana. 
Shqiptarët e hanë njëri-tjetrin me urrejtje, asgjë më nuk rritet në zemrat tona si neveria për njëri-tjetrin.
Ata urrejnë. Ne nuk ndjejmë asgjë, e ata na duken të djegur nga neveria. 
Shkrihen nga lezeti të të bëjnë të ndjehesh i pakuptuar. Ëndërrojnë të të bëjnë të ndjehesh kurrkushi, duke filluar nga e folura
jonë 'gjuhëngrënëse'.

Ata janë të lirë por të trishtuar. 
Gjeje një shqiptar të vetëm (e fute në kornizë), që nuk flet i zemëruar, me nervozë, me zë të lartë, kërcënues dhe fyes edhe kur flet tema të bukura. 
Kur burrat shqiptarë (këta gazetarët që i shohim nëpër debate) nervozohen, e keni parë se si u tëhollohet zëri e u bëhet si i femrave.

Ne nga pafuqia ta mbysim veten, e mbysim njëri-tjetrin.

Se gjynah për ata atdhetarë tanë që janë kalbur burxheve e kanë mbytë veten për këtë 'lloj' Shqipërie.

P.S. Duke parë 'Lulet e së keqes' gjithandej, u ula për ta shikuar 'Martesën'. 
Aty të qeshet shqip, po, por jo në ndonjë gjuhë tjetër, sepse idiomat nuk përkthehen. Për ta kuptuar shqiptarët e Shqipërisë filmin, duhet ta lexojnë titrimin anglisht. Kur e lexon përkthimin, ndryshon humori, sepse idiomën e vdes përkthimi.

E pastaj vjen skena seksuale mes Bekimit e Nolit, që është skenë aq e gjatë, sa me shku prej Dardanisë në Dragodan....Regjisorja s'të merr kohënta marrësh me mend se çfarë bëjnë dy veta në shtrat. 
Askujt nuk i pëlqen pornografia, por nuk flet me zë, të gjithë nervozohen: pse kjo skenë kaq e gjatë pornografike (më e gjatë se dreka e neveritshme te tezja Remzije a qysh e pat emrin).
Është skenë e neveritshme sepse nuk e shpreh dashurinë mes dy vetave, por e shpreh epshin. E epshi nuk është tregues i lidhjes së fuqishme shpirtërore mes dy vetave, çfarëdo gjinie qofshin ata, që megjithatë në film (si edhe në jetën shqiptare) fiton paragjykimi dhe dyfytyrësia.

Aty ku nuk lypset guximi, shqiptarët e shprehin me shumicë. 
Se regjisorja do ta kishte marrë me mend se neve do të na mjaftonte vetën skena kur njëri i hyn tjetrit nën jorgan. Të tjerat kuptohen.

Unë e kam shikuar 'Danish girl' dhe kam ndjerë keqardhje për vuajtjet e personazhit që dëshironte të jetë grua dhe gruaja e tij e ndihmonte të ndjehej grua, sepse skenaristja nuk i ka dhënë përparësi kënaqësisë fizike të tij, por dhimbjes shpirtërore.

E kam shikuar edhe filmin 'A fantastic woman', ku luanin dy homoseksualë që regjisori i çonte deri te shtrati dhe i shmangej skenave pornografike që neve s'na ndihmojnë për të kuptuar psikën e tyre. Njëri dëshironte të bëhej babë, tjetri jo. Kaq. 
Më ka pëlqyer filmi, dhe kam ndjerë keqardhje për gruan, anipse në fund, mbasi e kam shikuar filmin, duke lexuar përkthimin nuk e kisha regjistruar në mendje nëse ishte spanjisht. Kur hyra në internet për ta kuptuar, e pashë se bëhej fjalë për një transgjinor. Pra, gruaja ishte transgjinor. Por, realizimi ishte aq delikat dhe me masë, sa as nuk hetohej as nuk imponohej prejardhja e saj gjinore, por vuajtjet e saj në raport me burrin me të cilin dashurohej e që ai e kishte lënë gruan dhe fëmijët për të.

Ne e kemi zanat ta teprojmë me çdo gjë, dhe tepricën e quajmë 'guxim'. 
Njerëzit e bëjnë 'atë punë' përnjëmend edhe askush nuk del në rrugë cullak. 
Asnjë skenë pornografike nuk mund të quhet art. Vetëm nga dashuria dhe nga përqafimi bëhet art. S'ka seks artistik. 
Mjafton që s'mund ta shikosh filmin në praninë e prindit. Filmi që nuk shikohet me familje...ka punë për t'u bërë film.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat