Kosova dhe politika akademike

Opinione

Kosova dhe politika akademike

Nga: PHD cand. Halil Dervishaj Më: 10 nëntor 2018 Në ora: 21:09
LDK, foto nga Kuvendi

Nocioni politikë akademike e përbërë nga një emër dhe nga një përcaktues paraqiten si shënjues e që parapëlqej t’i shoh në dy rrafshe.

E para, fjala politikë ka një kuptim më të gjerë sesa një fjalë e vetme e që nënkupton “veprimtarinë e pushtetit shtetëror të një vendi, që lidhet me qeverisjen e me drejtimin e shtetit, me marrëdhëniet me shtetet e tjera etj. dhe që ka për qëllim të ruajë e të forcojë bazën ekonomike e rendin shoqëror.”

E, në rrethana tona shoqërore me politikë mund të merret thuaja se gjithkush. Marrja me politikë pa pasur parasysh të gjitha këto elemente dhe jo vetëm këto (për hir të kompleksivitetit politik të Kosovës) është e dëmshme për vetë shtetin dhe qytetarët e saj.

Kohëve të fundit gjithnjë e më shumë po dëgjohen deklarata nga politikanë në Serbi se Kosova po e humb përkrahjen ndërkombëtare.

Në anën tjetër, në politikën kosovare, partitë në pushtet gjithnjë e më shumë shpërfaqin çorientimin dhe çakordimin e tyre lidhur me politikat që janë me interes nacional.

Sa është serioze dhe e dëmshme e para, aq është e rrezikshme e dyta.

Gjendja e tillë po krijon një ambient të pafavorshëm për perspektivë e për zhvillim.

Qytetarët e Kosovës, e posaçërisht të rinjtë, ndjehen të çorientuar dhe gjithnjë e më shumë po humbin shpresat për një perspektivë në vendin e tyre, ku më të madhe po ia mësyjnë Perëndimit.

Një reflektim i tillë i kësaj situate të pashpresë për ta, do të duhej që të ishte ndërgjegjësimi më i madh për politikën tonë, që të marrë masa të menjëhershme, në mënyrë që ta ndalojë këtë fenomen të ikjes nga vendi dhe ta vërë interesin e përgjithshëm mbi atë individual, apo grupor. Sepse ikja e tillë e të rinjve në perspektivë është gjëja më e dëmshme për Kosovën.

Gjendja e vështirë ekonomike, varfëria, rënia e cilësisë në arsim, mungesa e një sistemi të mirë shëndetësor, e në shumë e shumë fusha tjera po krijon një situatë shqetësuese.

Në një rrethanë tjetër politike, Kosova ka të gjitha resurset, njerëzore e natyrore me të cilat do të krenoheshin edhe shumë vende evropiane. Ka rininë e saj si pasuria më e madhe dhe pasuritë nëntokësore e mbitokësore, të cilat na i ka falur Zoti.

Por, për t’i vëne në funksion këto elemente, Kosovës i duhet një politikë akademike, e cila në mënyrë të qartë do të shfaqte planin e saj për prosperitet e zhvillim.

Situata e komplikuar në të cilën ndodhemi, zakonisht me fajin tonë (si politikbërje kosovare), e herë me padrejtësitë që bëhen ndaj nesh (nga të tjerët), do të duhej të ishte sinjal i qartë për ndërgjegjësim politik.

Që të ndodhë kjo, skenës politike në Kosovë nuk do të duhej t’i mjaftonte vetëm marrja me politikë, por do t’i duhej një klasë politike e cila di të bëjë politikë. Pra, marrja me politikë dhe politikbërja nuk janë nocione krejt të njëjta.

Me politikbërje nënkuptoj një politikë akademike, e cila prodhon politikë duke analizuar situatën deri në detale, bile edhe duke ju referuar nocionit e rrethanave historike, pra bazuar në argumente shkencore, për të krijuar një model qeverisës që do t’u printe proceseve, e jo të vazhdojë me modelin politik aposteriori si një imponim për politikbërjen. 

Politikbërja nënkupton një politikë akademike, e cila nuk përdor argumentin e inatit dhe nuk përdor pushtetin për përfitime personale, por përdor pushtetin për t’ua përmirësuar jetën qytetarëve.

Tema më e përhapur, më e diskutuar, e njëherësh më e paqartë është ajo e shpërfaqur nga Presidenti i Kosovës mbi shkëmbimin territorial, që është jo e qartë dhe e rrezikshme.  

Është shkelje e Kushtetutës së Kosovës, shkelje e  aktit më të lartë ligjor.  

Në vend se mobilizimi i faktorit politik serb në dëm të Kosovës të ndikonte në një mobilizim edhe më të fuqishëm të atij të Kosovës për vetëmbrojtje, institucionet tona më shumë se kurrë shpërfaqin çakordancën, duke dëshmuar së pari mosvullnet politik dhe mungesë të dijes politike.   

Politika e tillë (kryesisht politika e presidentit) jo vetëm që e kthen Kosovën mbrapa, por edhe shkelë elementin e shtetësisë, mbi të cilën është shpallur shteti ynë. Pakoja e Ahtisarit ishte kompromisi më i dhimbshëm përtej të cilit nuk bën të dilet. A nuk ishte kjo pako kompromisi më i madh për neve? Çka kërkohet më shumë tani? Ne nuk guxojmë ta “shkelim” atë që e ndërtuam me shumë mund.

Vendimi i GJND-së është arma më e fortë në rrafshin politik që sqaroi se Kosova ka shpallur pavarësinë e saj pa cenuar të drejtën ndërkombëtare. Për këtë temë s’do të duhej të diskutohej tutje. Diskutimet mund të bëheshin në fusha tjera, por jo bisedime për shkelje të Kushtetutës së Kosovës, që garanton sovranitetin brenda territorit të cilit na kanë njohur më shumë se 100 shtete.

Situata e tillë politike, politika e jashtme dhe e brendshme duhet të ndërrojnë rrënjësisht.

Por, klasa politike në pushtet nuk e ka seriozitetin e mjaftueshëm për t’u dhënë zgjidhje gjithë këtyre problemeve.

Kosova ka nevojë për një politikë akademike. E, që të bëhet politikë akademike duhet të njihen konceptet politike, shkencore e filozofike dhe veprimet e vendimet të merreshin mbi këto koncepte.

Tashmë ne nuk kemi nevojë për forcë fizike. Dija është ajo që mund forcën.

Presidenti de fakto ka humbur përkrahjen e popullit. Qeveria ka krizë të numrave për t’i kaluar ligjet.

Nëse vërtetë e duam Kosovën dhe duam që atë ta shpijmë përpara drejt progresit, duke nënkuptuar stabilitetin e brendshëm së pari, e pastaj rrugëtimin e Kosovës drejt familjes së madhe evropiane, ne duhet t’i kthehemi arsyes e ta largojmë inatin dhe t’ua lëshojmë rrugën njerëzve të dëshmuar, që kanë traditën, vullnetin politik, dijen e përkushtim për këtë.   

LDK-ja si subjekti politik më i madhi në vend, është e vetmja forcë politike që ka potencialin që ta bëjë këtë. E pastaj, rreth LDK-së do të duhej të bashkoheshin ato forca politike, që kanë orientime të ngjashme, në mënyrë që ta ndërronin këtë trajektore, e cila qon në regres.   

LDK-ja ka traditën institucionale shtetformuese dhe këtë e ka dëshmuar gjithmonë gjatë historisë së saj gati 30 vjeçare. Këtë përkushtim për shtetin LDK-ja e ka dëshmuar edhe atëherë kur nuk ka udhëhequr me vendin, ndërsa rezultate të paarritshme nga të tjerët ka dhënë në kohën e qeverisjes së saj.

LDK-ja si subjekti më i madh parlamentar dhe që ka përkrahjen më të madhe të popullit, dijen e traditën, meriton që të udhëheqë me vendin.

LDK-ja së bashku me ato subjekte që duan interesin e Kosovës më shumë sesa atë përsonal, apo grupor.

LDK-ja meriton të qeverisë me vendin dhe për të mirën e Kosovës, këtë do të duhej ta pranonin të gjitha subjektet e tjera politike, për hir të qytetarëve të saj, të rinisë së saj, pa inate, por bazuar në parime demokratike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat