110 vite Alfabet dhe krenari Kombëtare

Opinione

110 vite Alfabet dhe krenari Kombëtare

Nga: Gani Qarri Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 06:34
Gani Qarri

Lufta për ruajtjen e gjuhës së një populli është edhe luftë për mbijetesën e atij kombi, do të shprehej Mit`hat Frashëri.

Ndaj atë që nuk mundën ta bënin luftërat dhe kryengritjet e pareshtura kombëtare, e jetësoi Alfabeti i gjuhës shqipe, vetëm ai deri më tani,arriti ti bashkonte si një-shqiptarët, kudo që ata jetonin atëherë dhe vazhdojnë të jetojnë edhe sot.

Gjuha shqipe, historikisht thuhet të jetë shkruar gati katër shekuj më parë, por me alfabete të huaja dhe jo me një ABC të përbashkët për të gjithë shqiptarët.

Vendimi historik i Kongresit të Manastirit për themelimin e Alfabetit, erdhi në kohën kur Rilindësit tanë ishin shumë të preokupuar me nevojën e krijimit të një shteti kombëtar si dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së harruar shqiptare në botë.

Ndaj krijimi i një alfabeti të unisuar kombëtar i cili deri atëherë mungonte, ishte një nga garancitë më të mëdha, që kishte për qëllim unitetin gjithë popullor, bashkimin më të fuqishëm dhe pajtimin e përgjithshëm kombëtar, para stuhive të luftërave për liri e çlirim, të cilat trokisnin përditë e më zëshëm, në dyert e shqiptarëve të pushtuar nga Turqia.

Kështu që menjëherë pas shpalljes së kushtetutës së xhonturqve më 23 korrik të vitit 1908, klubet e ndryshme atdhetare, gazetat dhe shkollat në gjuhën shqipe kishin filluar të përhapeshin me shpejtësi të madhe gjithandej nëpër qytetet kryesore shqiptare si në Elbasan, Vlorë, Filat, Manastir, Shkup, Kolonjë, Korçë, Gjirokastër dhe shumë vendbanime tjera gjithandej ku kishte shqiptarë.

Vitet 1908-1909 për shqiptarët ishin periudhë e zgjimit, formimit dhe ngritjes së përgjithshme të vetëdijes së tyre kombëtare.

Por, këto zhvillime të hovshme kombëtare, që në nisje do të hasnin në pengesa të pa kalueshme nga mungesa e një alfabeti të përbashkët kombëtar i cili mund të kuptohej, shkruhej dhe lexohej nga të gjithë shqiptarët. Ndaj, me nismën e klubit kulturor "Bashkimi” i cili i takonte qytetit nikoqir dhe kishte për udhëheqës Fehim Zavalanin, më 14 nëntor të vitit 1908, do të organizohej Kongresi i parë Kombëtar i Manastirit, ku do të merrnin pjesë mbi 50 delegatë, nga të cilët 32 me të drejtë vote, përfaqësues të shquar nga klube e shoqëri të ndryshme patriotike e kulturore, brenda e jashtë tokave shqiptare në Evropë, Azi dhe Amerikë.

Kryesia e kongresit u zgjidh në mënyrë demokratike dhe me votim të fshehtë të delegatëve, e cila megjithëse Mit`hat Frashëri nuk kishte mundur të mbërrinte më kohë në Manastir, madje ani pse, atëbotë ai ishte vetëm 28-vjeçar, përkundër mungesës fizike dhe moshës së tij të re, ai do të emërohej Kryetar i Kongresit të alfabetit, kurse Kryetar i Komisionit, Gjergj Fishta, ndërsa nënkryetarë Luigj Gurakuqi dhe Gjergj Qiriazi

Në Kongresin që u mbajt nga 14 deri më 22 Nëntor të vitit 1908 në Manastir, çështja kryesore për të cilën ky kongres i kishte dhënë vetes për detyrë të vendosej, ishte krijimi i një alfabeti të përbashkët për të gjithë shqiptarët, me ç`rast, sipas pajtimit të shumicës së delegatëve u arrit uniteti i nevojshëm dhe u mor vendimi historik për krijimin e alfabetit të përbashkët kombëtar me shkronja latine.

Kontribuuesit kryesor për arritjen e këtij suksesi kaq sublim ishin Kryesuesit e Kongresit dhe grupi i ngushtë vendimmarrës i përbërë nga Mit`hat Frashëri, Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Ndre Mjeda, Bajo Topulli, Sotir Peci, Gjergj Qiriazi, Shahin Kolonja dhe delegat të tjerë pjesëmarrës.

Ndërsa ajo që bie në sy edhe në ato kohë të vështira, janë ndasitë e intelektualëve shqiptarë, e kjo do bëhej edhe shkak i mospjesëmarrjes së Faik Konicës në Kongresin e Alfabetit shqip, i cili kinse ishte ndjerë keq, shkaku i lajmërimit të tij „me vonesë“ (4 ditë para fillimit) për pjesëmarrje në këtë eveniment historik kombëtar.

Por, fjalët e ashpra të ve Faikut ndaj Mit`hat Frashërit dhe disa udhëheqësve të Kongresit se gjoja, përveç Alfabetit të Stambollit, ata me një apo dy ndryshime të vogla, kishin përvetësuar edhe Alfabetin e përdorur nga Konica në Gazetën “Albania”, shfaqnin hapur prezencën e ndasive dhe mospajtimet e theksuara në mes tyre, me ç`rast, ai do shprehej me mosbesim edhe ndaj qëndrueshmërisë së Alfabetit, duke u shprehur se ai nuk do të ishte asgjë më tepër se një "shifrim" i përkohshëm dhe sa për të qeshur pak vite me të.

Sidoqoftë, përkundër ndonjë mospajtimi të aty-këtushëm, pas një pune disaditëshe me shumë vullnet dhe përkushtim, delegatët e Kongresit kishin përfunduar me propozimin për dy alfabete, ndaj Mit`hat Frashëri si udhëheqës i punimeve ishte shprehur për vendosjen me votim se cili nga alfabetet duhej të mbetej në përdorim për të gjithë shqiptarët. 

Edhe Hasan Prishtina, që njihet si nismëtar i organizimit të Kongresit, duke dëshiruar alfabetin latin, si një dhe të vetëm për shkollat shqipe, i pa kënaqur me vendimin e delegatëve për përdorimin e përkohshëm të dy alfabeteve, atë të Stambollit i krijuar nga Sami Frashëri dhe të shoqërisë "Bashkimi" të Shkodrës që udhëhiqej nga Gjergj Fishta dhe Preng Doçi, bashkë me Ismail Qemalin, do të shprehnin hapur mospajtimin e tyre me këto qëndrime.

Por pasi që edhe vet Komisioni i Alfabetit atëbotë kishte vështirësi për krijimin (brenda jave) të germave "dyshe" si, bie fjala shkronjat; "dh","gj","nj","th",etj. vet At Gjergj Fishta do të propozonte që përkohësisht të përdoreshin të dy alfabetet, por me kalimin e kohës Alfabeti latin i përgatitur në Kongresin e Manastirit, sidomos nga viti 1920 do të bëhej alfabeti i vetëm, një dhe i përbashkët për të gjithë shqiptarët.

Ndaj atë që nuk mundën ta bënin kryengritjet e njëpasnjëshme dhe luftërat e pareshtura shekullore, e arriti pikërisht po ky Alfabet i cili edhe 110 vite pas, jo vetëm se njihet dhe pranohet si Alfabet i vetëm i Gjuhës Shqipe, por ai unifikoi si një edhe të gjithë shqiptarët, kudo që ata jetojnë.

Pas vendimit të Kongresit të Manastirit për një alfabet latin,që ishte shumë më i përshtatshëm për botimet në gjuhën shqipe dhe vërtetonte edhe një herë me tërë fuqinë e vet, përkatësinë autentike evropiane të popullit shqiptar, Dom Ndre Mjeda me ngazëllim dhe urtësi, i kënaqur nga përkrahja e delegatëve të të tri besimeve ndaj këtij alfabeti, do të deklaronte; „Se vërtetë shqiptarët, në rast nevoje, qenkan të zotët të bashkohen dhe të punojnë si një, për të mirën e vendit dhe kombit të tyre, e dëshmoi Kongresi i Alfabetit në Manastir“!.

Njëjtë si në të gjitha ngjarjet e mëdha kombëtare edhe në këtë rast historik, kontributi i femrës shqiptare nuk mungoi, madje kjo u pa më së miri në Kongresin e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, sekretare e të cilit ishte njëra ndër femrat delegate si Parashqevi Qiriazi, përfaqësuese e Shkollës së Vashave në Korçë, edhe pse në ato vite, gruaja nuk kishte të drejtë vote në kuvende.

Në Kongresin e Manastirit merrnin pjesë edhe personalitete tjera të njohura si Hilë Mosi, të cilit i ishte besuar sjellja e Himnit të Flamurit kombëtar nga Bukureshti  në Shqipëri të përgatitur nga Asdreni për ta dërguar në atdhe.

Hilë Mosi ishte delegat i Shkodrës dhe njeri që kishte rol të madh në lëvizjen kombëtare, ai në kohën kur përgatitej organizimi i këtij tubimi, kishte shkruar edhe një këngë të magjishme plot shpresë e atdhedashuri, kushtuar Kongresit të Manastirit:

Humb se kemi jo shpresën 
Zëri i atdheut na thërret 
Ejani vëllezër të gjithë në një besë 
Sot atdheu na thërret.

Shqiptarët ishin populli i vetëm në gjithë Perandorinë, që deri atëherë, nuk kishin jo vetëm shkolla, por as alfabet në gjuhënm e tyre amtare. Megjithatë Alfabeti i ri dhe i sapo-miratuar, rrezikohej seriozisht të vritej sërish nga pushtuesi dhe bashkëpunëtorët e tij, ndaj u paraqit nevoja për organizime të reja dhe vendime edhe më të fuqishme, për mbrojtjen e shkronjave kombëtare.

Kongresi i Dytë i Manastirit me 2 e 3 Prill 1910

Pas krijimit të suksesshëm të Alfabetit Kombëtar në Kongresin e parë të Manastirit, hapja e shkollave shqipe në të cilat gjuha jonë mësohej me Alfabetin e ri nuk kishte të ndalur. Kjo i pengonte fort, jo vetëm organet zyrtare të perandorisë turke, por edhe disa krerë fetar, ndaj edhe filluan sulmet e njëpasnjëshme me qëllim të pengimit të shkollimit me shkronjat e ABC-s, në gjuhën e shqipeve.

Kundërshtarët më të fort të Alfabetit Kombëtar ishin priftërinjtë grek dhe hoxhallarët shqipfolës, të parët i mundonte gjuha shqipe kurse të dytët shkronjat "llatine". Ata shkuan aq larg sa që organizuan pengesa të ndryshme deri te nxitja e demonstratave masive kundër Alfabetit të Gjuhës shqipe. 

Kështu që, atdhetarët shqiptar me nismën e klubit "Bashkimi" të Manastirit me 2 e 3 prill të vitit 1910, organizuan një Kongres të dytë në Manastir në të cilin morën pjesë 20 delegat nga të gjitha viset shqiptare me ç`rast kryetar i Kongresit, kësaj radhe do të zgjidhej intelektuali dhe veprimtari i shquar kombëtar nga Peja, Bedri Pejani kurse sekretar Ferit Ypi dhe Petro Nini Luarasi.

Për ndryshim nga Kongresi i Parë, Kongresi i Dytë, nuk kishte për detyrë formimin por mbrojtjen Alfabetit të krijuar, i cili përhapej me të shpejt në të gjitha shkollat me mësim në gjuhën shqipe gjithandej trojeve shqiptare, por që tanimë kishte filluar ti pengonte xhonturqit të cilët me gjithë premtimet e dhëna për lejimin e shkollave në gjuhën amtare, të trimëruar nga kundërshtimet e orkestruara nga dy grupet e lartcekura,sërish do t`ua mohonin shqiptarëve të drejtën e arsimit kombëtar me alfabet të vetin, duke i penguar shkollat e tyre me tërë arsenalin e aparatit të dhunës shtetërore, përfshi edhe ushtrinë perandorake.

Ndaj Dervish Hima, delegati i parë i cili kishte hapur punimet e këtij Kongresi ,do të deklaronte i alarmuar, se përveç shqiptarëve, xhonturqit u shpallën luftë edhe shkronjave shqipe të cilat ne duhet dhe do ti mbrojmë me çdo mjet.

Mesazhi i tij, ishte edhe një paralajmërim për kryengritjen që do të fillonte në Pranverën e vitit 1910, kohë kur qeveria turke e udhëhequr nga Ibrahim Haki Pasha Alfabetin e shqiptarëve e shihte si problem politik, ndaj kishte urdhëruar ndalimin e përdorimit të tij nëpër shkolla, duke botuar edhe Abetare “shqip” me alfabet arab të cilat shqiptarët nuk i pranuan asnjëherë.

Përveç organizimit të Kongresit të Manastirit më 1908, i cili për nga rëndësia, pas lidhjes së Prizrenit 1878-1881 dhe Lidhjes së Pejës 1899-1900,cilësohet si njëra ndër tri ngjarjet më të rëndësishme historike të kohës,Rilindësit tanë, duke parë gjendjen dhe rreziqet që i kanoseshin të ardhmes së kombit në ato mote të vështira, organizuan edhe disa mbledhje të fshehta në të cilat miratuan një program kombëtar me kërkesa politike, ekonomike dhe administrative, me qëllim të krijimit të shtetit dhe arritjes së mëvetësisë kombëtare.

Ndaj, Kongresi i Manastirit, me të drejt konsiderohej edhe kongres shkencëtarësh, politikanësh e luftëtarësh për liri e pavarësi të vendit.

Të prirë nga Mit`hat Frashëri, Rilindësit atdhetar me 14 tetor të vitit 1912 do të mbanin një mbledhje në qendrën e vilajetit të Kosovës në Shkup ku u vendos për thirrjen e një kuvendi mbarëkombëtar për shpalljen e Pavarësisë e cila do të realizohej me 28 nëntor të vitit 1912 në Vlorë nën kryesimin e Ismail Qemalit.

Përndjekja e patriotëve dhe cenzurimi i akteve historike

Ajo që nuk ngjau tek popujt tjerë, për fat të keq ndodhi dhe u përsërit, sërish tek shqiptarët.

Rilindësit tanë të shenjtë, të cilët vunë themelet e alfabetit dhe të shtetit tonë kombëtar, nuk u përndoqën dhe vranë vetëm nga armiqtë e shumtë të kombit siç u vra nga shovinistët grek Martiri i Gjuhës Shqipe, Petro Nini Luarasi etj, por ata kanë vuajtur shumë edhe nga keqtrajtimet, dënimet e gjata, likuidimi dhe përndjekja sistematike e regjimeve shqiptare, si nga Ahmet Zogu që likuidoi Hasan Prishtinën,Luigj Gurakuqin e Bajram Currin etj, ashtu edhe nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, që jo vetëm se nuk hezitoi fare, por me kënaqësi dhe pompozitet persekutonte, vriste e internonte edhe personalitete të mirënjohura kombëtare si kryetari i Kongresit të parë të Manastirit, Mit`hat Frashëri, pushkatoi delegatin e Elbasanit Lef Nosin, ndërsa pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, nga Tirana i dorëzoi UDB-s, serbe, patriotin dhe kryetarin e Kongresit të Dytë të Manastirit, nënshkruesin e deklaratës së Pavarësisë në Vlorë dhe luftëtarin e shquar të çështjes kombëtare Bedri Pejanin.

Përveç vrasjeve, dënimeve drakonike dhe persekutimeve të tjera të panumërta, krahas këtyre akteve makabër, nuk munguan as baltosjet e figurave kombëtare, jo vetëm nga pushteti por edhe nga shumë historianë të kohës së monizmit të cilëve as sot nuk u pëlqen që ne ti nderojmë Rilindësit tanë, qoftë edhe në data të shënuara të ngjarjeve dhe viteve historike.

Të gjitha botimet për Kongresin e Manastirit, në Shqipëri u censuruan dhe denigruan deri në atë shkallë, sa që emri i Mit'hat Frashërit si kryetar i Kongresit dhe Gjergj Fishtës si kryetar i komisionit të alfabetit, përkundër kontributit të tyre të jashtëzakonshëm, për motive politike, gjatë gjithë periudhës komuniste, as që guxuan të ziheshin në gojë.

Për aq më tepër, në mënyrë që emrat dhe roli i tyre për alfabetin e njësuar dhe çështjen kombëtare të mos guxonin të dilnin fare në pah, procesverbalet e Kuvendit të Manastirit u fshehën dhe nuk u botuan asnjëherë nga historiografia komuniste.

Veprimtaria kombëtare e Kongresit të Alfabetit, ndodhi në kohën kur shqiptarëve, lufta përditë e më zëshëm po u trokiste në derë, ndaj ky ishte edhe një rast i mirëseardhur për të arritur bashkimin e kombit edhe nëpërmjet alfabetit të përbashkët, i cili nga atëherë e deri në ditët tona, u tregua garantuesi më i fuqishëm dhe unifikuesi më jetëgjatë për popullin tonë.

Ndaj vendimet e kongresit dhe protagonistët e tij, duhet të përkujtohen me pietet dhe nderimet më të larta, nga njerëz të zgjedhur të elitës shtetërore, gjuhës, historisë, artit dhe kulturës së kombit tonë, sidomos në qytetin e Manastirit që na dhuroi alfabetin tonë të përbashkët, me të cilin sot të gjithë shqiptarët me krenari identifikohen, mësojnë, shkruajnë dhe shkollohen me aq dëshirë në gjuhën tyre amtare kudo që ata jetojnë.

Edhe gurët në varret e lavdishme të rilindësve tanë, sot e atëherë, shprehin historinë e vuajtjeve më të mëdha të popullit tonë dhe vijojnë të na flasin shqip, njëjtë si epitafet e paraardhësve tanë, në vendet ku kanë jetuar shqiptarët dikur dhe atje ku ata edhe sot jetojnë.
Ndaj, veçanërisht germat e shenjta të alfabetit duhet të ruhen dhe çmohen lartë, të garantohet përdorimi i lirshëm e me pietet i tyre nga të gjithë shqiptarët dhe të ndihmohen që ti mbijetojnë diskriminimit të hapur agresiv sllav edhe në vendin e lindjes së tyre, në kryeqytetin e njërit nga vilajetet kryesore shqiptare në Manastir, njëjtë siç ruhet ABC-ja, që dikur qe vendosur në oborrin e shkollës së parë shqipe në Korçë, për tu rritur e zgjeruar dhe shtrirë në gjithë hapësirën tonë kombëtare.

Megjithëse ka kohë që në përvjetorët e Kongresit të Alfabetit, kësaj ngjarje të madhe kombëtare, nuk organizohet ndonjë manifestim i përbashkët zyrtar kushtuar këtij akti historik, shpresojmë që këtë vit ashtu siç edhe është paralajmëruar, të ketë një organizim cilësor dhe përkushtim meritor, ashtu siç i ka hije një ngjarje të madhe si kjo.
Nuk duhet harruar se ishin Rilindësit tanë Kombëtar ata që në fillimet e shekullit të 20-të,morën mbi vete fatet e kombit, u bënë misionar dhe zëdhënës të denjë të shqiptarizmës, duke u vënë në ballë të një lëvizje mbarëkombëtare për krijimin e unitetit të të gjithë shqiptarëve kur çështja jonë rrezikohej, më shumë se kurrë, nga të gjitha anët.

Rilindësit nisën rrugën e formimit dhe ndërgjegjësimit të popullit shqiptar edhe për arritjen e pavarësisë sonë kombëtare, si gjithë kombet tjera, përkundër sakrificave të mëdha që kërkonte koha dhe ato mote vendimtare.

Alfabeti i krijuar nga ata, është dhe mbetet shembulli më sublim, si dhe lidhja më e fortë dhe e pashkëputshme ,që përjetësisht bashkon kombin tonë, të ndarë padrejtësisht në shumë vende dhe me shumë kufij.

Nga atëherë e deri më sot, vetëm alfabeti mbetet lidhja më e sigurt dhe më e fuqishmja kombëtare në përafrimin e një populli të shpërndarë në shumë shtete, rajone e kontinente, siç është populli shqiptar.

Asgjë tjetër nuk funksionoi më mirë dhe më fuqishëm se sa Alfabeti i gjuhës tonë, i cili që nga themelimi, krijoj një atmosferë të përbashkët afrimi dhe një dashuri familjare për të gjithë shqiptarët, pa dallim besimi e krahine ndaj gjuhës shqipe dhe vlerave të mëdha të kulturës sonë mbarëkombëtare. 

Kështu që një akt i tillë sublim dhe me rëndësi kaq të veçantë kombëtare siç është Kongresi i Alfabetit, edhe pas viteve të kaluara nga ajo ngjarje e bujshme historike, meriton më tepër se një përkujtim spontan-studentësh të rinj, siç ndodhi ndonjë vit më parë.

Kongresi i Manastirit me gjithë distancën kohore është dhe mbetet një ngjarje ndër më të mëdhatë kombëtare dhe historike për shqiptarët, një e arritur nga më sublimet e njerëzve më me shumë dije dhe kulturë të kohës, brenda popullit tonë.

Rilindësit tan të nderuar përfunduan me sukses krijimin e një alfabeti të njësuar kombëtar i cili nga atëherë bëri që sërish, të ndjehen një, të gjithë shqiptarët, akt i cili assesi nuk guxon të qitet në harrës nga institucionet tona shtetërore e kombëtare.

Kujtimi për Kongresin e Alfabetit duhet të mbahet i gjallë dhe nuk duhet lejuar asnjëherë që ai të vjetërsohet nga nonshalanca dhe pakujdesia jonë.

Datat dhe vendet në të cilat u sollën vendime kaq të mëdha e të ndritshme si krijimi i Alfabetit tonë unik, medoemos duhet të përkujtohen bashkë me ideatorët ,prijësit dhe organizatorët e tyre, në mënyrë të organizuar institucionale e shtetërore, nga Shqipëria dhe Kosova me nderimet përkatëse dhe më të merituara festive, si ngjarje të pa harruara historike dhe garancia më e fortë kombëtare që mbajnë sot, nesër dhe në të ardhmen më të largët deri në përjetësi të gjithë shqiptarët bashkë, kudo që ata jetojnë.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat