Kulmi i sharkisë!

Opinione

Kulmi i sharkisë!

Nga: Kimete Berisha Më: 13 nëntor 2018 Në ora: 23:32
Kimete Berisha

Veç pritsha kur 'uraniumi i varfëruar' fillon me reagu, e t'fillon live me t'ju shkri setra n'trup.

E pas setrës, shkrirja me vazhdu m'e t'ju zgjeru prej majës t'kresë, nëpër bira të hundëve e deri te thembra.

Rusët i kanë bestytnitë identike njësoj si ne, si m'u pas rritë bashkë me ta, për shembull ata besojnë se 'nëse të qesin veshtë flakë, dije se dikush folë keq për ty', anipse flasin keq për ty t'u kuqën, s't'u kuqën veshtë, ose 'nëse të kruhen vetullat, ke me marrë n'gryk dikë' (kjo rregull nuk vlen edhe për vetullat me fije japoneze).

Ndoshta, e kundërta, Putini ka treguar guxim qytetar që është takuar me Thaçin. 
Në bazë të çkahit Putini është më 'i keq' se ahashim athaçi! Veç pse Rusia është më e madhe, Putini është më i rrezikshëm se ky.

Putini flet me arusha, me tigra, me kuaj, me balena dhe fotografohet me to.

Kurse Hashim Thaçi flet veç me njerëz prej të cilëve shparit naj pare. Për qejfi, pa zor t'madh se çel gojën. 
Prandaj, Putini ka vend në zemër edhe për kafshë, ndërsa Hashim Thaçi as me Kadri Veselin nuk flet.

Putini i ka tri të mira: i pëlqen Ernest Heminguej, Jules Verne dhe Jack London, anipse nuk i do amerikanët.

Kurse Hashim Thaçi ka intuitë, anipse nuk e ka lexuar Dostojevskin, Pushkinin e Jesenin, i qeshin faqet që u taku me Putinin. 
Dhe jo pse rusët janë të mirë, por sepse janë të fortë dhe të rrezikshëm. Prandaj i pëlqejnë.

Në takimin e sotëm me Hashim Thaçin, Putini nuk e mori me vete qenin, si kur u takua me Merkel (e cila qentë i ka fobi), sepse nuk ka arritur Hashim Thaçit t'ia zbulojë Thembrën e Akilit, shërbimi sekret rus nuk ka arritur ta gjej asnjë fobi tëbHashim Thaçit.

Në bisedë e sipër Putini e pyeti Hashim Thaçin për jetën në fshat, dhe tregoi se si kur ai ishte fëmijë, si adoleshent, ka jetuar në një ndërtesë të vjetër, ku i ka mbytur pacovat. Thaçi e pyeti: A e njeh Pacollin! Putini nuk iu përgjigj por vazhdoi t'ia përshkruante varrezën masive të minjëve që kishte mbytur, si gjuetar i spikatur i minjëve.

Duke folur për Evropën, Hashim Thaçi e pyeti për vendimin e Putinit që ta bojkotojë ushqimin e Bashkimit Evropian dhe kërkoi nga ai t'i heq vizat për Kosovën. 
Putini ia përshkruante në detaje ngjarjen kur i ka dërguar të gjitha ushqimet dhe embëlsirat evropiane në sheshin më të madh rus dhe i ka shkatërruar ato.

Dhe e falenderoi Hashim Thaçin që u shpreh fuqishëm kundër bojkotimit të ushqimeve dhe ëmbëlsirave serbe nga Ramush Haradinaj.

Thaçi ia përmendi Putinit rastin kur ushtarët rusë menjëherë pas çlirimit të Kosovës nga NATO e kishin rrahë Ramushin, se e kanë ditë që vjen puna deri këtu.

Unë i tha Putini, si adhurues i papërmisueshëm i Beatless-ave, mendoj se lumturia është dashuria. Prandaj kafshët nuk qajnë, sepse janë të lumtura.

Hashim Thaçi pohoi gjithçka që tha Putini: po, shumë e vërtetë.

Dhe ia çoi një sms Petrit Selimit: 'Me pas qenë ky kriminel nuk e kish pranu Papa Francisi në takim. 
Kur e ka pranu Papa në takim, s'ka kuptim unë mos me pranu me nejt me të....anipse ka fillu po më kruhet shpina diçka...'

Putini i dha komplimente gjuhës së duarve të tij, se si i kishte mbajtur shumë stabile gjatë qëndrimit të tij në Stamboll për përurimin e aeroportit, për të mos u dukur mysliman.

Hashim Thaçi duhet të ketë kujdes me kë po shoqërohet, se për shkak të pozicionit të Neptunit në shtëpinë e VIII të natal-kartës së tij, fundi mund të jetë misterioz.

Por ama gëzimi i ish agjentit të SHIK-ut Kadri Veselit për takimin e Hashim Thaçit me ish agjentin e KGB Vladimir Putinin është kulmi i sharkisë.

Përmbaju pak, se s'ka kuptim m'u shkri si çokollada.

Plus që Inteligjenca gjermane e kanë zbuluar se Putini i rreh gratë. 
Mashkulli që rreh gratë nuk është i rrezikshëm për burrat, prandaj njëherë-përnjëherë puna mirë.

Rusia e pranon Hashim Thaçi si president të Kosovës, por Kosovën nuk e pranon si shtet.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat