“Kryeministri Haradinaj dhe partia e tij, profiterët më të mëdhenj nga shitja e “Dëshmisë të Veteranit”” - Bota Sot
“Kryeministri Haradinaj dhe partia e tij, profiterët më të mëdhenj nga shitja e “Dëshmisë të Veteranit””

Opinione

“Kryeministri Haradinaj dhe partia e tij, profiterët më të mëdhenj nga shitja e “Dëshmisë të Veteranit””

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 11 nëntor 2018 Në ora: 01:00
Kryeministri Ramush Haradinaj dhe kori i rrenacakëve, mashtruesve, falsifikatorëve

Dështtimi i liberalizimit të vizave, njëherësh, dalja në shesh e mashtrimeve të krerëve politikë trumcakë, të Kosovës, po provohet të mbulohet me akuzat idioteske karshi Bashkimit Evropian.

Për dy vjet radhazi dëgjojmë përrallën e përsëritur se: "Kemi plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vozave për qytetarët e Kosovës!" Dhe, këtë e ka thënë dhe e përsërisin, madje, në kor, të gjithë krerët rrenacakë, mashtrues e falsifikatorë ndyracakë, që nga Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj, me lukuninë lehaqene të tij: zëvendëskryeministra, ministra, zëvendësministra, këshilltarë e potragjelë të neveritshëm, që sorollatën e rrugavën, kot se koti, holleve të ministrive enorme të Prishtinës.

Dështimin e pritshëm të liberalizimit të vizave, mundohen ta paraqesin "befasues", "akt të çuditshëm të BE-së", si "mashtim", "racizëm ndaj shqiptarëve të Kosovës", "diskriminim", "getoizëm" dhe tjera dokërra e broçkulla!

E gjithë kjo bëhet për ta fshehur gënjeshtrën, mashtrimin e falsifikimin e tyre, se gjoja  "Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave". Por, faktet flasin për të kundërtën.

1. Krimi i organizuar veçsa është begatuar, me lëndë kriminale dhe stoqet e dosjeve të drynosura kapin shiftën e 300 mijë sosh!!! Ato nuk guxon askush t`i hapë, sepse zbulojnë krimet e kryekriminelëve në pushtet e shtet. Ekzekutimet e veprimtarëve të LDK-së dhe të ushtarakëve luftëbërës të FARK-ut të Ibrahim Rugovës, janë faktike, të bëra për qëllime politike, për marrjen e pushtetit me dhunë nga ekstremi i majtë, LPK-ja, argate e Serbisë dhe e satelitëve të saj kundra-shqiptar.

2. Korrupsioni, hajnia zyrtare është më e larta në Evropë dhe më gjerë. Janë grabitur e vjedhur, madje, zyrtarisht, mijëra hektarë tokë, shoqërore e shtetërore, të brezave shqiptarë; janë tenderuar, vjedhshëm, fabika e uzina industriale, me troje e hapësira disa hektarëshe; janë privatizuar objekte të shumëta, me çmime simbolike dhe të tjera vjedhje zyrtare, duke u bërë pronë, kryesisht, të pushtetarëve, të cilët, para se të hypnin në pushtet, ishin varfanjak për "vitra", bythë-laskuriq e "nasibetë"!

Uzurpimi i trojeve në kryeqendrën Prishtinë dhe qytete tjera; ngritja e vilave dhe pallateve pallateve me hajni zyrtare e private-haraç, dhënia me qira deri në 6.700 euro mujore, vetëm të një vile banesore, janë dëshmi faktike, pa shansë demantuese, të abuzimit me pushtetin, korrupsionin, alias - hajninë zyrtare, të shtetit të Kosovës. 

Me referencën për krimin e organizuar dhe korrupsionin gapolant, thënë shqip, hajninë zyrtare, të llogaritur, së paku, në 36 milion euro, të sekuestruara, shtetëzuar, vetëm 2 milion euro prej tyre, lexuesi i vëmendshëm lë të gjykojë vet,  nëse janë përmbushur këto dy kushte bazë, që kërkon BE-ja, veç kushteve tjera, nga çdo shtet, për të fituar të drejtën e liberalizimit të vizave, në rastin konkret për Kosovën?! Absolutisht, jo, madje, as për së afërmi.

Pushtetarët profanë e kriminelë, politikë e ordinierë, në vend të korrigjimit, përmirësimit të imazhit të përtokur të Kosovës, duke zbuluar e ndëshkuar eksponentët e krimit të organizur dhe duke sekuestruar, shpronësuar mafiozët e korrupsionit, të hajnisë zyrtare, përkundrazi kanë thelluar distancën për afrimin drejt Evropës.

Falsifikimi kriminal i 33.655 "dëshmive të veteranit", në pritje për t`u shtuar edhe shifra prej 13.770 sish, është një akt hajnie e barbarie zyrtare e buxhetit shtetëror të Kosovës së varfër. Ndonëse, pushtetarët tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e drejtëpërdrejtë, në këtë krim të rëndë shtetëror, janë distancuar, të lemërisur nga katastrofa financiare, buxhetore, që do të vazhdojë ndër vite e dekada.

Por, kryeministri Ramush Haradinaj, me komandantët banditër të tij, në AAK-a, vazhdon të ngulmojë e sabotojë korrigjimin e listave të "veteranëve" të rrejshëm, edhe pse nuk ka asnjë fakt bindës, për numrin enormë të "luftetarëve" pjesëmarrës në luftë. Në arsyetimin pse Kryeministri refuzon falsifikimin dhe korrigjimin  e listave të rreme, opinioni i Kosovës është i njëzëshëm: 

"Kryeministri Haradinaj dhe partia e tij AAK-ja, janë profiterët më të mëdhenj, nga shitja e "Dëshmisë të Veteranit" dhe të sigurimit të klientelës së përhershme elektorale, që përbën edhe një krim politik, shkatërrimin e procesit zgjedhor demokratik në Kosovë".

Mbrojtja e hapur e prokurorëve, të akuzuar nga Prokurori Special, atdhetar dhe guximtar, Elez Blakaj, për bllokimin e dosjes kundër "gjeneralëve" dhe të "komandantëve" kriminelë, falsifikatorë të neveritshëm, të listave emërore të "veteranëve", nga kryeministri Haradinaj, është thellim i krimit, vazhdim i hajnisë zyrtare, rrënim përmanent, i përhershëm  i buxhetit shtetëror të Kosovës.

Refuzimi i korrigjimit të listave, mashtruese e marroqe, nga prokurori manipulatv dhe hiç i besueshëm, Sylë Hoxha, pa asnjë justifikim, flet qartë, se ai është marionetë, vegël e kryeminitrit Haradinaj.

Ky trajtim, thjeshtë, politik, nuk do të arrijë të fshijë 33.655 "veteranë" fiktivë, të rrejtshëm dhe as të rrëzojë kërkesën e 13.770 të tjerëve, që presin të përfitojnë, paligjshëm, nga buxheti shtetëror. Nga shifra e fundit edhe mund të këtë ndoca meritorë, për ta gëzuar të drejtën e luftëtarit veretanë të njëmendët, por, këtë nuk do të arrijë ta bëj një ekip prokurorësh, nën tutelën mbikëqyrëse të një ryeministri, fajtor i parë, madje, i qëllimshëm, në përfitim, për interesa personale e grupore, të listave të veteranëve.

Prioriteti, parësia e nismës nga zeroja, e spastrimit të emrave , përfitues të paligjshëm, qëndron në faktin se shumica  dërmuese e tyre, nuk  do të aplikonin sërishmi për veteranë, sepse do ta kursenin vetën nga turpërimi i mëtejmë. Madje, disa syrësh janë edhe falsifikatorë të pavetëdijshëm, ngaqë ligji përcaktues  për aplikim, është shumë i gabuar, kriminal, kamuflues dhe i qëllimshëm, për fryerjen e këtyre listave. Mjafton vetëm sugjerimi i kryetarit të Komisionit përkatës, gjeneral Agim Çekut: "Ka të drejtë me konkuru gjithëkush që i ka kontribu luftës edhe nëse u ka japë me pi ushtarëve të UÇK-së"! Ju, horra shtetarë e pushtetarë aksidentalë, mos akuzoni BE-në, për mosrealizim të vizave! Topi është në duartë tuaja të pista. Largohuni të poshtëruar, për krimet dhe hajnitë zyrtare, për ta lënë këtë popull skllav të frymojë lirshëm, edhepse me përgjumjen e tij aktuale, po e vë në luhajë lirinë e dhuruar, pikërisht, nga kjo Evropë dhe Amerikë, që sot anatemohen, krejt padrejtësisht, madje, turpërisht, nga pushtetarët batakçinj e kriminelë të egër dhe të pacipshëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...